2016-10-21 15:49:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 30-të gjatë vitit kishtar “C”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të Dielës së 30-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik.

Këtu mund të dëgjoni programin tonë kushtuar Fjalës së Zotit........

Liturgjia e Fjalës e kësaj së diele na mëson si të lutemi më të vërtetë përpara Zotit. Shëmbëlltyra e fariseut dhe tagrambledhësit na tregon mënyrën e drejtë për t’iu lutur Hyjit me përvujtëri, qëndresë e besim.

Kjo shëmbëlltyrë ungjillore flet për disa që e mbanin veten të drejtë dhe i përbuznin tjerët: “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës...” E kështu na kujton se është i korruptuar e hipokrit ai, që beson se është i drejtë dhe i përbuz të tjerët. Pra i thotë jo, kryelartësisë! E na kujton vlerën e përvujtërisë, si kusht i nevojshëm për të fituar mëshirën e Zotit. E na tërheq fort vëmendjen për t’u ruajtur nga farizeizmi. Shëmbëlltyra na paraqet rreth dy figura, atë të tagrambledhësit e të farizeut, me synimin për të kuptuar si mund të fitohet mëshira e Zotit. Farizeu lutet, duke qëndruar në këmbë. Numëron meritat e veta dhe përpilon listën e veprave të kryera: nga agjërimi, tek pagesa e të dhjetave të të gjithë pasjes. E pra, sjellja e tij dhe fjalët e tij janë tepër larg nga mënyra si mëson e vepron Zoti. Ai e mban veten njeri i drejtë, por harron  urdhërimin më të rëndësishëm: ta duash Zotin e të afërmin!

Nuk mjafton të pyesësh veten sa lutesh, por si lutesh, e të pyesësh nëse në zemrën tënde ka arrogancë e hipokrizi. Sepse nuk mund të lutesh, kur zemra zjen nga arroganca, nga hipokrizia, nga inati etj. Duhet të rikthehemi tek Hyji në lutje të heshtur e të gjejmë përsëri udhën drejt zemrës sonë, sepse aty na pret Zoti, aty na flet Zoti! E vetëm duke u nisur nga zemra, mund t’i takojmë edhe të tjerët.

Lutja e tagrambledhësit është tepër e shkurtër, nuk zgjat, si ajo e farizeut: ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin!’. Asnjë fjalë më shumë! ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’. E bukur më të vërtetë! Ta përsërisim e të themi: ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’; ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’. ‘O Zot, ki mëshirë për mua, mëkatarin’. Tagrambledhësi, siç ta thotë fjala vetë, është mbledhës i taksave,  i shikuar shtrembër nga njerëzit, sepse tepër i afërt me pushtuesit e huaj. Ai e di kush është e, prej këndej, vepron me përvujtëri, i sigurt vetëm se është mëkatar para Zotit. Shëmbëlltyra e Ungjillit të kësaj së diele na mëson se mund të jesh i drejtë ose mëkatar jo për shkak të përkatësisë shoqërore, fetare a etnike, por për mënyrën se si sillesh me Zotin, për mënyrën se si sillesh me vëllezërit, me të tjerët.

Farizeu e ndjen veten shumë më lart nga njerëzit, që i cilëson si të padrejtë, cuba, kurorëshkelës, duke besuar se i tillë është edhe tagrambledhësi, i cili lutet fare pranë tij. Beson se ka gjithçka duhet pasur, përveç nevojës për të kërkuar mëshirë, si njeriu që, aty pranë, e lyp përvujtërisht para fytyrës së Zotit. E kjo është gjë e bukur. Të lypësh mëshirën e Zotit. Duke u paraqitur para Tij me duart bosh, me zemrën e zhveshur, me pohimin se është mëkatar, tagrambledhësi na tregon të gjithëve kushtin e nevojshëm për të fituar ndjesën nga Zoti. Në fund, pikërisht ai, i përuluri, bëhet ikona e vërtetë e besimtarit.

Farizeu, ndërkaq, është ikonë e të korruptuarit, e njeriut të prishur, sepse mendjemadhësia e prish çdo vepër të mirë, e zbraz lutjen dhe të largon nga Zoti e nga të tjerët. Farizeu është pikërisht ikonë e të korruptuarit, që shtiret sikur lutet, ndërsa di vetëm të krekoset para pasqyrës së vet. Është i korruptuar e bën sikur lutet. Kështu, në këtë jetë, ai që beson se është i drejtë, që i gjykon të tjerët e i përbuz, është i korruptuar, hipokrit.

Zotit i pëlqen përvujtëria, sepse kusht i nevojshëm për t’u lartuar tek Ai e, prej këndej, për të provuar mëshirën. Nëse lutja e mendjemadhit nuk arrin në zemër të Zotit, përvujtëria e hap atë në dy kanatat. Zoti ka dobësi për të përvuajturit. Para një zemre të përvuajtur, Zoti e hap krejtësisht zemrën e vet. E kjo është përvujtëria e Virgjërës Mari, e shprehur në Himn i Madhërimit të Zotit - “Magnificat” - . Na ndihmoftë Ajo të lutemi gjithnjë me zemër të përvuajtur. Pra, Fjala e Zotit e kësaj së diele na siguron se Hyji e pranon lutjen e të përvujtët e të skamnorit. E kështu edhe këtë diele, leximet biblike vazhdojnë meditimin mbi lutjen e krishterë.

                    Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë: (Sir 35, 12-14. 16-18)

Lexim prej librit të Siracidit
Dhuroji të Tejetlartit siç të ka dhuruar Ai ty dhe bëje me sy të mirë sipas kamjes sate, sepse Zoti s’lë pa shpërblyer, madje shtatëfish aq Ai do të kthejë. Mos u mundo ta thyesh me dhurata, sepse nuk do t’i pranojë assesi; nuk ia mban kujt krahun në dëm të skamnorit dhe e dëgjon uratën e të nëpërkëmburit. Nuk e përbuz uratën e bonjakut as të vejushës, kur zbraz mjerimin e vet. Vallë, a nuk zbresin lotët e vejushës nëpër faqe, a nuk bie britma e saj mbi atë që i shkaktoi? Fjala e Zotit!

Psalmi: 34 (33)
Ref. Dëgjoni, o të përvuajtur, e gëzohuni në Zotin

Përherë do ta bekoj Zotin,
Në gojën time përherë është lavdia e tij.
Shpirti im mburret në Zotin:
Le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.
Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,
i shpëton shpirtkëputurit.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,
Nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

Leximi i dytë: (2 Tim 4, 6-8. 16-18)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti! Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë, dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.
Në mbrojtjen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua; të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq! Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i ungjillit të kuptohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtoi nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vetë qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen! Fjala e Zotit!

Aleluja! Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut, Që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore. Aleluja!

Ungjilli: (Lk 18, 9-14)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi e tregoi këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët: “Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose – si ky tagrambledhës. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’ Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejt qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’ Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse. Kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.” Fjala e Zotit
 

Këtu mund të dëgjoni programin tonë kushtuar Fjalës së Zotit...








All the contents on this site are copyrighted ©.