Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Ipeshkvijtë e Shqipërisë për mbylljen e Jubileut të Mëshirës

Konferenca ipeshkevnore e Shqiperise - RV

15/11/2016 11:10

Si kudo në botë, edhe në Shqipëri, u mbyllën pjesa më e madhe e Portave Shenjte të Jubileut të Mëshirës, i cili po shkon kah përfundimi. Pikërisht të dielën e ardhshme, më 20 nëntor, Papa Françesku do të mbyllë Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit. Ndërkaq, në Shqipëri, e fundit, do të jetë Porta Shenjte në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Më hollësisht të dëgjojmë zëdhënësin e ri të Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, dom Gjergj Metën në mikrofonin e dom David Xhuxhës...

Mbyllen dyert, por jo edhe ç’hapi në zemrat e njerëzve, ky Vit Jubilar. Të vijnë ndërmend fjalët e Papës Françesku, para një viti: “Duke kaluar nëpër Portën Shenjte, do ta lemë mëshirën e Zotit të na përqafojë e do të impenjohemi të jemi të mëshirshëm me të tjerët, ashtu siç është Ati Qiellor me ne”. E këtë vit, Portat e Shenjta qenë me mijëra, u hapën nëpër qytete, pranë çdo shtëpie, pikërisht për t’i ftuar njerëzit të ndryshojnë nga vetvetja, të fillojnë ta shohin ndryshe atë që kanë më afër, nga kolegu i punës tek gruaja e fëmijët në familje, nga ata që i konsiderojmë armiq tek masa e pallogaritshme e njerëzve që na rrethojnë, deri tek më të varfërit, ata që nuk i do askush. E në fund të fundit, ky Jubile na mësoi se mëshira s’është tjetër veçse një mënyrë për t’i shikuar të tjerët me vështrimin e Zotit. Ndoshta, shumë do ta harrojnë këtë kalim, hapin që bënë përmes Portës Shenjte për t’u shndërruar, do ta harrojnë farën e mbirë në çdo zemër. Nga të tjerë, nga ata që kujtojnë, e përvujtë, pa bujë, do të përhapet ajo valë e padukshme për sytë, por e fuqishme për zemrën, që e ndryshon njeriun nga brenda e ky do të jetë rezultati më i rëndësishëm i këtij viti.

Nga zyra e shtypit e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, don Gjergj Meta na dërgon mesazhet e ipeshkvijve me rastin e mbylljes së Vitit Jubilar, të cilat po ua propozojmë edhe juve, të dashur dëgjues…

Me datë 13 nëntor u mbyll Porta e Shenjtë e Vitit Jubilar në Dioqezën e Rrëshenit, në kremtimin solemn të eukaristisë të udhëhequr nga Imzot Cristoforo Pamieri me lutjen që "... të mos i mbyllen kurrë më Hyjit portat e zemrës së asnjërit prej atyre që kanë gëzuar nga kjo dhuratë e që të tjerë akoma të mund të gëzojnë të sigurtë se Hyji është gjithmonë në prag të portës tonë dhe troket."

Në homelinë e tij Imzot Palmieri theksoi se "...dera e Mëshirës Hyjnore nuk mbyllet kurrë dhe se ajo është gjithmonë e hapur për ne. Por mund të ndodhë që të mbyllet dera e zemrës tonë. E kjo nuk duhet të ndodhë". 

Duke marrë si model Nënë Terezën e Kalkutës, Imzot Palmieri vuri në dukje se mundësia për të dashur na jepet sot. Sot dikush po vuan, sot dikush është në mes të rrugës, sot dikush ka uri; po, sot, sepse e djeshmja nuk është më dhe e nesërmja nuk ka ardhur akoma. Kemi vetëm të sotmen për të dashur.

 

Dioqezën e Shkodrës janë mbyllur dy dyer të Shenjta, ajo e Shenjtërores së Zojës së Shkodrës dhe ajo e Katedrales së Shën Shtjefnit. Viti Jubilar i Mëshrës është mbyllur me kremtimet në të dyja këto Kisha nga Imzot Angelo Massafra i cili ka theksuar edhe një herë faktin që mëshira është çështje praktikimi dhe jo vetëm predikimi. Duke bërë të tijat fjalët e Papës Françesku, Imzot Massafra tha se Mëshira për të cilën jemi thirrur përqafon të gjithë botën e krijuar, që Hyji na e ka besuar për të qenë rojtarë të saj dhe jo shfrytëzues apo edhe më keq, shkatërrimtarë.

"Nuk mjafton vetë të flasim për mëshirën, por kemi nevojë ta praktikojmë atë në jetën tonë dhe në jetën e bashkësive tona. Kemi folur shumë për jetën tonë personale dhe për atë të jetës së famullive tona apo bashkësive rregulltare. Por bota nuk kufizohet vetëm me ne: atje jashtë janë periferitë, sikurse i quan Papa Franccesku, gjendet një gjithësi e cila duhet zbuluar dhe një mbretëri që duhet përmbushur, të varfër që presin ftesën për t'u ulur në tryezën e mbretërisë, të pikëlluar që presin të ngushëllohen, të uritur për drejtësi që dëshirojnë të ngihen. Sa persona të etur për hakmarrje presin ende të vizitohen, të kontaktohen dhe të ungjillëzohen për të bërë hapin që kanë bërë martirët tanë: pajtimin me vetveten dhe faljen për të tjerët, edhe pse vrasës. Shën Tereza e Kalkutës dhe 38 martirët shqiptarë janë një model mëshire dhe falje për jetën tonë personale dhe komunitare".

Viti Jubilar i Mëshirës do të mbyllet edhe në Kryedioqezën e Tiranës me datë 19 nëntor 2016 gjatë meshës së kremtuar nga Administratori Dioqezan Imzot George Frendo O.P.

15/11/2016 11:10