2016-11-05 12:24:00

Shpallen të Lumë, 38 Martirë: "Si lisa shekullor" busulla të orientimit tonë


Kisha katolike shqiptare në festë, gëzohet për lumnimin e 38 Martirëve të saj. Me Meshën solemne me ritin e lumnimit, sot paradite, në katedralen e Shën Shtjefnit, në Shkodër, nga i dërguari i Papës Françesku, Kardinali Angelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, në bashkëkremtim e me pjesëmarrjen korale të episkopatit të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, diasporës e vendeve të tjera e në praninë autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë, Kosovës, kryetarëve të komuniteteve të ndryshme fetare të vendit e një turme të pafundme besimtarësh e qytetarësh nga të gjitha viset e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Diasporës, u kremtua solemnisht kjo ngjarje historike, kishtare e kombëtare, shpirtërore e shoqërore. Në fjalët e kardinalit Amato gjatë homelisë, shkëlqeu edhe një herë madhështia e flijimit të 38 bijve të Kishës katolike dhe të popullit shqiptar, që dhanë jetën për Krishtin e për Atdheun e lirë.E që nga dita e sotme mund dhe duhet të themi; Martirë shqiptarë, që dhatë jetën për "Fe e Atdhe", na mbroni ne! Amen!

Mbi kremtimin solemn, nga Shkodra,  të dëgjojmë kolegen tonë, Klaudia Bumçi, që e ndjek nga afër këtë ditë të madhe:

Shërbimi Klaudia Bumçit nga Shkodra mbi kremtimin e Lumnimit të 38 martirëve të Kishës shqiptare, 5 nëntor 2016

Sot, të fundmit ishin vërtet të parët: martirët në elter e familjarët e tyre në rreshtat e para të Kishës së Madhe. Festa e jashtëzakonshme në Shkodër, lumnimi i 38 martirëve të parë të komunzimit, dëshmitarë të Krishtit për gjithë Kishën Katolike universale, nis kështu, me perceptimin se “Ata që kaluan provën e madhe” rrinë me të vërtetë në të djathtën e Zotit.

Qyetarët shkodranë,  besimtarë të të gjitha feve, ardhur nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova fqinje e nga Mali i Zi, por edhe nga Kroacia, për don Serafin Kodën e për don Anton Muzajn, nga Gjermania, për don Alfons Trackin dhe për don Zef Maksen, nga Brescia e Italisë, nga Roma e ndërmjet grupit edhe ish-drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, nga Nju Jorku… e grupet nuk kanë të numëruar. Me flamujt e me këngët e tyre, por edhe me lutjet gjatë meshës, që u lexuan në shqip, kroatisht, gjermanisht e italisht. Në gjermanisht lexoi vetë e mbesa e don Zef Maksenit, gjermanit, që u pushkatua më 1946, duke thënë “Des i lumtun, tuj mendue se do të kujtohem prej shqiptarëve si meshtar i fesë së Krishtit”. E ashtu u kujtua sot, si të gjithë të tjerët, që nuk e përlyen rroben me bashkëpunim me komunizmin, por preferuan të hynin në histori si martirë.

Sheshi i Shën Pjetrit ishte zhvendosur në Shkodër. Kisha e Madhe ishte mbushur plot brenda e jashtë e përtej: pleq e të rinj, mbushur sytë me lot, me vetëdijen se kjo është e do të mbetet një ditë e shënuar në histori. Kishin mundur të dalin, për të marrë pjesë, edhe motrat karmelitane, që dalin nga kuvendi vetëm për ceremonitë e Papës; edhe motrat klarise; dalloheshin motrat e Nënë Terezës, që dëshmonin se edhe shenjtorja bamirëse shqiptare ishte aty në këtë ditë të madhe, e pastaj, stigmatinet e Marie Tucit, motër Marie Kaleta, që mallëngjeu Papën Françesku, françeskanët, në oborrin e të cilëve, pema e vuajtjeve dhe e torturave i ushqeu rrënjët e veta me gjak martirësh. Vargu i kardinajve të Kishës Katolike, i ipeshkvijve dhe i meshtarëve dukej sikur nuk mbaronte kurrë. Elteri u ngjye në të kuqen e rrobes së kremtimit, pikërisht si gjaku i martirëve, para të cilëve e ulën sot të gjithë kryet. I dërguari i Papës Françesku, kardinali Angelo Amato, vuri në dukje torturat mizore e kalvarin nëpër të cilin kaluan 38 dëshmitarët e Krishtit, histori të përshkruara edhe nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, kur ia paraqiti emrat e tyre një për një, para se të shpalosej fugurja e imzot Vincenc Prennushit me shokë, krijim artistik i Edmond Papathimiut.

