2016-11-13 14:49:00

Françesku: e papranueshme që njeriu të përjashtohet nga radhët e shoqërisë


“Për ju do të lindë me rreze mirësie dielli i drejtësisë”: me këto fjalë,  cituar nga Malakia Profet, iu drejtua sot Papa mijëra njerëzve, mbledhur në Bazilikën e Shën Pjetrit, me rastin e Jubileut  të njerëzve të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Është krejtësisht e papranueshme - theksoi Françesku - ta   përjashtosh njeriun nga radhët e shoqërisë.

U mblodhën sot rreth tij, rreth Papës, që i vuri në qendër të Vitit të jashtëzakonshëm të Mëshirës, për një kremtim, kulm i tri ditëve kushtuar pikërisht atyre. Atyre që përjashtohen nga radhët e shoqërisë, atyre që trajtohen si hedhurina, atyre që gjithnjë më shpesh shikohen si të panevojshëm, sepse të padobishëm. E pikërisht atyre Françesku, i frymëzuar nga Leximet e sotme, u përsëriti atë, që u thotë Jezusi njerëzve në Tempull: “Gjithçka kalon!”:

“As mbretëritë më të fuqishme, ndërtesat më të shenjta e realitetet e botës, që duken më të patundshme, nuk  rrojnë përgjithmonë; heret a vonë shemben”.

Kalon gjithçka! Prej këndej, Jezusi vijon t’i nxisë njerëzit të mos mashtrohen nga predikatarët apokaliptikë, nga profetët e gjëmëve, nga kotësitë e horoskopëve, nga parafoljet që të kallin datën, madje i fton edhe ta dallojnë çka vjen prej Zotit, nga çka vjen prej shpirtit të gënjeshtrës:

“Ka shumë rëndësi ta dallosh ftesën e urtë, që Zoti na e drejton çdo ditë, nga ftesa e bujshme e atij, që përdor emrin e Zotit për ta tmerruar njeriun, për të ngjallur frikë e përçarje. Jezusi na fton të mos kemi frikë përballë përmbysjeve të çdo epoke, të mos kemi frikë nga provat më të rënda e më të padrejta, por të ngulmojmë në të mirën e ta mbështesim gjithë besimin në Zotin, që nuk të zhgënjen kurrë”.

E kështu gjithçka kalon, veç disa realiteteve me vlerë, që mbeten në shoshë, si margaritari i çmuar. “Po cilat janë gjërat që mbeten?:

“Sigurisht, dy: Zoti e i afërmi. Këto dy pasuri nuk zhduken kurrë! Janë pasuritë më të mëdha, që duhen dashur. Gjithçka tjetër – qielli e toka e sendet më të bukura, e edhe kjo bazilikë – kalojnë; çka nuk duhet ta përjashtojmë kurrë nga jeta, është Zoti e janë edhe të tjerët”.

E këtu Françesku arriti në zemrën e mesazhit, drejtuar protagonistëve të jubileut të sotëm dhe të gjithë besimtarëve: sot, kur flitet për përjashtim, na vijnë menjëherë në mendje njerëz konkretë, jo gjëra të kota, por njerëz të çmuar:

“Njeriu, që Zoti e vuri në kulmin e krijimit, shpesh herë hidhet poshtë,  përjashtohet, sepse pëlqehen më shumë sendet, që kalojnë. E kjo është e papranueshme, mbasi njeriu është gjëja më e çmueshme para syve të Zotit”.

E është gjë tejet e rëndë të mësohemi me këtë përjashtim, të mos na shqetësojë fare! E rëndë, kur ndërgjegjja bie në gjumë e nuk shqetësohet për vëllain e vuajtur aty pranë, për problemet serioze të botës, që  ndiqen si avaz i stërpërsëritur në emisioniet e lajmeve.

Të pranishëmve Papa u kujtoi se është jubileu i tyre, se janë ata, që ndihmojnë për t’u sintonizuar në gjerësinë e valës së Zotit e për të parë çka  shikon Ai, se Zoti nuk shikon dukjen, por i drejton sytë kah Lazrat e shumtë. Sa keq kur shtiresh se nuk e sheh Lazrin e flakur në mes të rrugës. Të shtiresh se nuk e shikon atë, do të thotë të shtiresh se nuk e shikon vetë Zotin:

“Do të thotë t’ia kthesh kokën mënjanë vetë Zotit. Është simptomë e sklerozës shpirtërore, kur interesi përqendrohet mbi sendet, që duhen  prodhuar, në vend që të përqendrohet mbi njerëzit, që duhen dashur”.

Françesku vijoi të fliste për kontradiktën tragjike dhe padrejtësinë e madhe të ditëve tona kur sa më shumë shtohen progresi e mundësitë, që mbeten gjë e mirë, aq më shumë shtohen ata, që nuk mund t’i kenë:

“Nuk mund të rrish qetë-qetë në shtëpi, ndërsa Lazrin e ke aty,  në prag të derës; nuk ka paqe në shtëpinë e atij, që është mirë, kur mungon drejtësia në shtëpitë e gjithë të tjerëve” .

Sot, kur në mbarë botën mbyllen Portat Shenjte, Papa kërkon të mos i mbyllim sytë para Zotit e para të afërmit, që  pret t’ia japim dorën:

“T’i hapim sytë për Zotin, duke pastruar sytë e zemrës nga shfaqjet e rreme e të frikshme, nga hyji i pushtetit e i dënimeve, projektim i fodullëkut e i frikës njerëzore”.

Ta shikojmë plot besim Zotin e mëshirës e t’i hapim sytë, për të parë të afërmin:

“… posaçërisht vëllain e harruar e të përjashtuar, lazrat, që dergjen në prag të portës sonë. Aty drejtohet thjerëza zmadhuese e Kishës. Zoti na shpëtoftë nga rreziku i përdorimit të saj për të parë vetveten! Na largoftë nga lustra, që huton; nga interesat e privilegjet, nga rendja pas pushtetit e lavdisë, nga joshja prej shpirtit të botës”.

Është detyra jonë të kujdesemi për pasurinë e vërtetë, për të varfërit,  përfundoi Papa, duke  u lutur:

“Zoti na dhëntë hirin ta shikojmë pa frikë çka vlen vërtet, t’i drejtojmë sy e zemër kah Ai e kah thesaret e vërteta të Kishës, siç i quajti Shën Lorenci të varfërit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.