2016-10-13 00:00:00

“Amoris Laetitia”: tharm krijues i Kishës në dialog


Reagimet ndaj Nxitjes apostolike pas sinodale “Amoris Laetitia” të Papës Françesku kanë qenë të ndryshme, në vende të ndryshme të botës, por të gjitha dëshmojnë për “tharmin krijues”, tipar i “Kishës në dialog”, e cila po përpiqet t’u bëjë ballë problemeve të reja të bashkësisë së krishterë. Ky reflektim është i drejtorit të departamentit të Teologjisë Morale në Universitetin Papnor Gregorian, atë Humberto Miguel Yañez, me rastin e Forumit për familjen, që u mbajt në selinë e ateneut të jezuitëve në Romë, më 7 e 8 tetor.

Publikimi i dokumentit papnor, në marsin e kaluar, në përfundim të Sinodit të dyfishtë mbi familjen (2014-2015), i shtyu pedagogët dhe studiuesit e “Teologjisë Praktike për baritorinë familjare” të ofrojnë një rast për diskutimin e perspektivave të zbatimit të tij në praktikë, pra, në zgjidhjen e problemeve të familjes së sotme. Sipas atë Yañez, ish-nxënës i Jorge Mario Bergoglio-s, në krahasim me magjisterin e mëparshëm, Nxitja e re apostolike paraqet një risi: atë të shoshitjes, që kërkon forcimin e të gjitha reflektimeve, që ia dëshmojnë vlerën, si: roli themelor i ndërgjegjes morale; problemi i vetëdijes së gabuar; brishtësia e ndërdyshjes; roli i ligjit moral natyror si burim frymëzimi objektiv dhe jo si përmbledhje rregullash; pamundësia fizike dhe morale e zbatimit të ligjeve kishtare e së fundi, parimi i mëshirës si çelës për krejt veprimtarinë baritore.

Gjatë dy ditëve të Forumit, në disa tryeza të rrumbullakta, jo vetëm teologë, por edhe prindër e bashkëshortë, folën për tema nga më të ndryshmet, që kanë të bëjnë me familjen, si: prania e një fëmije me të meta fizike, çështja e të rinjve dhe e planit të tyre për jetën, procesi i ri i pavlefshmërisë së martesës, zia familjare, komunikimi brenda çiftit e familjes, adoleshenca dhe edukimi seksual i rinisë. E siç pati ndodhur edhe para dy vjetësh, në një rast të tillë, Universiteti Papnor Gregorian organizoi një shërbim babysitting për fëmijët e çifteve, që morën pjesë në Forum.








All the contents on this site are copyrighted ©.