2016-10-20 14:41:00

Papa: gratë të kenë më shumë hapësirë për paqen në Lindjen e Mesme


Të zgjerohen “hapësirat për prezencën e grave dhe të intensifikohet vepra e tyre në kërkimin e rasteve për t’u takuar, njohur e dialoguar dhe për të ndërtuar një të ardhme me prosperitet e në paqe”. Këtë uron Papa Françesku në një telegram firmosur nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar pjesëmarrësve të Konferencës së Dytë me gratë e Lindjes së Mesme dhe të Mesdheut mbi temën “Gratë veprimtare të paqes për kulturën e takimit e të dialogut”, në zhvillim e sipër në Bari të Italisë, organizuar nga Unioni Botëror i Organizatave Femërore Katolike së bashku me Forumin Ndërkombëtar të Veprimit Katolik, në kuadrin e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës.

Papa, lexohet akoma në telegram, u bën thirrje të gjithëve “të kryejnë me bujari vepra të mëshirshme trupore e shpirtërore” dhe “përshëndet përzemërsisht të gjitha gratë pjesëmarrëse, posaçërisht ato që vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga vendet e përshkuara nga konfliktet shoqërore, nga varfëria e nga diskriminimet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.