2016-10-26 14:15:00

Papa: duajeni Rruzaren, lutje e thjeshtë, që ngushëllon mendje e zemër


Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku, duke kujtuar se tetori është muaj kushtuar Rruzares, i porositi besimtarët ta thonë këtë lutje. E edhe kur të përfundojë ky muaj, natyrisht!

Në një tweet pak ditë më parë, Françesku pati kujtuar: “Rruzarja është lutja, që e shoqëron gjithnjë jetën time; është lutja e të thjeshtëve e edhe e shenjtorëve. Lutja e zemrës sime”. Sot shpjegoi se Rruzarja është përmbledhje e Mëshirës Hyjnore:

“Në misteret e Rruzares, me Marinë, kundrojmë jetën e Jezusit, që rrezaton mëshirën e vetë Atit. Të gëzohemi nga dashuria e tij e nga falja e Tij, ta mikpresim në të huajtë e nevojtarët, të jetojmë ditë për ditë me Ungjillin e Tij”.

Në përfundim Papa, duke përshëndetur, si zakonisht, të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, pohoi:

“Kjo lutje e thjeshtë mariane ju tregoftë ju, të dashur të rinj, udhën për të kuptuar vullnetin e Zotit në jetën tuaj;

duajeni këtë lutje, të dashur të sëmurë, sepse ajo ngushëllon mendje e zemër;

u bëftë për ju, çifte të sapomartuara, çast i zgjedhur intimiteti shpirtëror në familjen tuaj të re!

Papa Françesku i dhuron kujtdo, që takon, një Rruzare. Zoja – tha një herë gjatë një bisede - është gjithnjë pranë bijve të saj, prej këndej, na vjen menjëherë në ndihmë, kur ia kërkojmë mbrojtjen. Ajo nuk na lë kurrë të presim. Vrapon. Është Zoja e gatishmërisë, gati gjithnjë për të shërbyer!








All the contents on this site are copyrighted ©.