Lexo artikullin Shko tek menyja

rrjete shoqërore:

RSS:

Radio Vatikani

zëri i Papës dhe i Kishës në dialog me botën

Gjuha:

Vatikani \ Ngjarje

Kardinali Müller Radio Vatikanit: ju tregoj Françeskun dhe Benediktin XVI

Papa Françesku e Benedikti XVI - ANSA

25/10/2016 12:45

“Benedikti e Françesku. Pasardhës të Pjetrit në shërbim të Kishës”. Eshtë titulli i librit, shkruar nga kardinali Gerhard Ludwig Müller, shtypur nga botimet Ares, këto ditë në librari. Prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë ndalet posaçërisht tek figurat e dy Papëve, tek reforma e Kuries Romake e akoma, tek vepra teologjike e Joseph Ratzinger dhe tek “Kisha e varfër, për të varfërit” e Papës Françesku. Për temat që prek libri, Hirësia e Tij Gerhard Ludwig Müller i dha një intervistë ekskluzive Radio Vatikanit:

Të dy janë pasardhës të Shën Pjetrit! E këtë është shumë e rëndësishme ta shikojmë sipas teologjisë sonë: Papa nuk është drejtpërdrejt pasardhës i Papës së mëparshëm - por çdo Papë është Pasardhës i Shën Pjetrit dhe përfaqëson detyrën e madhe, që ia ka caktuar Jezu Krishti. Prandaj çdo Papë, në personin e tij, merr mësime nga vetë Jezu Krishti.

Sipas jush, cila është nxitja që i dha Benedikti XVI besimit tonë në Krishtin? Ç’e karakterizon posaçërisht Papninë e tij?

Papa Benedikti shkroi librin kushtuar Jezusit të Nazaretit e - siç e dimë - kjo ishte dëshmi, ishte besojma e fesë së Shën Pjetrit. Shumë njerëz thoshin se Jezusi ishte profet. Pjetri, në vetjen e Kishës, falë një zbulese të Atit qiellor, tha: “Ti je Krishti, Mesia”. E kjo përbën edhe bërthamën e misionit papnor! Ky libër nuk është vetëm punë private: çdo profesor ka shkruar tema të ndryshme të teologjisë të filozofisë…Është pothuajse bërthama e Parisë, sepse kemi nevojë për një Pari vetëm për këtë, për t’i mbledhur besimtarët në të njëjtën fe. Feja nuk është përmbledhje bindjesh, idesh, por qendër e fesë: është Vetja e Jezusit, Hyj i vërtetë e Njeri i vërtetë.

Një nga kapitujt e librit i kushtohet “Kishës së varfër për të varfërit”, Kishës që  parapëlqen, që zgjedh në radhë të parë të varfërit. Pse kjo temë, që Papa Françesku e vuri në qendër të vëmendjes në papninë e tij i tërhoqi e vijon t’i tërheqë fort edhe ata, që nuk janë katolikë?

Kjo shprehje “parapëlqim i të varfërve”, nuk është e vetmja, është për të varfërit, por edhe për të rinjtë. Shprehja i ka rrënjët në Koncilin II të Vatikanit, në Gaudium et Spes e edhe në Doktrinën Shoqërore të Kishës. Nuk ka rënë, sigurisht, si yll nga qielli, por vjen nga bërthama, nga qendra e misionit të Kishës. Natyrisht ipeshkvijtë, meshtarët, laikët  e Amerikës Latine e kanë këtë parapëlqim, sepse për ta këto tema janë urgjente, më urgjente se në viset tona evropiane ose se në Amerikë. Papa Françesku thotë gjithnjë: “Çka ne, si Kishë, mund t’u japim të varfërve, është kryesisht Ungjilli, ky lajm i ri; lajmi se Jezusi vdiq e u ngjall për të gjithë njerëzit. Si pasojë, ne duhet të merremi edhe me zhvillimin e gjithanshëm të të gjithë njerëzve, sepse të gjithë kanë të drejtë të marrin pjesën e tyre të të mirave materiale, kulturore, shoqërore të njerëzimit. Papa Françesku e hapi përsëri këtë faqe, duke na bërë ta shikojmë drejpërdrejt e konkretisht.  Kjo është sfida e madhe, që ekziston në mbarë botën. Mendoj se pikërisht për këtë Papa Françesku gëzon nderimin e të gjithëve. Kjo është rëndësia e tij e roli i tij.

