2016-10-23 00:00:00

Atë Gjergj Fishta mbush sot 145 vjet (Fishtë, 23 tetor 1871)


Duke kujtuar sot përvjetorin e 145-të të ditëlindjes së Atë Gjergj Fishtës OFM, rilindin në kujtesë një mori hollësirash, ngjarjesh, faktesh; kujtohen iskra të paharrueshme nga veprat e Fratit të Madh. Rikthehemi tek një jetë, e një vepër, që ka pushtuar kohët. E njohësit e historisë së Shqipërisë, përplot me gjeratore të rrezikshme, të cilat përpinë njerëz, ngjarje, vepra e plane - të mëdha e të vogla - nuk mund të mos e pyesin veten: “Si është e mundur që një vepër, e shkruar më se një gjysëm shekulli më parë, të tingëllojë kaq aktuale e të nxisë kaq shumë ngacmime të forta ndërmjet dashamirëve e kundërshtarëve? Nuk ka asnjë dyshim se kjo është pasojë e ndikimit të fjalës së Artistit të madh, e talentit dhe mjeshtrisë së tij. Por jo më pak, edhe  e rrethanave historike, mbetur pezull në kohë, që krijuan përngjasime, të cilat të shtyjnë vetvetiu të thuash - duke lexuar veprën e Fishtës: “Jetojmë njëlloj, si atëherë... vargjet e tij tingëllojnë, si të ishin shkruar për sot!”. E të duket se pak e aspak ka ndryshuar palca e jetës ndër shqiptarët e rrethuar nga të huajtë, gjithnjë mes ngatërresave të Ballkanit e të diplomacisë, asaj diplomacie evropiane, që Poeti i madh e gjuajti me breshëri predhash tejet të forta poetike, pa harruar ta ruajë një pjesë të arsenalit edhe për të vetët. Mjafton të citojmë këtu kushtimin që i paraprin satirave të veprës së famshme “Nikolejda”, për ta kuptuar sa atdhetar ishte Fishta:

“Popave katolikë, shqiptaro-shkje/ Tre devetikozhave dinarofilë, / të cillt/ Natën e Kshndellave të vjetës MCMXXIV(1924)/ lidhë besë e fe me do turq shqiptaro-aziatikë/ i prinë anmikut të njimijë vjetve / shkjaut/ edhe e qiten mbrendë në Shqipni/ Xuerën katolikët prej Asambleje e qeverie kombëtare/ shkaktuen vrasjen e Luigj Gurakuqit/ dëbuen e burgosën/ ipeshkvij, priftën, fretën, parinë katolike/ e / fikën Atdhenë/ nepër konçesione, banka, uha, “jebrikë”/ ketë tubë hithash/ Gegë Toska/ me neveri/ falë, truen, kushton!”. Shkodër , 10 gusht 1926”.

Penda fishtjane godiste, kështu, çdo forcë të vendit a të huej, që i kundërvihej  Shqipërisë, shqiptarit, shqiptarizmit!  Mjafton të shfletosh sot poemthin satirik “Makeronjana” si dhe satirat “Në dekë të Frano Krispit”; “Kur pata kenë bâ papë”; “Dreqent e Dom Ndreut”, “Vegim”... që të bindesh për këtë. E të ndalohesh posaçërisht, jo pa habi, te koha kur u krijuan, tek viti 1940, një vit pas pushtimit fashist. Pikërisht në këtë kohë Fishta – që tash së voni po sulmohet përsëri – e vë në “bisht të lahutës” Francesco Crispin, duke e ditur fare mirë se Musolini e vlerësonte si pararendës të politikës së tij pushtuese. E, po në këtë kohë, Poeti Kombëtar përgatiste botimin e pesë vëllimeve me veprat e tij të zgjedhura, ndërmjet të cilave kishte edhe vargje që, në satirën e titulluar  “Vegim” ia vë në gojë vetë Zotit: “Palè, paskan kujtue/ se mue shqiptarët pa hiri/ më paskan ra prej strajcet/ a ndoshta se janë fieri/ me i shkelë çdo sharlatan/ vorbaxhi italjan//...

E këto vargje nuk do t’i botonte privatisht. Diku larg trojeve, ku ngadhënjente fashizmi, a mbyllë në provinçën e vet, por përmes Akademisë së Shkencave të Italisë të cilën, për fat të keq, akademikët shqiptarë vijojnë ta shikojnë me syrin e asaj, që punoi nën thundrën e përdhunës, ku bënë a bëjnë pjesë.

Atë Gjergji mbush sot 145 vjet. E kremton edhe këtë përvjetor me një festë madhështore, të ndriçuar nga fishekzjarret e polemikave, që mbushin kështu edhe faqet, gjithnjë të uritura, të gazetave. S’ka festë më të bukur për Homerin e fundmë të letërsisë botërore! Vërteton, kështu, se nuk e ka aspak në mend të vdesë e të harrohet. E vërteton këtë edhe bibliografia e pafundme e shkrimeve, kushtuar Poetit Kombëtar, 145 vjet pasi Ati i Gjithëpushtetshëm ia bëri dhuratë vendit të tij të vogël, që kishte aq shumë nevojë për një mbrojtës të kalibrit të tij. Ky është Atë Fishta: Njeriu që u bë “Shkëmb i tokës e shkëmb i shpirtit shqiptar”!








All the contents on this site are copyrighted ©.