2016-11-13 16:46:00

Papa: të mos na gënjejë kush, Zoti nuk na braktis kurrë


Ngrehinat njerëzore “edhe ato më të shenjtat”, janë kalimtare e nuk duhet ta mbështesim sigurinë as në to e as në “mesitë e rremë”, që spekulojnë me nevojat e njerëzve: e vetmja siguri është se “Zoti nuk na braktis kurrë”. Kështu Papa në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, në të cilën i nxiti besimtarët të mos i harrojnë ata që, në këtë botë, nuk kanë as bukë, as ujë! Kujtoi, më pas, se sot mbyllen të gjitha Portat Shenjte në kishat katedrale të mbarë botës, në prag të përfundimit të Jubileut të Mëshirës.

Jeta jonë nuk mund të humbasë kurrë, sepse është në duart e Zotit. Kjo siguria, që Papa ia përcolli mbarë njerëzimit në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Jezusi – shpjegoi - e di mirë se nuk mungojnë kurrë ata, që spekulojnë me njeriun, gjithnjë në kërkim të sigurisë. Prej këndej, tërhoqi vëmendjen të ruhemi nga mesitë e rremë, që nuk mungojnë as sot, e të mos terrorizohemi a të çorientohemi nga luftërat, revolucionet, fatkeqësitë e natyrës, sepse edhe ata bëjnë pjesë në sendet e kësaj bote:

“Historia e Kishës është e pasur me shembuj njerëzish, që i mbartën pa bëzajtur mundimet dhe vuajtjet e tmerrshme, me bindjen e patundur se ishin në duart e Zotit. Ai është Atë besnik. Atë i kujdesshëm, që nuk i braktis kurrë bijtë e vet. Zoti nuk na braktis kurrë! Kurrë! E kjo është siguria, që duhet ta kemi gjithnjë në zemër! Zoti nuk na braktis kurrë!”.

Duke reflektuar mbi fragmentin ungjillor të Lukës, kushtuar fjalimit të Jezusit “mbi mbarimin e kohëve” përballë Tempullit të Jeruzalemit, Papa nënvizoi se Krishti dëshiron ta kuptojmë edhe ne, sot, se ndërtesat njerëzore, edhe më të shenjtat, janë kalimtare e nuk duhet ta mbështesim mbi to sigurinë tonë:

“Sa siguri të jetës sonë patëm pandehur se ishin përfundimtare, e pastaj na dolën kalimtare. Nga ana tjetër, sa probleme, që na u patën dukur të pazgjidhshme, u zgjidhën më pas”.

E qartë, vërjeti Papa, detyra e bashkësisë së krishterë për të shkuar drejt “Ditës së Zotit”, duke ia besuar vetveten Virgjërës Mari, që të na ndihmojë ta kuptojmë sa më thellë të vërtetën:

“Të mbetemi të patundur në Zotin, të sigurt se ai nuk na braktis kurrë; të ecim në shpresë, të punojmë për të ndërtuar një botë më të mirë, pavarësisht nga vështirësitë dhe ngjarjet e trishtuara, që ndodhin në jetën personale e kolektive: është kjo, që vlen vërtet!”.

Në këtë perspektivë duhet parë edhe angazhimi, që lindi nga Jubileu i Jashtëzakonshëm i Mëshirës, në ditën e mbylljes së Portave Shenjte ndër kishat katedrale të të gjitha dioqezave të botës:

“Viti Shenjt na nxiti, nga njëra anë, t’i mbajmë sytë ngulur tek Mbretëria e Zotit e, nga ana tjetër, ta ndërtojmë ardhmërinë mbi këtë tokë, duke punuar që ta ungjillëzojmë të tashmen e ta bëjmë kohë shëlbimi për të gjithë”.

Nga ana tjetër Zoti - vijoi të kujtojë Françesku - i prin historisë sonë dhe e njeh mirë fundin e sendeve e të ngjarjeve; sepse gjithçka është nën shikimin e syrit të mëshirshëm të Atij, që ka në dorë fillin e historisë, me rrjedhën e saj të pasigurt e me gërshetimin e së mirës me të keqen, e se gjithçka ndodh mbi dhe, ruhet në Të.

Menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në Ditën italiane të falënderimit për frytet e tokës e të duarve punëtore të njeriut, Papa uroi që toka mëmë të punohet gjithnjë në mënyrë të qëndrueshme:

“Kisha është, me simpati e mirënjohje, pranë botës së bujqve dhe porosit të mos harrohen ata që, në vise të ndryshme të botës, nuk kanë as  gjërat më themelore, si buka e uji”.

Më pas Papa përshëndeti shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, duke falënderuar posaçërisht shoqatat që, në këto ditë, e gjallëruan jubileun e njerëzve të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Kujtoi edhe se këtë javë iu rikthye divocionit të besimtarëve, Kryqi më i lashtë prej druri, krijuar rreth shekullit XIV, që ruhej në Bazilikën e Shën Pjetrit: 

“Pas restaurimit të kujdesshëm, rifitoi shkëlqimin e parë e do të vendoset në kapelën e të Shenjtnueshmit Sakrament, për kujtim të Jubileut të Mëshirës”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.