2016-11-07 14:06:00

Memoriali në Bishtazhin dhe Kisha e martirëve në fshatin Smaq të Gjakovës


Martirët janë shenjë e dashurisë më të madhe, janë dëshmitarë që u vendosen e kanë ecur gjurmëve të Krishtit deri në dhurimin e jetës për të pohuar të vërteten e Ungjillit. Të mbeshtetur mbi këtë të vërtetë, në një atmosferë festive, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të besimtarëve, dje më 6 nëntor, në fshatin Smaq të Gjakovës, me kremtimin e Meshës u përurua Kisha e vogël kushtuar Martirëve të Shenjtë e të Lumtur. Kështu, me rastin e 90-vjetorit të themelimit të famullisë kishtare ‘Zoja Rruzare’  në Bishtazhin dhe masakrës së 72 besimtarëve të këtij komuniteti më 1941, me nismën e famullitarit të komitetit kishtar të Zojës Rruzare në Bishtazhin, dom Marjan Demajt e bashkëpunimit bujarë të shumë anëtarëve të këtij komuniteti, në tetorin e kaluar u ngrit një memorial përkujtimor në fshatin Bishtazhin dhe tani kjo Kishëz në fshatin Smaq. Mbi këto dy vepra, të dëgjojmë dom Marjan Demajn në mikrofonin e dom David Xhuxhës..

„Në paqe e dashuri jemi hallkë që lidhë të kaluarën e të ardhmen“

Famullia jonë kishtare e Zojës Rruzare në fshatin Bishtazhin, sivjet kremton 90 vjetorin e themelimit, e po sivjet bie edhe 75 vjetori i masakrës së 72 besimtarëve, ndodhi nga 11 deri me 13 prill 1941 nga pushteti i atëhershëm, ditë këto kur u vranë dhe u masakruan 72 besimtar nga e premtja e madhe deri të dielën e Pashkëve. Këtë vit me ndihmën e besimtarëve arritëm të ndërtonim në oborrin e Kishës në Bishtazhin një monument përkujtimor kushtuar këtyre martirëve. Monumenti është me Kryq, simbol i vuajtjes, me dy krahët e tij që lidhen tokën me Qiellin, prandaj Kryqi është simbol i të krishterëve që bashkohen me kryqin e Jezu Krishtit.

Në dy anët e memorialit të 72 martirëve janë të vendosur emrat dhe një pllakë që rrëfen ngjarjen e tmerrshme të vitit 1941. Inaugurimi i këtij monumenti përkujtimor u bë ditën e festës së Zojës Rruzare, 7 tetor 2016, në prani të ipeshkvit tonë imzot Dodë Gjergjit, Arqipeshkvit të Tivarit imzot Rrok Gjonlleshaj, të shumë meshtarëve dhe të besimtarëve të ardhur nga të gjitha fshatrat e komunitete dhe komunitetet tjera kishtare nga Kosova.

Në truallin e Kishës së moçme të famullisë së dikurshme në fshatin Smaq, sivjet arritëm po kështu, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të famullisë kishtare, të ndërtonim një kapelë apo Kishëz të vogël, në shenjë të kujtimit në 50 vjetorit të zhvendosjes së qendrës së Kishës famullitare në fshatin  Bishtazhin.

Po kujtojmë se nga viti 1926 deri në vitin 1966, në këtë Kishë kanë punuar si barinj shpirtëror e udhëheq të Komunitetit, meshtarët e devotshëm si don Luigj Gashi, don Lukë Filiqi dhe don Millorad Defar.

Kjo Kishëz në fshatim Smaq u ripërtëri për shumë arsye. Vendi, ku gjendet ka një pamje e pejzash të mrekullueshëm, mbi një kodrinë që të kujton malin Tabor, pasi që nga kjo pikë është pamje në të gjitha anët. Pastaj këtu, njerëzit kujtojnë me shumë mirënjohje e nostalgji kremtimet e Meshëve, të Sakramenteve të pagëzimit, krezmimit, kurorës dhe pikërisht nga ky vend u mor lajmi për vrasjen e 72 besimtarëve në fjalë, e nga këtu, u kremtua pastaj liturgjia e funeralit, lutjet dhe nderimet mortore për ta. Këtë Kishëz ia kushtuam Shenjtërve e të Lumturve martirë shqiptarë. Mesha Shenjte, të dielën më 6 nëntor 2016, u celebrua një ditë pasi shpalljes së lumturimit të 38 Martirëve të Kishës shqiptare në Shkodër, më 5 nëntor 2016. Kremtimin Eukaristik e kryesoi famullitare don Marjan Demaj, në praninë e   pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme të besimtarëve, të cilët me devotshmëri iu luten Zotit.

Në fjalën e rastit don Marjani foli mbi Kishën katolike të pasuruar përplot me martirë e të Lumtur, që dhanë jetën për Krishtin e për Atdheun, duke dëshmuar se autori, gurra e vetme e jetës dhe shpëtimtari është Ai, Jezu Krishtit. Për fat të keq ne si popull kemi kaluar kohëra të vështira dhe kemi qenë të pushtuar shpesh dhe shumë, por jo edhe të gjunjëzuar. Edhe pse ka pasur gjithmonë Antioka sipas leximit të parë të dielën së XXXII gjatë vitit, nder ta që e kanë ruajt, fenë kanë ruajtur traditat janë të paret tanë që duke i falënderuar nga zemra jemi sot këtu.

Edhe sot kërkohet sakrificë, kërkohet përkushtim, duhet të martirizohemi në një formë tjetër, që mos të bëhemi pre e të keqes, mëkatit që na robëron, na ndanë nga Zoti. Don Marjani prëfundoi homeline me lutjen që njerëzit të pajtohen mes vete, të falin siç falën martirët, sepse vetëm në paqe e dashuri mund të jemi hallkë që lidhë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhëm, për të mirën tonë, të familjeve e shoqërisë sonë.

Pas Meshës u shtrua një sofër vëllazërore për të gjithë përgatitur nga besimtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.