Në Kapitullin e fundit të librit gjindet një fjalim mbi kriteret teologjike për reformën e Kishës e të Kuries Romake. Çfarë vendi zë, në këtë kontekst, ky fjalim kushtuar procesit të reformës, që u duk qartë që në fillim të Papnisë së Françeskut?

Të gjithë flasin prej shumë kohe për një reformë të Kuries Romake ose të Kishës, por është e nevojshme ta dallojmë nga reforma e një enti njerëzor: këtu bëhet fjalë për Kishën, Kisha u themelua nga Jezu Krishti e, prandaj, është vepra e Zotit, opus di Dio. E ne nuk jemi në gjendje ta reformojmë Kishën si të ishte një objekt në duart tona. Prej këndej, kur flitet për Kurien Romake, në radhë të parë duhet ditur çfarë është. Kuria Romake nuk është ndonjë aparat burokratik, që administron Kishën: kështu mund të gjykohet sipas mendësisë së botës! Bëhet fjalë, para së gjithash, për një reformë shpirtërore, në të cilën përshpirtëria i nxit e i motivon të gjithë pjesëmarrësit që punojnë në Kurien Romake. Reforma e Kuries: shumëkush, e sidomos gazetarët, flasin posaçërisht për reformën në kuptimin e organizimit të ri të jashtëm, po kjo ka rëndësi të dorës së dytë. Reforma parësore është ajo e shpirtit, parë si shpirt shërbimi, shpirt mirëpritjeje. Në këtë kuptim kemi nevojë për reformën e Kuries. Vetë Papa  ka folur jo vetëm për reformën e Kuries, por edhe për reformën e mbarë Kishës, të të gjitha ipeshkvnive, vikariateve, dioqezeve të ndryshme…Është e nevojshme të kemi një shpirt të ri, jo vetëm në burokraci e në administrim. Si quhen anëtarët e Kuries? Quhen  punonjës të një organizate, apo përfaqësues të Kishës, që është Korpi i Krishtit, tempulli i Shpirtit Shenjt, Popull i Zotit? Ati i Shenjtë e ka nënvizuar, për gjithë Kurien Romake, për çdo Kongregatë, rëndësinë e ushtrimit të lutjes, bashkimit me Zotin, me Jezu Krishtin, parë si burim, nga i cili vjen shpirti ynë.

 Cilat janë dhuratat më të mëdha, që na dhanë e vijojnë të na japin Papa Françesku e Papa Benedikti XVI?

 Të gjithë e dimë se Papa Benedikti është teolog i nivelit të jashtëzakonshëm, por nuk është vetëm teolog, nuk mund të bimë në këtë cliché. Nuk është thjesht “profesor gjerman”! Ka shumë përvojë në punën baritore. Ka shkruar shumë libra kushtuar përshpirtërisë, sfidave të mëdha të jetës moderne. Ka shkruar, ka predikuar e ka dhënë shpjegime të një niveli shumë të lartë edhe intelektual, e kjo do të thotë se krishterimi ka intelektualitetin e vet. Ne jemi në gjendje t’u japim përgjigje të gjitha pyetjeve që ekzistojnë në nivelin e Logo-s, nuk jemi fe ndjesish, fe sipërfaqësore, por fe që hyn drejtpërdrejt në të gjitha çështjet ekzistenciale të njeriut. Papa Françesku vjen nga Amerika Latine, një rajon i madh i fesë katolike që prej 500 vjetësh, me shumicë besimtarësh katolikë. Është mirë që kjo përmasë kulturore e katolicizmit të hyjë në katolicizmin universal, për ta kapërcyer paksa eurocentrizmin…Në këtë botë të globalizimit, të universalitetit, është shenjë e mirë e ne mund ta interpretojmë si shenjë të Shpirtit Shenjt faktin që papët nuk vijnë vetëm nga Evropa, ose nga disa vende evropiane. Kombësia nuk të pengon të bëhesh kandidat për Papninë… Shpirti Shenjt është i lirë të zgjedhë, nëpërmjet kardinajve.

25/10/2016 12:45