2016-10-29 13:51:00

Papa për shtegtimin në Suedi: nuk mund të jemi katolikë e sektarë


“Nuk mund të jemi katolikë e sektarë”: kështu shprehet Papa Françesku në prag të shtegtimit të tij apostolik në Suedi, më 31 tetor 2016, për të marrë pjesë në përkujtimin ekumenik të 500-vjetorit të Reformës luterane. Në një intervistë të gjatë, dhënë atë Ulf Jonsson, drejtor i revistës së Jezuitëve  suedezë Signum, së bashku me drejtorin e Civiltà Cattolica, atë Spadaro, ndërmjet argumenteve të tjera, Papa prek edhe atë të miqësisë së tij me luteranët që kur ishte fëmijë e edhe më pas, në kohët e shërbesës së tij ipeshkvnore, duke nënvizuar sidomos, rëndësinë që ka “ecja së bashku”, për të mos mbetur të mbyllur në perspektiva të shtangta, sepse kështu nuk  ka mundësi “as të flitet për reformë”.

Shpresa, e me të, edhe pritja, për këtë shtegtim, është që të bëhet një hap afërsie, për të qenë më pranë me vëllezërit dhe motrat e Suedisë. Françesku shpjegon kështu, që në përgjigjen e parë, domethënien e vizitës së tij  më Lund e Malmö, për 500-vjetorin e Reformës. Largësia të bën të marrësh sëmundjen e ndasisë - shpjegon Papa - e në vijim fton për t’u lartuar, që të mund ta takojmë tjetrin. Françesku përshkon me kujtesë  “kapitujt “ e marrëdhënieve të tij me luteranët në rrjedhë vitesh, një herë si kryeipeshkëv i Buenos Ajres, pastaj si Papë, duke kujtuar vizitën e 2015-tës të Primates së Kishës suedeze, Antije Jeckelén, në Vatikan. Qe i madh, fjalimi i saj, kujton akoma Papa, për t’i quajtur më pas, të bukura  e të thella pyetjet për ndërbashkim, që i drejtuan një fëmijë e një grua gjatë vizitës që ai vetë i bëri kishës luterane të Romës.

Reforma dhe Shkrimi Shenjt janë dy gjëra që Kisha e Romës duhet t’i mësojë nga tradita luterane, nënvizoi Papa, i cili në vijim shpjegon se ai i Luterit ishte gjest i një reforme, në një çast të vështirë për Kishën. E, në vend që të bëhej proces reforme në mbarë Kishën, u bë shkas për përçarje. Luteri bëri edhe hapa të mëdhenj për ta vënë fjalën e Zoti në duart e popullit, shpjegon akoma Papa, duke saktësuar se kërkesa për reformë ishte e gjallë dhe e pranishme edhe në diskutimet e Kongregacioneve të përgjithshme të konklavit.

Dialogu teologjik duhet të vijojë: kjo, ftesa e Françeskut kur, në vijim të intservistës, kujton se do të jetë Papa i dytë që shkel në Suedi, pas Gjon Palit II, i cili ishte këtu më 1989 dhe nënvizon se që asokohe lëvizja ekumenike u duk se e humbi gjallërinë, me praninë e pengesave të reja. Françesku kujton edhe sukseset e arritura në vite, me një kulm, në dokumentin e madh ekumenik mbi shfajsimin. Pa i mohuar vështirësitë, që lidhen me çështje teologjike, Papa shikon në lutjen e përbashkët dhe në veprat e përbashkëta të mëshirës, në favor të të sëmurëve, të të varfërve e të të burgosurve, një formë të lartë e të frytshme dialogu. Rëndësi ka të punojmë së bashku e jo sektarisht, shpjegon, duke pasur gjithnjë parasysh se prozelitizmi është sjellje mëkatare e duke kujtuar se ekziston një ekumenizëm gjaku.

Të shumta, pyetjet që ju bënë Papës, nga terrorizmi në emër  të fesë, të cilin Françesku e quan “blasfem” e “satanik”, tek terrorizmi i përgojimeve, i thashethemeve, ves tjetër, i vështirë për t’u çrrënjosur; nga dhuna, që kërkon kthesë të fortë, tek idhujtaria, “feja e rreme”, parë si fe e gabuar. Intervista, pas shqyrtimit të imtë të fakteve më dramatike të kronikës ndërkombëtare, si situata në disa zona të Lindjes së Mesme, “tokë martirësh”, thekson Françesku, duke kujtuar Sirinë e martirizuar e gjakun martirëve, “farë e të krishterëve të rinj”, përfundon duke u rikthyer tek shtegtimi në Suedi, për t’i kërkuar bashkësisë së vogël katolike të këtij vendi, përbërë prej emigrantësh nga të katër anët e botës, ta jetojë fenë dhe dëshminë “me shpirt të hapur ekumenik”, sepse “nuk mund të jesh katolik e sektar”. Papa, pra, fton “për të ecur së bashku, për të mos mbetur të mbyllur në perspektiva të shtangta, sepse në to nuk ka mundësi reforme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.