2016-11-06 11:41:00

K. Bumçi: Meshë falënderimi për 38 Martirët e lumnuar, me brohorinë : «Rroftë Krishti Mbret, rroftë Shqipnia !».


Një ditë pas kremtimit historik të Lumturimit të 38 martirëve të Kishës shqiptare në Shkodër: gëzimi nga përjetimi i asaj ngjarjeje historike kishtare dhe kombëtare; fjalët e delegatit të Papës në Shqipëri, kardinalit Amato, fjalët e kryetarit të Konferencës ipeshkëvnore katolike të Shqipërisë, imzot Massafrës dhe mbresat e pashlyeshme të popullit të Zotit nga përjetimi i ditës së djeshme. 

“Rroftë Krishti Mbret!”; “Rroftë Shqipnia”. “Rroftë, edhe pa ne!” – qenë fjalët e fundit të 38 Martirëve, lumnuar dje në katedralen e Shën Shtjefnit e rikujtuar sot, një ditë pas, në Meshën e falënderimit. “Rroftë, edhe me ne!” - janë fjalët e para që të vijnë në mendje pas Lumnimit të tyre, i cili hap një portë të re në qiell për gjithë shqiptarët, ende në pritje..po të ndjekim shërbimin e koleges sonë Klaudia Bumçi, nga Shkodra.....

---------------Rrofte Krishti Mbret! Rrofte Shqipnia!------

         Fjalët e fundit të përshëndetjes së imzot Angelo Massafrës, në mbyllje të meshës së djeshme për lumnimin e 38 martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri përsërisin dhe e bëjnë të të gjithë popullit brohorinë e dëshmitarëve të krishterë, që dhanë jetën “për Fe e Atdhe”, pasi kishin pësuar mundime e tortura të patregueshme. Edhe sot, po kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë kremtoi meshën e falenderimit drejtuar Zotit për këtë dhuratë të jashtëzakonshme, së bashku me të gjitha kishat në të gjithë Shqipërinë. Tani, 38 martirët na shohin nga elteri e presin lutjet tona për kanonizmin e tyre, por edhe për njohjen e flijimit e të sakrificave të sa e sa të tjerëve, edhe ata martirë e shenjtorë në zemrat e besimtarëve, që ua dinë jetën e veprat.

Shkodra, por edhe e gjithë Shqipëria që e ndoqi meshën e djeshme drejtpërdrejt përmes ekraneve të televizionit, akoma emocionohet dridhshëm për një kremtim, në të cilin u ndje dora e fuqishme e Hyjit, prania e Tij, në ato fytyra të lumnueshme, që shndritën elterin. Dje, të fundmit ishin vërtet të parët: martirët në elter e familjarët e tyre në rreshtat e para të Kishës së Madhe, ku në çdo bangë lexoheshin emrat e të 38-tëve, por edhe të të persekutuarve të tjerë, që përmes germave të stampuara mbi letrën e bardhë, i flisnin botës, që ajo të mos harrojë e që historia të mos përsëritet. Edhe meshtarët ishin mënjanuar për t’ua lënë vendin të persekutuarve, kujtesës së gjallë të martirizimit në Shqipëri, e vetë ishin vendosur në anët e kishës. Festa e jashtëzakonshme në Shkodër, lumnimi i 38 martirëve të parë të komunzimit, dëshmitarë të Krishtit për gjithë Kishën Katolike universale, nis kështu, me perceptimin se “Ata që kaluan provën e madhe” rrinë me të vërtetë në të djathtën e Zotit.

Vetëm para tri ditësh, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një Rezolutë ku dënohen krimet e komunizmit kundër klerikëve dhe u njihet atyre kontributi në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të të drejtave e lirive themelore të njeriut. Parlamentarët shqiptarë angazhohen për nxjerrjen në dritë të krimeve të tmerrshme ndaj klerit, të torturave dhe të ekzekutimeve të klerikëve. Mëse 10 mijë shtegtarët e pranishëm, shkodranë, besimtarë të të gjitha feve, ardhur nga Shqipëria, nga Kosova fqinje e nga Mali i Zi, por edhe nga Kroacia, nga Gjermania, nga Italia, nga Nju Jorku, e dëgjuan këtë lajm nga goja e kreut të ipeshkvijve shqiptarë, imzot Angelo Massafrës. E kjo është fitorja e parë e atyre, që shkuan “pa bërë kompromis me të keqen”. E nëse nga këta 38 martirë, në kapelën e majtë të katedrales së Shën Shtjefnit, do të mund të nderohen vetëm 10 relike sjellë dje në elter nga familjarët, 10 eshtra marrë nga varret e atyre, që kanë varr, shpresojmë që pas kësaj Rezolute, të hidhet dritë edhe mbi fatin e atyre, të cilëve nuk dihet ku u prehen kockat.

