2016-10-31 17:24:00

Papa: deklarata e përbashkët me luteranët, të mos keqpërdoret kurrë më feja


Gjatë kremtimit të Lutjes Ekumenike të Përbashkët, në katedralen luterane të Lund, në Suedi, Papa Françesku dhe Ipeshkvi Munib Yunan, President i LWF, nënshkruan një Deklaratë të përbashkët.

“Rrini në mua e unë në ju”. Si shermendi nuk mund të sjellë fryt nëse nuk mbetet i lidhur me hardhinë, kështu edhe ju, nëse nuk mbeteni në mua” (Gjn 15,4). Ky, lajtmotivi i Deklaratës.

“Me zemrën plot gëzim, përmes kësaj Deklarate të përbashkët, i shprehim mirënjohjen Zotit për këtë çast  lutjeje në Katedralen e Lund, me të cilin nisim përkujtimin e 500-vjetorit të Reformës!”. Këto, fjalët e para të Deklaratës, në të cilën flitet për rrugën e   afrimit, thellimin e mirëkuptimit, përpjekjen për t’i zhdukur ndryshimet, për të thelluar mirëbesimin e për t’u shërbyer njerëzve nevojtarë. Theksohet se dialogu e dëshmia i afruan shumë të dyja palët, duke i bindur se kanë më shumë të përbashkëta, sesa ndryshime, më shumë çka i bashkon, sesa çka i ndan. E pranohet, para Krishitit, se të dyja palët e plagosën unitetin e dukshëm të Kishës. Ndryshimet teologjike u shoqëruan  nga paragjykimet e konfliktet e feja u përdor për qellime politike. Kështu shkruhet në Deklaratën e katolikëve e luteranëve, për të vijuar me pohimin se feja e përbashkët në Krishtin dhe Pagëzimi i përbashkët  kërkojnë nga të dyja palët kthesë të përditshme, falë së cilës duhen lënë pas moskuptimet  e konfliktet historike, që e pengojnë shërbesën e pajtimit. Ndërsa e kaluara nuk mund të ndryshohet, kujtesa e mënyra e të kujtuarit mund të shndërrohen.

Lutemi - vijon Deklarata - për shërimin e plagëve tona dhe të kujtimeve, që e errësojnë vizionin për njëri-tjetrin. Refuzojmë kategorikisht çdo shfaqje të urrejtjes dhe të dhunës, të kaluar e të sotme, posaçërisht kur kryhen në emër të fesë. Sot dëgjojmë komandën e Zotit për të lënë mënjanë çdo konflikt. Pranojmë se u çliruam përmes hirit, për të ecur kah bashkimi, drejt të cilit Zoti nuk pushon së na thirruri e për të dëshmuar së bashku hirin e Tij përdëllyes, dëftuar në Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur.

I nxisim luteranë e katolikë të punojnë së bashku për të mikpritur të huajin, për t’i ndihmuar ata, që detyrohen të ikin nga shtëpitë për shkak të luftës e të persekutimit e për t’i mbrojtur të drejtat e refugjatëve  e të gjithe atyre, që kërkojnë strehim.

Duke u shtrënguar rreth fesë në Krishtin, duke u lutur së bashku e duke e dëgjuar njëri-tjetrin, ia hapim zemrat pushtetit të Trinisë Shenjte, të vendosur për të qenë lajmëtarë të dashurisë së pakufishme të Zotit për mbarë njerëzimin - përfundon Deklarata e përbashkët e katolikëve dhe e luteranëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.