2016-11-04 14:55:00

K. Bumçi: Lumnimet e martirëve, atmosferë pritjeje në Shkodër


Pas pak orësh shqiptarët do të kenë 38 martirë të Lum - prandaj edhe lumnojnë, emocionohen, gëzohen e luten, në këtë festë drite, që i hap rrugën shpresave për një ardhmëri më të mirë. Festë, që tregon qartë  siç thote poeti dom Ndre Mjedja,"si ndërrojnë stinët e motit…"..   Për këtë atmosferë pritjeje flet, nga Shkodra, e dërguara jonë  Klaudia Bumçi....

Shkodra gati për lumnimin e 38 martirëve të parë të komunizmit në Shqipëri. Përgatitjet e ethshme përfunduan, duke e zbukuruar si sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit, ashtu edhe rrugët pranë saj me kryqe, me flamujt e Shqipërisë e të Vatikanit, me fotografitë e martirëve, me parrulla ku janë shkruar fjalët e tyre të fundit, por edhe pjesë nga Ungjilli. Pikërisht në këtë vend, kthyer në Pallat sporti gjatë diktaturës, aty ku sot ndodhet shtatorja-simbol e martirizimit dhe rruginat me emrat e martirëve që çojnë tek ajo, njerëzit ndaleshin e bënin fshehurazi një kryq, ndërsa dëgjoheshin nga brenda thirrmat e basketbollistëve dhe të tifozëve.

Ashtu si atëherë, edhe sot, të gjithë janë të vetëdijshëm se ajo ndërtesë ka mbetur përherë Kisha e Madhe, banesa e Zotit. Këtu, nesër në orën 10.00, i dërguari i Papës Françesku, Prefekti i Kongregatës për Cështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, i cili ka mbërritur tashmë në qytetin verior, do të kremtojë meshën për lumnimin e 38 martirëve. Bashkë me të edhe kardinaj të tjerë të Kishës Katolike, ardhur nga vende të ndryshme të botës, si kardinali Bagnasco, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, kardinali Ranier Maria Woelki, ipeshkëv i Këlnit, kardinali Salvatore de Giorgi e kardinali Crescenzio Sepe, ipeshkvi i Napolit, por sidomos kardinali i ri shqiptar, Ernest Troshani. Të shumtë ipeshkvijtë e meshtarët, por edhe besimtarët nga Shqipëria, Kosova e diaspora, që janë mbledhur sot në Shkodër.

Meshës së nesërme i paraprin lutja mbrëmësore e sotme në orën 18.00, në kishën e françeskanëve në Gjuhadol të Shkodrës, ku komunistët patën gjetur armët e vendosura aty prej atyre vetë. Me këtë pretekst patën arrestuar fretërit dhe e patën kthyer kuvendin në burgun famëkeq të torturave të diktaturës.

Sot paradite, mesha shenjte në varrezat e Rrmajt, në orën 9.00, në 26-vjetorin e meshës së parë kremtuar nga don Simon Jubani, kur komunizmi ishte akoma në këmbë. Kësaj radhe, e kremtoi meshën një meshtar i ri, don Gjovalin Simoni, shenjë e vazhdimësisë së Kishës Katolike në Shqipëri, e cila u ringjall nga shkrumbi, me rënien e diktaturës. Pranë tij, don Gjergj Simoni, që pavarësisht nga motet, mbahet i fortë, akoma dëshmitar okular i persekutimit të klerit, ai vetë i persekutuar, por edhe memorie historike pikërisht për meshën e parë pas komunizmit. Duke kujtuar atë meshë, don Gjovalini vuri në dukje se në këtë varrezë, fare pranë kapelës së sotme, u pushkatuan me e pa gjyq meshtarë e laikë katolikë, fajtorë sepse besonin në Zotin e në demokracinë, me bindjen se atë s’mund ta sillnin komunistët. Por ndërsa komunistëve u është harruar emri, ose u kujtohet për të keq, martirët lartohen në nderimet e elterit. E nuk janë dhuratë vetëm për Kishën Katolike shqiptare, nënvizoi don Gjovalini, por edhe për atë universale, që pasurohet kështu me dëshmitarë të mëdhenj të Krishtit. E sa e sa të tjerë, nën dhe në këtë varrezë, të afërm e të dashur edhe të atyre, që kishin ardhur sot në Rrmaj, janë shenjtorë për Zotin, të ngjashëm me martirët, sepse edhe ata vuajtën e hoqën nën diktaturë. Pasi i ftoi besimtarët të marrin pjesë në meshën e nesërme, meshtari i këshilloi ta njohin jetën e këtyre martirëve e ta marrin si shembull për të tyren.








All the contents on this site are copyrighted ©.