2016-10-14 18:25:00

Kardinali Parolin kujtoi kontributin e Palit VI për paqen në botë


Sekretari i Shetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, pas vizitës së tij në Portugali, shkoi edhe në Spanjë. Sot, në Madrid, u takua me mbretin Filipi II, në Pallatin e Zarzuelës e, më pas, me kryeministrin Mariano Roy, në Pallatin e Mocloa-s. Pastaj shkoi edhe në selinë e konferencës ipeshkvnore  vendase, ku  hapi, me një referat, Simpoziumin në nderim të të Lumit Pali VI, organizuar nga ipeshkvijtë spanjollë, me rastin e 50-vjetorit të kushtetutës të së njëjtes Konferencë ipeshvnore, statutet e së cilës u miratuan nga Papa Montini më 1966. Kardinali pohoi edhe ndihmesën e Palit VI për paqen në botë, duke kujtuar, sidomos, epitetet me të cilat  përmendet edhe sot Montini; Papa i dialogut, Papa i Koncilit II të Vatikanit, Papa i ekumenizmit, Papa i qytetërimit të dashurisë, Papa mbrojtës i jetës, Papa i paqes… Kardinali Parolin u nis nga thirrja e mirënjohur e Palit VI në Kombet e Bashkuara, më 4 tetor 1965: “Jamais la guerre!”, “Kurrë më luftë!”. Vizitë e guximshme, e pashoqe në historinë e papëve - nënvizoi - paraprirë nga shtegtimi në Indi, më 1964, me propozimin për krijimin e një fondi botëror për kombet e varfra. Më 1967 themeloi Komisionin papnor Justitia e Pax, duke e shndërruar, më pas, në Këshillin Papnor Drejtësi e Paqe. Gjithnjë më 1967, botoi Enciklikën “Populorum Progessio”, në të cilën pohon se emri i ri i paqes, është zhvillimi.

Ishte Montini – vijoi Sekretari i  Shtetit – ai që themeloi Ditën Botërore të Paqes, kremtuar për herë të parë në janar 1968, përballë rreziqeve të një konflikti të mundshëm  bërthamor, në epokën e luftës së ftohtë. E edhe ai, që vuri në jetë Ostpolikën vatikanase për të rilidhur, gjithnjë më  fort, fillin e këputur të dialogut me vendet e bllokut sovjetik e për t’ia rikthyer zërin Kishës së Heshtimit. Të shumta thirrjet për t’i dhënë fund luftës në Vietnam. Vendimtar, angazhimi për ndërtimin e një Evrope të bashkuar e të paqësuar, të hapur për botën e tretë. Në  vitin 1975 promovoi pjesëmarrjen e Selisë së Shenjtë në Konferencën mbi sigurinë në Evropë, mbajtur në Helsinki.

Në vitet ’70 - kujtoi akoma kardinali Parolin - Pali VI e zgjëroi reflektimin e tij për paqen, duke e lidhur me çështjen e ujit, të ushqimit, të burimeve të naftës. Beteja kundër urisë në botë, bëhet gjithnjë më shumë një nga shqetësimet kryesore të papnisë së tij. Por Papa Montini e lidh paqen  edhe me temën e të drejtave të njeriut dhe me mbrojtjen e pakicave etnike e fetare, duke iu kundërvënë, ndërmjet tjerash, politikave demografike kundër lindjes së fëmijëve.

Së fundi kardinali kujtoi se Pali VI, në vitet e fundit të papnisë së Tij, e lidhi gjithnjë më shumë çështjen e paqes, me atë të ungjillëzimit. “Për të krishterin - pohonte Montini – të shpallësh paqen, do të thotë të kumtosh Jezu Krishtin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.