Duartrokitje të stuhishme shoqëruan edhe ftesën e imzot Massafrës në fund të meshës, kur u kërkoi të gjithë besimtarëve të thërrisnin së bashku, ashtu si martirët në çastet e fundit të jetës: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Shqipëria!”.

“Ne – shkruhej në Letrën Apostolike – duke pranuar dëshirën e Vëllait Tonë, Angelo Massafra O.F.M., Arqipeshkëv i Shkodër-Pultit, të shumë vëllezërve të tjerë në Episkopat dhe të shumë besimtarëve, pasi kemi marrë mendimin e Kongregatës së Cështjeve të Shenjtërve, me autoritetin tonë Apostolik, vendosim që Të nderueshmit Shërbëtorë të Hyjit, Vincenc Prennushi, i Urdhërit të Fretërve Minorë, Arqipeshkëv, dhe 37 shokët, martirë të Kishës në Shqipëri, tani e tutje të quhen të Lum dhe që të mund të kremtohet festa e tyre, në vendet dhe sipas rregullave të caktuara prej së drejtës, më 5 nëntor. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen. Papa Françesku”.

Të rinjve iu mbushën sytë me lot, atyre që komunizmin nuk e kanë përjetuar, por e kanë dëgjuar nga tregimet e gjyshërve e të prindërve, nga ata që mbijetuan, siç ishin ata 10 familjarë, që sollën reliket e 10 martirëve në elter, 10 eshtra, para të cilave besimtarët mund të luten e të gjunjëzohen në kapelën kushtuar martirëve, në anën e majtë të katedrales së shën Shtjefnit. Pse 10? Sepse nga të 38-tët, vetëm 10 kanë varr. Të tjerëve nuk dihet ku u kanë rënë kockat. Këtij grupi të vogël u printe me qiri në dorë e bija e Qerim Sadikut, një nga të rinjtë, që edukoheshin ndër jezuitë, të cilët i vranë vetëm pse deshën Krishtin.

“Feja nuk ka vdekur kurrë në Shqipëri”: ishin këto fjalët e kardinalit Angelo Amato, që e përmbledhin më së miri kuptimin e këtij kremtimi në Shkodër dhe jehonën që do të ketë në zemrat mendjet e njerëzve edhe në të ardhmen.

E tani të rikthehemi tek Mesha, për ta ndjekur në disa nga çastet më domethënëse të saj. Ta dëgjojmë Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore, imzot Angelo Massafra, që paraqiti para Delegatit Papnor emrat e 38 martirëve, kandidatë për Lumnim

Një çast tjetër emocionant i këtij kremtimi të lumnueshëm, ishte edhe leximi i Letrës Apostolike të Papës Françesku para gjithë asaj turme. Në Letër pohohej pranimi i kërkesës së Kishës shqiptare për t’i shkruar në Librin e madh të Martirëve, 38 të Lumturit e rinj, duke caktuar si datë kalendarike për festën e tyre liturgjike, 5 nëntorin.

