2016-10-19 16:11:00

25 vjet Seli e Shenjtë-Shqipëri në Universitetin Urbanian


25 vjetët e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shqipërisë ishin sot protagoniste në një konferencë në Universitetin Papnor Urbaniana, organizuar nga ambasada e Shqipërisë pranë Vatikanit, me bashkëpunimin e ateneut papnor, ku janë formuar pinjollë të shquar të tokës arbërore, që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për Kishën Katolike e për popullin shqiptar.

Mirëseardhja e të ngarkuarit me punë të ambasadës, z. Visar Zhiti dhe ekspozita e piktorit Gjergj Kola dhe e skulptorit Hevzi Nuhiu, kushtuar Shenjtes shqiptare Nënë Terezës, i përcollën të pranishmit e shumtë në Auditoriumin “Shën Gjon Pali II” të universitetit Urbaniana, ku prof. Ardian Ndreca, vetë Visar Zhiti dhe don Marjan Paloka përshkuan një aspekt të veçantë të 25 vjetëve të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Themi “të rivendosjes”, sepse siç theksoi Prof. Ardian Ndreca, këto marrëdhënie kanë filluar shumë kohë më parë, me kujdesin e Papëve për grigjën katolike në trevat shqiptare, me dërgimin e përfaqësuesit të Vatikanit nga Papa Benedikti XV, vendimtar edhe në arritjen e pavarësisë së Shqipërisë e më pas, me Legatët e tjerë apostolikë, i fundit prej të cilëve iu ndalua hyrja në vend si “persona non grata” (person i padëshiruar).

Filloi kështu, persekutimi komunist, të cilit ia kushtoi fjalën e tij don Marjan Paloka, i cili nuk përshkroi historinë e martirizmit të klerit e të besimtarëve katolikë e as atë të 38 të parëve, që do të lartohen në nderimet e elterit më 5 nëntor, në Shkodër, por vuri në dukje cili ishte modeli i Kishës, që na lanë. Duke përdorur dy imazhe, atë të Kishës si Korpi i Krishtit dhe atë të Kishës si Nusja e Qengjit, siç thuhet në Librin e Zbulesës, ai përvijoi tiparet e këtyre martirëve, që jetuan e vdiqën në bashkim të përsosur me Krishtin. Katër shprehjet e njohura të tyre para flijimit nxjerrin në pah Kishën, në të cilën bënin pjesë e të cilën na e lanë trashëgim si shembull për t’u ndjekur. “Rrnoftë Krishti Mbret”, thoshin martirët, duke dëshmuar se jetonin për një realitet, që e kapërcen aktualen e prekshme; “Rrnoftë Papa”, thirrja tjetër, që tregonte bashkimin e pazgjidhshëm me Pasardhësin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga torturat për t’u shkëputuar nga Selia Apostolike; “Rrnoftë Shqipnia”, për të thënë, edhe me frymën e fundit, se ata nuk ishin tradhtarë të vendit e spiunë të Perëndimit, ashtu siç i akuzonin; e “Fali o Zot se nuk dinë çka bajnë”, sepse modeli i tyre i Kishës na mëson se mund të jepet jeta edhe për armikun, duke iu lutur Hyjit për të.

Visar Zhiti përvijoi bukur dhjetë vlera, që na lë shenjtja e re shqiptare, Nënë Tereza, e cila, siç nënvizoi poeti, ishte shenjte edhe më parë. Të gjitha tipare, që duhet të karakterizojnë shqiptarin e sotëm, mëse dëshiron të njihet si bashkëkombas i Misionares së Dashurisë, që mblodhi nga rruga më të varfërit e të varfërve, duke parë në ta Fytyrën e Krishtit.

I pranishëm në konferencë edhe nunci i parë apostolik në Shqipërinë e pas komunizmit, kardinali Ivan Dias, i cili, siç theksoi Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Paul Richard Gallagher, ka qenë edhe ipeshkëv – administrator apostolik i Shqipërisë së Jugut. Konferencën e nderuan me praninë e tyre Rektori i Universitetit Papnor Urbanian, atë Alberto Trevisol, si edhe një përfaqësues tjetër i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, imzot Giovanni Gaspari. Moderator i konferences ishte dom Aldo Shkoda, rregulltare skalabrinian e profesor prane Unversitetit papnor Urbaniana.

Tani, të dëgjojmë njërin nga protagonistët, don Marjan Palokën, në studion tonë….








All the contents on this site are copyrighted ©.