2016-11-02 17:41:00

Papa në Prima Porta: t’i kujtojmë të vdekurit me shpresën e ringjalljes


Sot, 2 nëntor, Papa Françesku kremtoi Meshën e përkujtimit të të gjithë besimtarëve të vdekur, pranë varrezës romake të Prima Porta, duke nxitur të mendohet për vdekjen, me shpresën e ringjalljes. 

“Jobi – komentoi Papa Françesku – ishte në errësirë. Ishte pikërisht tek porta e vdekjes. Në këtë çast ankthi, dhimbjeje, vuajtjeje, shpalli shpresën: “Unë e di se Shëlbuesi im është gjallë. Ai i sprasmi përmbi pluhur do të ngrihet. Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, për sytë e mi s’do të jetë i huaj!”, na kujton sot njeriu më durimtar, që nuk e humbi durimin as para portës së vdekjes! . Përkujtimi i të shuarve - shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio- ka kuptim të dyfishtë:  trishtimi e shprese. Varreza është e trishtuar, na kujton njerëzit tanë që shkuan, por na kujton edhe ardhmërinë, vdekjen. Por në këto troje të trishta, që janë varrezat, ne çojmë lule, si shenjë shprese e, mund të them, edhe feste, festë që do të vijë më vonë, jo tani. Atëhere trishtimi shndërrohet në shpresë. Kujtojmë njerëzit tanë, para varreve të tyre, dhe shpresojmë. E ndjejmë se kjo shpresë na ndihmon, kur mendojmë se edhe ne do ta bëjmë këtë rrugë! Të gjithë do ta bëjmë! Kush para e kush pas, por pa asnjë përjashtim. Me dhimbje, por do ta bëjmë. Veç, me lulen e shpresës, me fillin e fuqishëm që ankorohet përtej kësaj bote, e që është shpresa e ringjalljes.

“Kush e bëri i pari këtë udhë – vijoi Papa – është Jezusi. Ne ecim mbi gjurmët që la Zoti në këtë udhë. E kush na e hapi portën, është Ai vetë. Ai vetë, Jezusi, me kryqin e tij, na hapi portën e shpresës, na hapi portën për të hyrë atje, ku do të kundrojmë Zotin: “Unë e di se Shëlbuesi është gjallë.  Ai i sprasmi përmbi pluhur do të ngrihet. Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, për sytë e mi s’do të jetë i huaj!”- na kujton Jobi. Të kthehemi sot në shtëpi me këtë kujtim të dyfishtë: me kujtimin e së kaluarës, të njerëzve tanë, që shkuan, e me kujtimin e së ardhmes, të udhës, që na pret. Me siguri, me atë siguri që doli nga buzët e Jezusit: unë do të ringjallem në ditën e fundit!

Në një tweet, Françesku shkruan: “Me fe ndalemi pranë varreve të të dashurve tanë, duke u lutur edhe për të vdekurit, që nuk i kujton më askush”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.