2016-10-17 11:52:00

13. Dëshmitarët e fesë: Papa Josif Mihali. I varrosur për së gjalli!


Vazhdojmë më dëshmitarët e fesë, e sot në rubrikën tonë radiofonike kushtuar martirëve të Kishës shqiptare, flasim për figurën e Papa Josif Mihalit. I varrosur për së gjalli!

13. Papa Josif Mihali (Elbasan, 23.09.1912-Maliq, 26.10.1948), prift katolik i ritit bizantin, arrestuar e torturuar veç me këtë akuzë, u mbyt për së gjalli në baltën e kënetës, në kampin e shfarosjes të Maliqit.

Meshtar katolik i ritit bizantin, Papà Josif Mihali është në listën e 38 martirëve, të cilën do të Lumnohet më 5 nëntor të ardhshëm në Shkodër, pra do të larohet në nderimet e elterit. Jetë kushtuar Zotit që në moshë të njomë, kur Arkimandriti Pietro Scarpelli, misionar i ardhur nga Heparkia e Lungros, në Elbasan, e zgjodhi për ta dërguar në Seminarin Benedikti XV, pranë Abacisë së Grotta Ferratës. Që aty, vijoi rrugën e përgatitjes për meshtari në Kolegjin Papnor të Shën Athanasit, në Romë, ku përfundoi mësimet e filozofisë e të teologjisë. Më 1 dhjetor 1935 çoi Meshën e parë në Kishën e Shën Athanasit, në Romë. Pikërisht në Kishën, ku arbëreshë e shqiptarë vijojnë të mblidhen ditëve të diela, për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore në atë gjuhë, me të cilën e ndiqnin bashkëluftëtarët e Skënderbeut, para e pas betejave fitimtare kundër osmanllinjve. Në Kisha, që pastaj u rrafshuan, për t’u rindërtuar përsëri e përsëri...

Më 1936 ishte në Elbasan. Bari i Kishës së Shën Pjetrit. Mbeti në kujtesë të besimtarëve si njeri, që dinte t’i drejtonte shpirtrat kah Zoti e me Zotin t’i zgjidhte edhe problemet më të mprehta të grigjës së vet të vogël.

Në vitin 1945, 36 vjeç, ishte në pranga, si meshtar katolik. Nga elteri, në Kënetën e Maliqit. Nga Kisha, në baltra, ag e muzg, zheg e cegëm. Në shoqëri të mushkonjave, zhabave, shushunjave, gjarpërinjve. Gjysëm i vdekur nga lodhja e nga uria. Në luftë të përditshme me baltën e zvarranikët e kënetës, derisa i shteruan fare forcat. Atëhere ra. E nisi të fundosej ngadalë në llucë. Të varrosej për së gjalli. Shokët e mjerimit, të llaftarisur nga kjo pamje, nuk guxonin t’ia zgjasnin dorën, të paralajmëruar se dora, që do të shtrihej atë ças, edhe do të pritej. Fundosej. I ndjekur nga dhjetra sy. Sy të mbushur me tmerr e me lot, e sy të mbushur me mllef. Sy rojesh të armatosura deri në dhëmbë, që i jepnin shkelmin e fundit. U zhdukën dalëngadalë në baltë trupi, që pati meshuar në elter; goja, që pati predikuar fjalën e Zotit, sytë, që patën ngushëlluar të mjeruarit, kur fjala e lirë ishte në pranga.  E mbeti aty, në baltë, si monument i Kishës Katolike, që gjithashtu u detyrua të hynte nën dhe, në katakombe.

“Kokrra e grurit  zhdukej në baltë, vdiste, për të dhënë shumë fryt…” (Sipas Gjn 12,24 .








All the contents on this site are copyrighted ©.