2016-10-17 16:11:00

Ndihmë për Kishën që Vuan (Acs): sot një milion fëmijë, në lutje për Sirinë


Sot, në orën 09.00 të mëngjesit, një milion fëmijë nga mbarë bota e thanë, shpirtërisht të bashkuar, Rruzaren shenjte për paqe e unitet në Siri. Është kjo nisma, që e organizon prej vitesh Fondacioni i së drejtës papnore Ndihmë për Kishën që Vuan (Acs), angazhuar për përhapjen e Rruzares ndër më të vegjlit. Sivjet iu kushtua fëmijëve sirianë, për të kujtuar viktimat e vogla, që vijojnë të humbasin jetën, ndoshta edhe në këtë çast, nën sulmet ajore, në Haleb. E ndërsa bombat bien e vrasin, përpjekjet diplomatike vijojnë të dështojnë. Për nismën e Acs dhe për situatën në vendin e martirizuar nga lufta, të dëgjojmë Alessandro Monteduro-n, drejtor i Acs-Italia:

Përgjigje: - Prej 11 vjetësh “Ndihmë për Kishën që vuan”  i nxit fëmijët e mbarë botës të marrin pjesë në nismën e madhe: të thonë njëherësh së bashku Rruzaren. Pra, protagonistët e kësaj nisme janë vetë fëmijët. Ambicioni, edhe sivjet, ishte të arrihej në një milion fëmijë që e thonë bashkërisht Rruzaren.

Pyetje: - Frymëzimi për këtë nismë buroi nga fjalët e Shën Piut të Pietrelçinës, që thoshte: “Nëse një milion fëmijë do të thonë Rruzaren, bota do të ndryshojë”…

Përgjigje: - Nisma lindi duke e marrë shtytjen pikërisht nga fjalët e Shën Piut. Për këtë kemi 11 vjet që angazhohemi. Bëmë edhe diçka më shumë: krijuam një tekst të shkurtër, titulluar “Ne, fëmijët, themi Rruzaren”, tekst i vitit 2009, i shpërndarë në tetë gjuhë të ndryshme, në 600 mijë kopje. Ishte një mënyrë për të provuar krijimin e një bashkësie në lutje, të cilën e quajtëm “social network marian”. Është e vërtetë se fëmijët janë protagonistë, por është po aq e vërtetë edhe se secili nga ne - ne të rriturit - mund e duhet të bashkohemi me ta, gjithnjë me vetëdijen se çimentoja, zamka, që e mban të ngjitur këtë  bashkësi, është pikërisht Rruzarja.

Pyetje: - Acs angazhohet ta përhapë Rruzaren ndërmjet më të vegjëlve: pse është kaq e rëndësishme ta thuash Rruzaren?

Përgjigje: - Përgjigjen e pyetjes pse është kaq e rëndësishme lutja, jo vetëm Rruzarja, na e jep vetë feja. Për ta kuptuar rëndësinë e saj, ndoshta do të duhej të kishe, përveç fesë personale, edhe mundësinë a fatin t’i takosh njerëzit, që në atë çast ka më shumë nevojë për lutje.  Flas për popullsitë e varfra, popullsitë që vuajnë, që janë viktima të konfliktit: duke i vizituar këto realitete, njeriu e kupton e, sidomos, e shikon sa e rëndësishme është lutja jonë për kë ka më shumë nevojë për të - për Rruzaren e për lutjen në përgjithësi.

Pyetje: - Si është gjendja e fëmijëve në Siri? Dje, gjatë sulmeve ajrore  mbi Halebin, fatkeqësisht u vranë edhe disa të tjerë… Si mund të ndihmohen?

Përgjigje: - Gjendja është dramatike: për numrat mund të flasim në përgjithësi, sepse nuk është vetëm Siria që fle e zgjohet nën bomba. Është edhe Iraku. Prandaj mund të themi se situata, në përgjithësi, është dramatike. Nga 11 milionë e 400 mijë sirianë, të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre, pothuajse gjysma janë fëmijë. Rreth dy milionë fëmijë në Siri, gjatë këtyre pesë vjetëve të konfliktit, e kanë lënë shkollën: dy milionë! Unicef-i tregon se në çdo katër shkolla, një është rrënuar. Sipas të dhënave të Oxford Research Group, në Angli, gjatë dy vjetëve të para të luftës në Siri, u vranë më se 11.500 fëmijë. Dëshirojmë të shkojmë në ndonjë nga vendet fqinje? Të shkojmë në Irak? Këtu numri i fëmijëve që nuk shkojnë më në shkollë, arrin në 2 milion e shkollat e rrënuara vitet e fundit arrijnë shiftrën 5.300. Ky mund të quhet vetëm me një emër: tmerr! E ç’mund të bëjmë për t’i ndihmuar? Mund t’i ndihmojmë me shpresë! Përsa i përket Irakut, aq sa munda të shikoj e lidhur me atë, që bën Acs, po kujtoj se ne u japim shtatë mijë fëmijëve të Erbilit e të Duhokut mundësinë të vijojnë mësimet, ndonëse janë të shpërngulur e të detyruar nga shteti islamik të largohen nga Rrafshi i Ninives e nga Mosuli. E në shkolla të shkëlqyera, me një trupë mësimore po aq të shkëlqyer.

Pyetje: - Cila do të jetë ardhmëria e kësaj breznie?

Përgjigje: - Nuk varet prej tyre, varet prej nesh, varet prej bashkësisë ndërkombëtare e prej angazhimit të saj për ta  kryer detyrën, që nuk po e kryen akoma. Duke pasur parasysh se fati i një fëmije është gjithnjë tejet i rëndësishëm për ne, Acs  angazhohet që fëmijët e krishterë të mund të jetojnë të lumtur në tokën e tyre, në Lindjen e Mesme. Po t’i pyesim ata vetë, do të përgjigjen se duan të vijojnë të jetojnë si të krishterë, të rriten e të jenë frymëzues të bashkëjetesës paqësore në trojet e tyre, në Lindjen e Mesme, në Irak e në Siri.








All the contents on this site are copyrighted ©.