2016-10-26 15:03:00

Selia e Shenjtë – Vietnami: liria fetare në qendër të takimit


Duke vënë në jetë marrëveshjet e arritura nga Takimi i pestë i Grupit të përbashkët të punës Vietnam-Seli e Shenjtë në Hanoi (shtator 1914), u mbajt në Vatikan, nga 24 deri më 26 tetor, takimi VI i këtij grupi. Takimin e kryesuan bashkërisht kryetari i delegacionit vitnamez, zoti Bui Thanh Son, zëvendës-Ministër i Përhershëm i Punëve të Jashtme dhe imzot Antoine Camilleri, zëvendës-sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Të dyja palët shkëmbyen gjerësisht mendime për çështjet, që kanë të bëjnë me Kishën katolike në Vietnam.

Pala vietnameze pohoi se vërehet një përmirësim i vazhdueshëm dhe konkret në planin ligjor e politik si përsa i përket promovimit dhe mbrojtjes të lirisë së besimit e të fesë të qytetarëve, ashtu edhe inkurajimit të vazhdueshëm të pjesëmarrjes së Kishës katolike në problemet kombëtare, që kanë të bëjnë me zhvillimin shoqëroro-ekonomik.

Selia e Shenjtë, duke ripohuar lirinë e Kishës për ta çuar përpara misionin, për të mirën e mbarë shoqërisë, vlerësoi qeverinë vietnameze për vëmendjen që po i kushton nevojave të Kishës katolike, siç e dëshmoi, kohët e fundit, përurimi i Institutit Katolik të Vietnamit, si dhe për asistencën në organizmin e ceremonive dhe të ngjarjeve të rëndësishme kishtare.

Të dyja palët u morën vesh që Kisha katolike në Vietnam të vijojë të frymëzohet nga magjisteri i Kishës lidhur me praktikën e të jetuarit të Ungjillit  brenda kombit, duke qenë besimtarët e saj njëkohësisht katolikë e qytetarë të mirë. Pasi u ripohua se Papa Françesku interesohet shumë për zhvillimin e marrëdhënieve Vietnam-Seli e Shenjtë, Selia Apostolike uron që bashkësia katolike të vijojë të japë kontributin e saj të çmuar, në bashkëpunim me autorët e tjerë të shoqërisë vietnameze.

Të dyja palët  pohuan se marrëdhëniet Vietnam - Seli e Shenjtë vijojnë të përparojnë përmes takimeve e këshillimeve të rregullta, shkëmbimit të delegacioneve të nivelit të lartë dhe vizitave të vazhdueshme baritore të Përfaqësuesit dhe të dërguarit të posaçëm jo rezident papnor në Vietnam.








All the contents on this site are copyrighted ©.