2016-11-03 09:00:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: të vizitojmë të sëmurët e t’u çojmë Fjalën e Zotit


Vijojmë sot të reflektojmë mbi veprën e mëshirës “të vizitojmë të sëmurët”, duke nxjerrë në pah një shembull nga Beslidhja e Vjetër e, pikërisht, atë të Isaisë profet, që jo vetëm shkon ta vizitojë Ezekinë mbret, por i çon atij edhe Fjalën e Zotit.

Ezekia dallohet gati nga të gjithë sovranët e tjerë të Besëlidhjes së Vjetër, sepse ishte mbret, që i dëgjonte profetët dhe ndiqte ligjin e Zotit. Ai u impenjua me vendosmëri në shkatërrimin e idhujve kananeas, që kompromentonin fenë e popullit të zgjedhur. Kur u kërcënua nga asirët, Isaia profet e këshilloi të rezistonte e të besonte në Zotin. Mbreti ndoqi këshillën e Isaisë e atëherë, “shkoi engjëlli i Zotit dhe i vrau në fushim… Në mëngjes, kur u ngritën, ishin të gjithë kufoma!” (Is 37,36). Në të njëjtën periudhë, kur Ezekia u sëmur rëndë, Isaia shkoi ta vizitonte, sipas urdhërimit të Tënzot për të vizituar të sëmurët.

Kur ishte pranë tij, Isaia u përpoq ta përgatiste për kalimin në jetën e përtejme. Sipas Midrashit (tekst interpretimi i Shkrimit Shenjt), Ezekia u përgjigj: “Është zakon që kur ndokush shkon për vizitë tek i sëmuri, t’i thotë: u dëftoftë në ty mëshira e qiellit. Pastaj, mbërrin mjeku që i jep këshilla për çfarë duhet të hajë e ti atëherë, pse m’i thua këto gjëra?” E vijoi ta pyeste profetin se ç’faj kishte bërë e pse duhej të vdiste. Isaia iu përgjigj: “Sepse nuk ke përmbushur mizvà-në, kanunin e lindjes së fëmijëve”. Ezekia i tregoi se Shpirti Shenjt e kishte lajmëruar se fëmijët nuk do të ishin të saktë. Isaia e qortoi: “Ç’hyn ti me sekretet e të Mëshirshmit? Ti duhet të veprosh, duke plotësuar kanunin e lindjes së fëmijëve e do të bëhet ajo, që është e drejtë në sytë e Zotit…”. Duke dashur ta ndreqte njëfarësoj punën, Ezekia i kërkoi për grua të bijën, por Isaia i tha se tashmë Zoti e kishte nënshkruar dekretin për të.

Megjithatë, Ezekia nuk u shkurajua e pohoi: “Edhe nëse një shpatë e mprehur mirë mbështetet mbi qafën e njeriut, mos u dëshpëro e beso në mëshirën hyjnore” (Berachot, 10a). Kështu, mbreti u kthye me fytyrë nga muri dhe u lut me shpirt. Cili ishte ky mur? Rabini Yehosua thotë se Ezekia u kthye kah muri i shtëpisë së Rahabës, për të cilën shkruhet: “Shtëpia e saj ishte ngjitur për muri dhe jetonte kapur për murin rrethues” (Jz 2,15). Duke iu lutur Zotit, Ezekia tha: “O Zot i botës! Ajo shpëtoi dy jetë e ti nuk shpëton jetë për të?”.

Rabini Semu’el shkruan se Ezekia u kthye kah muri i Sunamites, siç thuhet në Librin e dytë të Mbretërve: “Po i ndërtojmë një dhomë në terracë” (2 Mbr 4,10). E iu lut kështu Hyjit: “O Zot i botës! Sunamitja përgatiti një dhomë në terracë për Elizeun e ti ia ktheve në jetë birin e vet. Ç’duhet thënë atëherë për etërit e mi, që kanë thurur kaq lavde për Ty?”. Ndërsa Rabini Huma pohon se ai u kthye kah muri i zemrës së vet, siç është thënë: “Digjem përbrenda, përvëlohem! Më mbytën dhimbjet! M’u copëtua zemra!” (Jer 4,19). Duke iu lutur Hyjit, i tha: “O Zot i botës, i pashë dhe i ripashë 240 gjymtyrët, që ke vënë në trupin tim e, vura se se asnjërën prej tyre nuk e kam trajtuar keq. Cili do të jetë atëherë shpërblimi për jetën time?”.

Rabinët thonë se ai i ktheu sytë nga muri i Tempullit, ashtu siç është shkruar: “Ata e ndërtuan pragun e vet përbri pragut tim, gurngulurit e vet përbri gurngulurit tim: kishte vetëm një mjet mes meje e tyre” (Ezs 43,8). E duke iu lutur Hyjit, i tha: “O Zot i botës! Etërit e mi ishin burra të mëdhenj. Megjithatë, ata nuk mundën të luteshin gjithmonë në Tempull, sepse ndjenjën në shtëpi, të ndarë me mur me të. Përsa më përket mua, asnjë mur nuk më ndan nga Tempulli, kur i kushtohem lutjes. Cili do të jetë pra, shpërblimi për mua?”.

Menjëherë, Fjala e Zotit iu drejtua Isaisë profet dhe e ftoi ta vizitonte sërish Ezekinë. Kur mbërriti pranë shtratit të mbretit të sëmurë, Isaia i tha se Zoti i kishte dëftuar se Ezekia do të jetonte edhe 15 vjet të tjera. Ky premtim u shoqërua me një shenjë: hija e projektuar nga dielli në një shkallë, që të çonte në terracën e pallatit, u tkurr nga dhjetë shkallët, mbi të cilat kishte rënë.

Episodi biblik tregon se deri në çastin e fundit, njeriu i sëmurë mund ta lëshojë vetveten në duart e Mëshirës Hyjnore, ndërsa vizitori e ka për detyrë t’ia kujtojë këtë e t’ia çojë të sëmurit Fjalën e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.