2016-10-19 18:18:00

Kardinali Charles M. Bo: Intoleranca fetare, helm për Azinë


“Azia është nëna e të gjitha feve: hinduizmit, budizmit, jainizmit, krishterimit, islamizmit, hebraizmit. Por sot, intoleranca fetare, helm për shoqërinë, është përhapur në shumë kombe si në Bangladesh, Sri Lankë, Kinë, Indi, Indonezi, Filipine, Vietnam e, edhe në Mianmar”. Sipas agjencisë Fides, këto janë fjalët e kryeipeshkvit të Yangon-it, kardinalit Charles Maung Bo, i cili mori pjesë në paraqitjen e librit “On the brink” (Në teh të briskut) të jezuitit Michael Kelly, kushtuar realitetit të pakicave fetare në vendet aziatike. Liria për të besuar dhe për të ndjekur kultin fetar, shpjegoi prelati, është “parim i shenjtë, që sot, në Azi, dhunohet jo vetëm në shoqëritë teokratike, por edhe në vendet demokratike, ku ka persekutime në dëm të pakicave”.

Kardinali Bo përmendi Mianmarin, në veçanti, dy grupe murgjërish budistë, të cilët duke shpërfytyruar mësimet e fesë së tyre, kanë vënë në shënjestër sidomos myslimanët. Këto dy lëvizje janë pezulluar aktualisht, por në vend ka akoma ekstremistë, të cilët kanë arritur të kalojnë në parlament katër ligje kundër pakicave fetare, duke kriminalizuar lirinë e zgjedhjes së fesë. Fatmirësisht, përfundoi kardinali, qeveria e re i ka heshtuar fraksionet ekstremiste.








All the contents on this site are copyrighted ©.