2016-10-18 03:30:00

Kardinali Sandri u çon inkurajimin e Papës refugjatëve irakianë dhe sirianë


Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri u çoi inkurajimin e Papës bashkësive të krishtera dhe refugjatëve sirianë e irakianë në Jordani. Prelati u kthye dje paradite në Romë, pasi mori pjesë, si i dërguar i Papës Françesku në tokën jordaneze, në kremtimet për rihapjen e Shenjtërores-Memorial të Moisiut në Malin Nebo. Të dëgjojmë vetë kardinalin në mikrofonin e Radio Vatikanit:

Pata rastin t’i përshëndes grupet e refugjatëve, sidomos irakianët, dhe u transmetova atyre inkurajimin dhe bekimin e Papës, duke u thënë se Papa e gjithë Kisha është me ta, se nuk duhet të dëshpërohen kurrë, sepse Zoti do t’i ndihmojë dhe do t’u japë forcë për të ndërtuar të ardhmen.

Cila ishte thirrja juaj, në dritën e kërkesave të Papës për përgjegjësit e kombeve të përfshira në ngjarjet e Lindjes së Mesme?

Duke përfituar nga prania ime në emër të Papës, pikërisht mbi Malin Nebo, ku Moisiu pa në horizont Tokën e Premtuar, iu referova sa e sa “tokave të premtuara”, që kujtojmë çdo ditë: paqen, ndalimin e luftrave dhe të dhunës në emër të Zotit. E atëherë, thashë se të gjithë shpresojmë në këto “toka të premtuara”, në këto qiej të rinj e toka të reja, në një ardhmëri në vëllazërim, solidaritet e frymë respekti për dinjitetin e burrit e të gruas në të gjithë botën. Është tokë e re e premtuar, që duhet ndërtuar, pavarësisht nga vështirësitë e botës së sotme.

Si po e jetojnë të krishterët, sidomos sirianët dhe irakianët, lajmin e ofensivës kundër kështjellave të të ashtuquajturit Shtet Islamik?

Ky lajm u sjell të gjithëve një puhi shprese. Sigurisht, një shpresë, që mund të jetë e dhimbshme, sepse do të sjellë viktima të tjera e, sidomos, kemi frikë se të pafajshmit mund të përdoren në këto rrethana si “mburoja” kundër armiqve. Prandaj, shpresojmë që kjo ofensivë të ketë sa më pak dëme për njerëzit më të brishtë, sidomos për fëmijët e për ata, që kanë vuajtur mjaft tashmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.