2016-10-20 12:12:00

Papa: nuk mjafton katekizmi për ta njohur Krishtin, duhet të lutemi


Për ta njohur vërtet Krishtin kemi nevojë për lutje, adhurim e për ta pranuar se jemi mëkatarë. Kështu pohoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë nënvizoi se katekizmi nuk është i mjaftueshëm për të kuptuar thellësinë e misterit të Krishtit. Bergoglio e shtjelloi homelinë, duke u nisur nga Letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve, në të cilën apostulli u kërkon besimtarëve ta kenë Krishtin përherë në zemër e t’i luten Shpirtit Shenjt për këtë hir.

Nuk njihet Krishti vetëm me katekizëm, duhet të lutemi

Por si mund ta njohim Krishtin? Si mund ta kuptojmë se dashuria e Krishtit për ne e tejkalon çdo gjë tjetër? E Papa nënvizoi:

“Krishti është i pranishëm në Ungjill, duke lexuar Ungjillin njohim Krishtin. E ne të gjithë e bëjmë këtë, të paktën e dëgjojmë Ungjillin, kur shkojmë në meshë. Po ashtu, studiojmë katekizmin: katekizmi na mëson kush është Krishti. Por kjo nuk mjafton. Për të qenë në gjendje të kuptojmë cila është gjerësia, gjatësia, lartësia dhe thellësia e Jezu Krishtit duhet të hyjmë në një kontekst të caktuar. Pikë së pari, në lutje, siç bën Pali, në gjunjë: ‘O Atë, më dërgo Shpirtin Shenjt për të njohur Jezu Krishtin”.

Ta takojmë Zotin në heshtje e në adhurim

Për ta njohur vërtet Jezu Krishtin, vijoi Papa Françesku, duhet të lutemi. Por Shën Pali Apostull jo vetëm lutet, edhe e adhuron këtë mister, që kapërcen çdo lloj njohurie. Pikërisht në adhurim, ia kërkon Zotit hirin e njohjes së Krishtit:

“Nuk njihet Zoti, pa pasur këtë zakon të adhurimit, të adhurimit në heshtje, …adhurim. Nëse nuk gabohem, besoj se kjo lutje adhurimi është më pak e njohur ndër ne, e themi më rrallë. Më lejoni t’ju them se duhet të humbni kohë para Zotit, para misterit të Jezu Krishtit. Në adhurim. E në heshtje, në heshtjen e adhurimit. Ai është Zoti e unë e adhuroj”.

Ta pranojmë se jemi mëkatarë

Së treti, theksoi Ati i Shenjtë, për ta njohur Krishtin duhet më parë të njohim vetveten, pra, të kemi vetëdijen se jemi mëkatarë, ta akuzojmë vetveten:

“Nuk mund të adhurojmë nëse nuk e akuzojmë vetveten. Për të hyrë në këtë det pa fund, pa brigje, që është misteri i Jezu Krishtit, janë të nevojshme këto gjëra. Lutja: ‘O Atë, më dërgo Shpirtin tënd, që të më udhëheqë në njohjen e Jezusit’. Së dyti, adhurimi i misterit, pra, të hyjmë në mister, duke e adhuruar. Së treti, të akuzojmë vetveten: ‘Jam njeri me buzë të papastra’. Zoti na dhashtë edhe neve këtë hir, që Shën Pali e kërkon për efesianët, këtë hir për ta njohur e për ta fituar Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.