2016-10-26 18:17:00

Papa në Suedi. Koch: rizbulohet çka i bashkon katolikët me luteranët


Pritet me shumë interes shtegtimi i Papës Françesku në Suedi, më 31 tetor e 1 nëntor, me rastin e Përkujtimit të përbashkët historik luterano-katolik për 500-vjetorin e Reformës. Hollësirat e shtegtimit të 17-të apostolik të  Françeskut, ua paraqiti sot paradite gazetarëve, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Greg Burke.

Ngjarje e padëgjuar në historinë e krishterë: për herë të parë Federata Luterane botërore dhe Kisha katolike përkujtojnë së bashku, më 31 tetor, në Malmö e Lund të Suedisë, 500-vjetorin e Reformës, që bie më 2017. Qëllimi është të kujtohen dhuratat e Reformës dhe të kërkohet falje për ndarjen e vazhdueshme të të krishterëve të dy traditave, duke vënë në dukje udhën e dialogut ekumenik përshkuar në 50 vitet e fundit nga katolikët e luteranët, siç e shpreh më së miri edhe motoja e këtij shtegtimi – nënvizoi Greg Burke:

Përgjigje: -  “From Conflict to Communion: Together in Hope,…

Nga konflikti, në bashkim: së bashku në shpresë”, gjë që do të thotë se Papa në këtë rast mori ftesë si nga Kisha katolike, ashtu edhe nga qeveria suedeze e nga Federata luterane botërore.

Dy ditë të ngarkuara me ngjarje: nisin me arritjen e Papës në orën 11.00 të datës 31, në aeroportin e Malmö. Pas pritjes nga kryeministri suedez, Papa do të vizitojë familjen mbretërore në pallatin e Lund. Pasdite, lutja ekumenike e përbashkët në Katedralen luterane e, akoma, zhvendosja me automobil, në arenën e Malmö, ku do të mbahet takimi publik me 30 delegacione luterane”.

Këtu Françesku, si shenjë e natyrës ekumenike të shtegtimit - komentoi Burke - do të vijojë vizitën, gjithnjë me automobil, së bashku me kardinalin Kurt Koch, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të krishterëve, me kryetarin e Federatës botërore luterane, ipeshkvin Munib A. Younan si dhe me sekretarin e përgjithshëm, të nderuarin Martin Junge, i pranishëm në takim. Këto, fjalët e tij:

Përgjigje: - We understand, because of our dialogues, because the trust that has grown among us…

Ne jemi  të mendimit se, falë dialogut tonë, falë besimit, që u krijua ndërmjet nesh, falë edhe faktit që qemë të aftë t’i kapërcejmë disa nga pengesat e ndryshimeve tona doktrinore, tashmë janë pjekur kushtet për të provuar kalimin nga konflikti, në bashkim.

Më 1 nëntor, Festa e Gjithë Shenjtorëve, Françesku do të kremtojë Meshën,  gjithnjë në Malmö, me bashkësinë e vogël katolike suedeze, para se të rikthehet në Romë, ku pritet rreth orës 15.30. Të mëdha, shpresat për frytet e kësaj ngjarjeje, u tha kardinali Kurt Koch gazetarëve:

Përgjigje: - Në të kaluarën kemi pasur qindvjetore konfesionale, me ton pakëz triumfalistik e polemik nga të dyja palët. Sot duhet ta bëjmë këtë së bashku. E nuk po kremtojmë vetëm 500-vjetorin e  reformës, por edhe 50-vjetorin e dialogut ndërmjet luteranëve e katolikëve. Ky ishte dialogu i parë dypalësh, që nisi Kisha katolike menjëherë pas Koncilit, më 1967, e kjo është edhe një shenjë mirënjohjeje. Mundëm të rizbulojmë gjithçka është e përbashkët ndërmjet luteranëve e katolikëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.