2016-10-27 13:34:00

Ndërroi jetë, në Shkodër, motër Pina Shestani


Më 21 tetor 2016, ndërroi jetë, në Shkodër, motra stigmatine, Pina Shestani (Shirokë, 10. 08. 1925 – Shkodër 21 tetor 2016), një nga shtatë propandat, që përgatiteshin të bëheshin murgesha, kur komunistët e mbyllën kuvendin e motrat u shpërndanë si mundën e ku mundën. Ishin shtatë kandidate të reja për jetën stigmatine; shtatë filiza të rinj, shtatë ëndrra: Marieta - Martirja, të cilën të shtunë, më 5 nëntor, do ta shikojmë të lartuar në nderimet e elterit; Margarita-muzikantja; Xhixha-kandidatja për fakultetin e mjekësisë; Gjorgjina-gjeneralja e Krishtit; Adelaidja-rrobaqepsja dhe motra e françeskanëve të përndjekur; Maria-ajo që e bëri të qajë Papën Françesku më 21. 08. 2014, kur pati fatin ta takojë në Tiranë, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Shtatë vasha, që u plakën duke pritur festën e madhe të dhurimit të plotë të jetës në dorë të Krishtit. E i qëndruan besës së dhënë një herë e përgjithmonë.

Mes tyre, Pina. E lindur në Shirokë, më 10. 08. 1925, u rrit në prehërin e stigmatineve, që në Fshatin e Peshkatarëve kishin një shtëpi e një shkollë. Aty e kalonte gjithë ditën shiroksja e vogël: herë lagte lulet me motër Kandidën, herë qëndiste me motër Gjyzepinën, herë ulej me libra e fletore pranë Nënë Feliçianës... Dhjetë vjeçe vendosi të hyjë në kuvend, ku vijoi edhe mësimet. Si kaloi me sukses të gjitha provimet shkollore, nga fillorja, në lice, gjithnjë në gjirin e stigmatineve, françeskanët e dërguan në Firence, në Istituto magistrale, për të kryer studimet e larta, së bashku me motër Lorencina Lecin e Imakolata Tedeskinin. Do të ishin të parat pedagoge të specializuara në degë të ndryshme të dijes, për shkollën e mesme drejtuar nga stigmatinet, në Shkodër. Po jeta e saj u përmbys. Më 1944, në kulmin e luftës, së bashku me studente të tjera shqiptare, përshkoi me tren gjysmën e kontinentit në flakë e u kthye në Tiranë, ku deshi, por nuk mundi, ta vijonte shkollën e lënë përgjysëm... Pastaj u rikthye në Shirokën e saj. Nuk pranoi të punonte mësuese në rrethinat e Korçës dhe, falë ndërhyrjes së të sajve, mundi të siguronte një vend në Dajç të Zadrimës. Pati fatin të njihej me familjen e dom Prenkë Ndrevashajt, që asokohe punonte mesues e që më pas u arratis. Pina vuajti shumë shpirtërisht. Komunistët bënë çmos ta afronin, t’ia shlyenin çdo gjurmë të thirrjes. U duhej fort një murgeshë, që do ta mohonte fenë publikisht! Një murgeshë, që do ta fyente publikisht Kryqin para gjithë popullit! Vlente më shumë se një thesar për ta. Pastaj deshën ta bënin t’u printe atyre, që u nisën, si hordhitë e Atilës, për të mbyllur kishën e katundit e për të thyer kryqet e varreve.  Për fat, dikush e paralajmëroi e, kur erdhën ta merrnin, nuk e gjetën aty. Pastaj don Prenka u arratis e Murgeshën e thirrën menjëherë në hetuesi. Duke dashur ta trembnin, e akuzuan për çështje nderi. Ajo ishte e ndrojtur për natyrë, nuk ishte heroinë. Po kur dëgjoi shprehjet vulgare, me të cilat i drejtoheshin, gjegji me një guxim, që i vinte së larti: “Mos harroni se jam murgeshë, nuk jam shoqja juej!”.

Probanda vijoi të jetojë në heshtje,  e patundur në besën që i kishte dhënë Zotit, derisa, më në fund, e kurorëzoi ëndrrën e saj: iu kushtua krejtësisht Krishtit, duke vënë tek këmbët e elterit, lulen e fundme të jetës, shoqëruar me lutjen, shkruar nga motra-poete Lorencina, që e përsëritën një nga një probandat para Zotit:

"Panoje , pra, lulen

e fundit të jetës sonë!

Me lulet ma t’fresktat,

n’duer tueja t’ lulëzojë”.

Edhe një dëshmitare e kohëve heroike shkoi, duke na lënë pas shembullin e shkëlqyer të jetës së saj, e edhe disa intervista, që e përjetësojnë këtë shembull. 








All the contents on this site are copyrighted ©.