Kështu mund ta dëgjoni programin tonë radiofonik kushtuar shpalljes së Lumnimit të 38-të martirëve të Kishës shqiptare në Shkodër, kremtuar më 5 nëntor 2016 me  fjalët e kardinalit Amato, në homelinë e tij historike...:

1. Është ditë feste sot, e jo vetëm për shqiptarët e pranishëm këtu, në Shkodër, por edhe në shumë qytete të tjera, në Shqipëri dhe jashtë saj. Vetëm dy muaj pas shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, bijë e madhe e tokës suaj, grua heroike, pasqyrë e zemrës së mëshirshme të Hyjit, gjithnjë pranë zemrës së thyer të çdo qeniejeje njerëzore, nevojtare për ndihmë e ngushëllim, lumnimi i 38 Martirëve shqiptarë u kujton të gjithëve se mbi këtë tokë e mira pengohet vazhdimisht prej së keqes. Megjithatë, protagonistët e vërtetë të historisë së njerëzimit nuk janë përndjekësit, por martirët.

Ndërsa përndjekësit davariten, si hijet e zeza, që shuhen përgjithmonë në errësirën e harresës së amshuar, martirët janë pishtarë drite, që shkëlqejnë në qiellin e njerëzimit, duke u treguar të gjithëve fytyrën vërtet të mirë të njeriut, identitetin e tij të thellë si qenie e krijuar sipas shembëllesës e përngjasimit me Zotin.

Megjithëse në ferrin e një përndjekjeje arbitrare dhe të padrejtë, martirët tuaj  treguan para armiqve të tyre të njëjtat ndjenja, mbajtën të njëjtin qëndrim, që pati mbajtur Krishti: falje, besnikëri, qëndresë, vëllazëri, mëshirë. Në këtë mënyrë bëhen busulla, që na orientojnë drejt limanit të së mirës, drejt mbretërisë së Hyjit, që duhet ndërtuar edhe mbi këtë tokë.

Martirët janë dëshmitarët e atij njerëzimi të ri, që nuk mbjell në histori luftëra, përçarje e vrasje të njerëzve të pafajshëm, por paqe, gëzim e vëllazëri, duke lartuar talentet e njëmendta të qenies njerëzore, të krijuar – siç thotë poeti Dante –  «Jo për të jetuar si shtazë, por për të ndjekur virtyt dhe dije».[2]

2. Liturgjia e Fjalës na paraqet tri faza të luftës së amshuar të armikut të Hyjit mbi tokë. Leximi i parë, i marrë prej Librit të parë të Makabejve, flet për popullin e Hyjit, të mposhtur e të poshtëruar prej mbretit Antiok, pushtuesit blasfem, që ndalon flijimet e Tempullit, u lartëson altare dhe tempuj idhujve paganë, djeg librat e ligjit dhe vret gratë e fëmijët. Në këtë stuhi nuk mungojnë heronjtë që i kundërvihen shkatërrimit të kultit ndaj Hyjit të vërtetë. Shkrimi i shenjtë thotë: «Megjithëkëtë, shumica në Izrael ishte e guximshme e qëndroi e fortë e nuk hëngri ushqime të papastërta: më parë zgjodhi vdekjen se të ndotej me ushqime të papastërta e ta thyente Besëlidhjen e shenjtë» (1Mak 1,62-63).

Në Ungjill Jezusi i nxit apostujt të jenë të fortë dhe të guximshëm, kur të dorëzohen në gjyqe dhe të urrehen nga të gjithë për shkak të emrit të tij: «Mos kini frikë – thotë Zotëria – nga ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin» (Mt 10,28).

Shpërblimi për besnikërinë ndaj Zotit shpjegohet në Librin e Zbulesës, i cili flet për lumnimin e atyre që vijnë prej mundimit të madh dhe që i kanë larë veshjet e tyre, duke i bërë të bardha me gjakun e Qengjit. Është turma  e pafundme e martirëve të çdo kombi, fisi, populli e gjuhe, që të veshur me petka të bardha dhe me degë palme në duar, rrinë pranë fronit të Hyjit. Këta «Më kurrë s’do të kenë uri, më kurrë s’do të kenë etje, më s’do t’i djegë dielli as rrezet e tij. Sepse Qengji që është në mes, në fron, Bariu i tyre, do t’i kullosë dhe do t’i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre» (krh. Zb 7,9-17).

