2016-10-14 18:41:00

Kardinali Sandri në Jordani për rihapjen e Memorialit të Moisiut


Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, filloi sot një vizitë në Jordani, si i dërguar i veçantë i Papës Françesku për rihapjen e Shenjtërores Memoriale të Moisiut mbi Malin Nebo. Ky, kalendari i veprimtarive:

         Të shtunën, më 15 tetor, do të shkojë në Kopshtin e Kujtesës në Qendrën “Zoja e Paqes”, realizuar me fondet e grumbulluara në Pavionin e Selisë së Shenjtë në Expo 2015. Këtu, do të takohet me punonjësit. Etapa e dytë do ta çojë në Qendrën “Papa Françesku” në Jabal Al Webdeh, qendër kulturore për të rinjtë, orfruar nga françeskanët e Kuvendit të Shenjtë të Asizit. Pasdite, përurimi zyrtar dhe hapja e Shenjtërores, ku mund të vizitohet zona arkeologjike dhe mozaikët. Parashikohet pjesëmarrja e një përfaqësuesi të lartë të Shtëpisë Mbretërore hashemite.

         Të dielën paradite, më 16 tetor, kardinali Sandri do të shkojë në spitalin italian, ku do të takohet me familjet refugjate siriane. Më pas, në Misdar, do të prekë me dorë gjendjen e disa familjeve jordaneze, që ndihmohen nga Karitasi vendas. Këtu, do të kremtojë meshën, duke u dhënë të gjithëve bekimin apostolik, në emër të Atit të Shenjtë. Pasdite, gjatë rrugës për në Malin Nebo, prelati do të ndalet në Madaba, në një Kopsht tjetër të Mëshirës, në të cilin ndodhet një shkollë mozaikësh, ku kanë gjetur punë disa refugjatë.

         Gjatë vizitës së tij në Jordani, kardinali Sandri do të takohet me Patriarkun e Kishës së Babilonisë së Kaldeasve, Sako, i cili gjendet në këtë vend për kremtimin e fillimit të vitit të ri shkollor për refugjatët irakianë. Gjithashtu, do të shohë edhe sekretarin e përgjithshëm të Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Galantino, që ka shkuar në Jordani për të përuruar disa vepra të realizuara me kontributin e Kishës italiane.








All the contents on this site are copyrighted ©.