2016-11-03 15:05:00

Papa: e tmerrshme të përdorësh emrin e Zotit për ushtrimin e dhunës e të terrorizmit


Papa Françesku u takua sot paradite, në Vatikan, me përfaqësues të feve të ndryshme, ndërmjet të cilëve, të krishterë, hebrenj, myslimanë, budistë e hinduistë, të angazhuar në fushën e veprave të mëshirës. Në qendër të audiencës, mbajtur në atmosferën e Vitit Jubilar, tema e mëshirës.

Vëllazërim pa sinkretizma

Sot është koha e vëllazërimit - tha Papa Françesku - koha që fetë të takohen e të dialogojnë “pa sinkretizma”, që të njihen më shumë e edhe të kuptohen më mirë. Duke folur për mëshirën dhe dhembshurinë, që janë në qendër të mesazhit të krishterë, Ati i Shenjtë citoi një tekst të vjetër taoist, që thotë: “I ngurti e i rrepti i përkasin vdekjes, i buti e i ëmbli, jetës” (Tao-Te-Ching, 76).

Zëri hyjnor jehon në zemrën e çdo njeriu

Çdo traditë vërtetësisht fetare - nënvizoi Papa - e shtyn zemrën të rrahë për ata, që jetojnë në situata të vështira, ata që kanë më shumë nevojë për kujdes,  që janë të sëmurë, të gjymtuar, të varfër, viktima të padrejtësisë, të konflikteve, të emigracionit:

“Jehona e zërit hyjnor i flet ndërgjegjes së secilit, duke e ftuar ta kapërcejë mbylljen në vetvete e t’ia hapë zemrën Atij, që është përmbi ne, që na troket në portën e zemrës; t’ia hapë zemrën atij, që kemi pranë, që na troket tek porta e shtëpisë, duke na kërkuar vëmendje e ndihmë”.

Teknologjia nuk ia shuan njeriut etjen

Njeriu shpesh e harron Zotin e largohet nga i afërmi e nga kujtesa e së kaluarës, e kështu përsërit, në formë edhe më mizore, gabimet e kryera në kohë të tjera. Është drama e së keqes, e zgjedhur lirisht nga njeriu:

“Në një botë të trazuar e me kujtesë të dobët, që rend ankthshëm, duke e lënë pas shumëkënd e pa u kujtuar fare se mbetet pa frymë, kemi nevojë sot, si për oksigjenin, për dashurinë e dhuruar, që e përtërin jetën. Njeriu ka etje për mëshirë e nuk është teknologjia ajo, që mund t’ia shuajë këtë etje: kërkon dashurinë, që shkon përtej ngushëllimit të çastit, një port të sigurt ku ta kryejë lundrimin, një përqafim pa fund, që fal e pajton.

Falja na bën të ngjashëm me Zotin

"Falja - kujtoi Papa - është dhurata më e madhe, që mund t’u bëjmë  të tjerëve, sepse është kjo, që kushton më shumë, e njëkohësisht, kjo që na bën të ngjashëm me Zotin”.

E  tmerrshme ta përdorësh emrin e Zotit për të dhunuar

Papa fton të refuzohen udhët pa cak, udhët e kundërvënies e të mbylljes. E kërkon të mos ndodhë kurrë më që fetë, për shkak të sjelljes së disa ndjekësve të tyre, të transmetojnë një mesazh që stonon, që ta vret veshin, që ndryshon krejt nga ai i mëshirës:

“Për fat të keq nuk kalon ditë që të mos dëgjoj të flitet për dhunë, konflikte, rrëmbime, sulme terroriste, viktima e shkatërrime. Është e tmerrshme që, për t’i përligjur barbari të tilla të përdoret nganjëherë emri i ndonjë feje e deri i vetë Zotit. Të dënohen në mënyrë të qartë këto sjellje të padrejta që e tjetërsojnë emrin e Zotit dhe e mbrapshtojnë kërkimin fetar të njeriut”.

Liria fetare

Ndërsa janë të favorizuar kudo – përfundoi Ati i Shenjtë  - takimi paqësor ndërmjet besimtarëve dhe liria reale fetare. Lidhur me këtë, përgjegjësia jonë përballë Zotit, njerëzimit dhe ardhmërisë është e madhe dhe kërkon çdo përpjekje të mundshme, pa falsitet e oportunizëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.