3. Mundimi, martirizimi, lavdërimi. Ky është fati që u takoi martirëve shqiptarë. Vuajtjet e tyre shpalosin një faqe tragjike të historisë europiane. Nga njëra anë përndjekësit mizorë, nga ana tjetër martirët e pambrojtur.

Shumë vetë në atë stuhi poshtërimi dhe gjaku pyesnin se ku ishte Hyji. Por qenë vetë martirët ata që u përgjigjën se Zoti ishte me ta, i mbështeste në vuajtje, ngjitej në Kalvar me ta, pësonte me ta, qante me ta. Në martirët shqiptarë Jezu Krishti rijetonte mundimet e veta dhe vdekjen e vet. Jezusi ishte pranë Dom Lazër Shantojës kur u pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945 dhe pranë Dom Ndre Zadejës kur u pushkatua në Shkodër më 25 mars 1945. Po ashtu, më 4 mars 1946, në orën e pushkatimit, Jezusi ngushëllonte jezuitët Giovanni Fausti e Daniel Dajani, françeskanin Gjon Shllaku, seminaristin Mark Çuni, të riun njëzet e një vjeçar Gjelosh Lulashi dhe babain e familjes Qerim Sadiku.

Veçanërisht mizore qe, për shembull, vrasja e Imzot Frano Gjinit, i ngarkuar prej ipeshkvijve katolikë të dialogonte me regjimin në pushtet. Imzot Gjini u arrestua, u akuzua për propagandë anti-komuniste, u torturua dhe pësoi urinë e etjen deri në rraskapitje. I varur në një pemë në oborrin e Sigurimit, u rrah e më pas u hodh në ujërat e zeza. Në fund u ekzekutua më 8 mars 1948 së bashku me 18 vetë të tjerë, meshtarë dhe laikë.[3] Ky guxim mbinjerëzor ishte fryt i hirit të Krishtit që e mbështeste martirin në vuajtjet çnjerëzore të torturave.

Edhe martirët e tjerë – ndërmjet të cilëve arqipeshkvi i Durrëzit, imzot Vinçenc Prennushi – të gjykuar, të dënuar, ndonëse të pafajshëm, të torturuar dhe të vrarë, e ndjenin praninë e Krishtit. Ai ishte pranë tyre. Prej hirit të tij merrnin forcën për ta përballuar me kthjelltësi si dhe me gëzim provën e martirizimit. E dinin se do të kishin pjesë në ringjalljen e Krishtit dhe se gjaku i tyre do të ishte fara për pranverën e Kishës në Shqipëri. 

4. Falë Provanisë Hyjnore, druri i Kryqit, i rrahur prej stuhisë komuniste, sot lulëzoi përsëri me një energji të përtërirë në Shqipëri, sipas shembullit të Krishtit, të kryqëzuar dhe të ngjallur. Kisha – duke kujtuar fjalën e Jezusit: «Nëse më salvuan mua, do t’ju salvojnë edhe ju » (Gjn 15,18-20) – pas shtypjes ka rilindur edhe më e shkëlqyeshme se më parë, e forcuar edhe prej dëshmisë së bijve të vet martirë.

E dimë se feja nuk kishte vdekur kurrë në Shqipëri. Kur mungonin meshtarët, qenë prindërit ata që pagëzuan fëmijët, i mësuan në fe, bekuan martesat. Njerëzit vijuan të luten e të thonë rruzaren. Vizitoheshin muzetë vetëm për të soditur kryqet dhe figurat e shenjta. Shpesh njerëzit shkonin në kishat e braktisura për t’u lutur. Kremtoheshin fshehurazi të kremtet e Krishtlindjeve dhe të Pashkëve. Pavarësisht nga ndalimi i emrave të krishterë, fëmijët shpesh në shkollë thirreshin me emrin shekullar, ndërsa në shtëpi, me atë të pagëzimit. Lexoheshin fshehurazi Bibla dhe librat fetarë.

