Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Kisha \ Kisha shqiptare

Himni i Martirëve shqiptarë

Himni i Martirëve - RV

04/11/2016 11:11

Në pragun e Lumnimit të Martirëve, në Shkodër, u mbajt një koncert kushtuar këtyre dëshmitarëve të fesë e të atdheut që nesër më 5 nëntor do të lartohen në nderimet e altarit, duke u shpallur nga Kisha të Lumë. Mbi koncertin nga Shkodra të ndjekim shërbimin e Klaudia Bumçit....

“Fra Bernardini xhelatët i ka falë, por xhelatët falje s’kanë kërkue”. Fjalët e poezisë së Angjelin Dedës, kushtuar françeskanit të madh, poet, muzikant, bashkëmbledhës i “Visareve të Kombit” me atë Donat Kurtin, sintetizojnë historinë e treguar me tinguj e vargje, në koncertin e orës 17.00 të së enjtes, 3 nëntor, kushtuar martirëve në Kishën e Madhe të Shkodrës, katedralja e Shën Shtjefnit, edhe ai martir, i pari që e dëshmoi Krishtin me gjak. Zërat profesionistë të Korit Prenk Jakova, drejtuar prej vitesh nga Gjon Shllaku, vargjet e poezive të interpretuara me mjeshtëri nga atë Valentin Rroku dhe nga Tomazin Delija (nipi i piktorit të njohur Lin Delija), ansambli i dhomës së Universitetit të arteve në Tiranë, me dirigjent Lorenc Radovanin, koncertmaestri Eugjen Kraja, solistët dhe këngëtarët e çuan publikun, që, megjithë shiun e vazhdueshëm, e kishte mbushur mjaft Kishën, nga himni për martirët, kompozuar nga Gjon Shllaku, në “Ave Marinë” dhe në “Agnus Dei”-n e Prenkë Jakovës, në poezinë “Mars 1945” që seminaristi Mark Cuni ia kushtoi “poetit të ambëlsisë” don Ndre Zadeja, në vargjet e Fishtës e në tingujt e atë Martin Gjokës, për të vijuar me poezi e muzikë kushtuar martires Marie Tuci, por edhe me pjesë nga kompozitorët e mëdhenj botërorë si Bach e Mozart.

Ishte koncert për të lartuar drejt qiellit vlerat e martirëve, që dhanë jetën me emrin e Krishtit në gojë, por ishte edhe denoncim për atë pjesë të shoqërisë shqiptare, që akoma nuk i ka bërë llogaritë me të kaluarën e vet, për ata që “akoma s’kanë kërkuar falje” për krimet e kryera gjatë komunizmit. E prezantuar me shije nga Rajmonda Marko, kjo pasdite u dha të pranishmëve grimca nga jeta e martirëve, u ushqeu shpirtin me tingujt që u thurën atyre lavde, e para se të përfundonte me “Gloria”-n e Vivaldit, i ftoi shkodranët t’i luten së bashku me korin Zojës së Shkodrës, me fjalët aq të dashura të traditës. 

Himni i Martirëve

Për fe e atdhe gjithë jetën punuet,

me kryq e libër hytë në çdo shtëpi,

para xhelatit ju kurr s’u dorzuet,

petkun meshtarit ja ruejtët n’pasterti.

 

Kur para plotonit ju thirrtë “Rrnoftë Shqypnia”

Kjo thirrje e skalitur në çdo zemër mbet

Për ju n’mur të gjakut u shkrue historia

Kur thirrët fuqishëm: “Rrnoftë Krishti Mbret”.

 

Të pafetë rrënuen kisha, shkatrruen Kuvende

Dogjën e vranë pa pasë kurr pendesë

Por feja qëndroi n’çdo zemër e mendje

Se vepra e juej gjithmonë jepte shpresë.

 

N’lumni t’Parrizit në qiellin e lirë

Ju thirri në fron ju pavdeksia

Aty, ju vendin e keni martirë

N’elterin e vet ju mban sot Perëndia.

 

Teksti Angjelin Deda

Muzika: Gjon Shllaku

 

04/11/2016 11:11