2016-10-22 14:05:00

Françesku kujton thirrjen “Mos kini frikë” të Gjon Palit II


Gjatë audiencës jubilare, Papa kujtoi se sot (22 tetor 2016) bie festa liturgjike e Shën Gjon Palit II. E, duke përshëndetur shtegtarët polakë, tha:

“Të dashur motra e vëllezër, pikërisht tridhjetë e tetë vjet më parë, pothuajse në këtë orë, në këtë Shesh kumbonin fjalët, drejtuar njerëzve të botës mbarë: “Mos kini frikë! (…) Hapjani, madje në të dyja kanatat, portat Krishtit!”. Këto, fjalët që shqiptoi në fillim të papnisë së tij Gjon Pali II, Papa i përshpirtërisë së thellë, plazmuar nga trashëgimia mijëravjeçare e historisë dhe e kulturës polake, transmetuar me frymën e fesë, prej breznie në brezni. Kjo trashëgimi qe për Të gurra e asaj shprese, e asaj fuqie, e atij guximi, me të cilin e nxiste botën t’ia hapte plotësisht portat Krishtit. Kjo ftesë u shndërrua në atë shpallje të paprerë të Ungjillit të mëshirës për botën e për njeriun, vijim i së cilës është ky Vit Jubilar. Sot dëshiroj t’ju uroj që Zoti t’ju japë hirin e ngulmimit në këtë fe, në këtë shpresë, në këtë dashuri, që e morët nga të parët tuaj e që e ruani me kujdes në zemrat e mendjet tuaja! Jehoftë përgjithmonë thirrja e Bashkatdhetarit tuaj të madh për të zgjuar në ju fantazinë e mëshirës, që të mundni, kështu, t’ua çoni dëshminë e dashurisë së Zotit të gjithë atyre, që kanë nevojë.

Së fundi, duke përshëndetur të rinjtë, të sëmurët e të sapomartuarit, Papa i ftoi ta ndjekin shembullin e Gjon Palit II:

“Dëshmia e tij e patundur e fesë qoftë mësim për ju, të dashur të rinj, që të mund t’u bëni ballë sfidave të jetës;

në dritën e mësimit të Tij, të dashur të sëmurë, rrokeni me shpresë kryqin e sëmundjes;

kërkojeni ndërmjetësimin e Tij qiellor, të dashur bashkëshortë të rinj, që në familjen tuaj të re të mos mungojë kurrë dashuria!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.