Pasi kaloi stuhia, më në fund dielli i lirisë shkëlqeu përsëri mbi popullin tuaj të fortë dhe guximtar. Kur mjegulla e terrorit u davarit në vitin 1990 njerëzit filluan t’i uronin përsëri njëri-tjetrit duke buzëqeshur: “Gëzuar Pashkët”. U mbyllën përfundimisht muzetë e ateizmit në Tiranë dhe në Shkodër dhe më 4 nëntor të vitit 1990 u kremtua një meshë në kapelën e varrezave të Shkodrës, pasuar nga Mesha e dytë, me pjesëmarrjen e rreth 50.000 besimtarëve. Më 25 prill 1993 Gjon Pali II bekoi gurin e parë të shenjtërores së Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores së Shqipërisë. Kisha shqiptare, me ipeshkvijtë e vet, meshtarët dhe besimtarët, është si një lis shekullor, që erërat as stuhitë nuk mund ta shkulin, sepse mbetet i rrënjosur fort në fenë e Krishtit.

5. Po si duhet reaguar përballë mujshive të një diktature çnjerëzore e gjakatare? Le të kujtojmë e le t’i bëjmë tonat fjalët e Papës Françesku: «Mos i harroni plagët, por mos merrni hak. Ecni përpara duke punuar me shpresë për një të ardhme të madhe».[4]

Përballë genocidit fetar të diktaturës komuniste të shekullit të kaluar   katolikët duhet të kujtojnë dhe të falin. Kujtimi shërben për të përforcuar ftesën e Jezusit që t’i falim armiqtë, madje edhe t’i duam e të lutemi për përndjekësit. Prej martirëve katolikët duhet të trashëgojnë jo qëndrime urrejtjeje, inati dhe përçarjeje, por ndjenja dashurie, vëllazërie e harmonie. Sot katolikët, duke kujtuar bijtë e tyre martirë, duhet t’i  falin, ata që i  përndoqën, i keqtrajtuan, i vranë. Kjo është dhurata që Kisha katolike i bën me gëzim dhe bindje popullit shqiptar, për ta jetuar me shpirt të pajtuar bashkëjetesën me vëllezërit.

Pas disa ditësh Papa Françesku do të krijojë kardinal Dom Ernest Simonin, meshtar i Kryedioqezës së Shkodrës, që shpëtoi gjallë nga  përndjekjet. Fjalët e tij të para ishin: «Kjo dhuratë e Atit të Shenjtë është për mua një nxitje e mëtejshme për t’u bërë mjet i shpëtimit të shpirtrave, në emër të tij. Vetëm në Krishtin gjendet shpëtimi dhe sot bota ka më shumë se kurrë nevojë për këtë lajm».[5]

Shqipëria, vendi i shqipeve, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeut (1405-1468), të quajtur Athleta Christi nga papa Kalisti III, ka në Nënë Terezën e Kalkutës dhe në Të Lumët Martirë të shekullit të kaluar, heronj të tjerë të lavdishëm të fesë e të atdheut, që përhapin në botë emrin e mirë të popullit shqiptar.

 Martirë të Lum, lutuni për ne!

[1] E mbajtur në Shkodër (Shqipëri) më 5 nëntor 2016. Grupi i martirëve është i përbërë nga dy Ipeshkvij, njëzet e një Meshtarë Dioqezanë, shtatë Fretër Minorë, tre Jezuitë, një Seminarist dhe katër Laikë, mes të cilëve një Aspirante për jetën kushtuar Zotit.

[2] Dante, Komedia Hyjnore, Ferri, Kënga 27 rr. 118-120.

[3] krh. Joseph Ritho Mwaniki, La Chiesa cattolica in Albania, në Jan Mikrut (nën kujdesin e), La Chiesa Cattolica e il Comunismo in Europa Centro-orientale e in Unione Sovietica, Gabrielli Editori, San Pietro in Cariani (Verona), 2016 fq. 40.

[4] Papa Françesku, Vizita baritore në Shqipëri në shtator të vitit 2014.

[5] Krh. Mimmo Muolo, Simoni, dalla tortura alla porpora, në «Avvenire», 11 tetor 2016, fq. 7.








All the contents on this site are copyrighted ©.