2016-11-15 00:00:00

Të dielë më 20 nëntor, në Romë, Mesha kremtuar nga kardinali Ernest Simoni Troshani


Të diel, më 20 nëntor, në Romë, në orën 16.00, Kardinali i ri shqiptar, dom Ernest Simoni Troshani, i sapo krijuar të shtunë, nga Papa Françesku, do të kremtojë Meshën e parë me bashkësinë shqiptare, pas kësaj ngjarjeje tejet të gëzueshme për Hirësinë e Tij, për bashkësinë katolike e për mbarë shqiptarët, kudo jetojnë e punojnë. Mesha do të kremtohet në Kishën e Shën Gjonit të Malvës në Trastevere, e cila tashmë njihet si “Kisha e shqiptarëve”, në  Piazza di San Giovanni della Malva.    

Pas kremtimit, do të paraqitet libri “Don Ernest Simoni Troshani: nga puna e detyruar, në takimin me Françeskun”. Do të flasin imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë; Imzot Donato Oliverio, Hepark i Lungros; zoti Visar Zhiti, i Ngarkuar me punë i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, don Pasquale Ferraro, Koordinator Baritor i Bashkësisë shqiptare e, natyrisht autori i librit, Mimmo Muolo. Veprimtaria organizohet nga Ambasada e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Paoline.








All the contents on this site are copyrighted ©.