Të dukej sikur Sheshi i Shën Pjetrit ishte zhvendosur në Shkodër. Kisha e Madhe ishte mbushur plot brenda e jashtë e përtej: pleq e të rinj, mbushur sytë me lot, me vetëdijen se kjo është e do të mbetet një ditë e shënuar në histori. Kishin mundur të dalin, për të marrë pjesë, edhe motrat karmelitane, që dalin nga kuvendi vetëm për ceremonitë e Papës; edhe motrat klarise; dalloheshin motrat e Nënë Terezës, që dëshmonin se edhe shenjtorja bamirëse shqiptare ishte aty në këtë ditë të madhe, e pastaj, stigmatinet e Marie Tucit, motër Marie Kaleta, që mallëngjeu Papën Françesku, françeskanët, në oborrin e të cilëve, pema e vuajtjeve dhe e torturave i ushqeu rrënjët e veta me gjak martirësh. Vargu i kardinajve të Kishës Katolike, i ipeshkvijve dhe i meshtarëve dukej sikur nuk mbaronte kurrë. Elteri u ngjye në të kuqen e rrobes së kremtimit, pikërisht si gjaku i martirëve, para të cilëve e ulën sot të gjithë kryet. Aty, katolikë, ortodoksë e myslimanë, autoritetet më të larta të shtetit shqiptar e kosovar. I dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, vuri në dukje torturat mizore e kalvarin nëpër të cilin kaluan 38 dëshmitarët e Krishtit, histori të përshkruara edhe nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kur ia paraqiti emrat e tyre një për një, para se të shpalosej fugurja e imzot Vincenc Prennushit me shokë, krijim artistik i Edmond Papathimiut.

 Në Letrën Apostolike, Papa Françesku vendos që imzot Vincenc Prennushi me shokë, tani e tutje të quhen të Lum dhe festa e tyre liturgjike të kremtohet më 5 nëntor. E kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Cështjet e Shenjtorëve, e bëri të qartë, gjatë homelisë, se përse do të shërbejë ky përkujtim, çdo 5 nëntor.

“Përballë genocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar   katolikët duhet të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i  falin, ata që i  përndoqën, i keqtrajtuan, i vranë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, për ta jetuar me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit ».

E ndërsa ky vit do të mbahet mend jo vetëm për lumnimin e martirëve, por edhe për shenjtërimin e Nënë Terezës, bota shqiptare përgatitet për një festë tjetër:

« Pas disa ditësh Papa Françesku do të krijojë kardinal Dom Ernest Simonin, meshtar i Kryedioqezës së Shkodrës, që shpëtoi gjallë nga  përndjekjet. Fjalët e tij të para ishin: «Kjo dhuratë e Atit të Shenjtë është për mua një nxitje e mëtejshme për t’u bërë mjet i shpëtimit të shpirtrave, në emër të tij. Vetëm në Krishtin gjendet shpëtimi dhe sot bota ka më shumë se kurrë nevojë për këtë lajm».

Të rikthehemi tek Mesha e paharrueshme e djeshme,  që arriti një nga kulmet me ndjekjen e homelisë së kardinalit Angelo Amato, që i sillte popullit shqiptar përshëndetjen atërore të Papës Françesku. Ishin fjalët e Pasardhësit të Shën Pjetrit, Mëkëmbësit të Krishtit mbi tokë, lidhjen e pazgjidhshme me të cilin martirët e paguan me jetë dhe e ripohuan deri në çastet e fundit, kur plumbi ua këputi fjalën, por jo lidhjen me Papën e Romës: “Rroftë Papa!” - ishte një nga brohoritë, që drodhi deri kryqet e varreve, kur Martirët ishin para plotonit: 

E, pas fjalëve të kardinalit Amato, të dëgjojmë fjalët e popullit të Zotit, shtrënguar, dje e sot, rreth Kryqit të Krishtit - në mikrofonin e të dëguarës sonë, Klaudia Bumçi: 

--








All the contents on this site are copyrighted ©.