2016-10-12 12:04:00

Një milion fëmijë në lutje për paqen dhe bashkimin


Fotografia e Omran Daqneesh, vogëlushit sirian 5-vjeçar, me sy krejtësisht të humbur në një fytyrë, mbuluar me gjak e pluhur, ulur në karrigen e një ambulance, pasi bëri xhiron e botës, mbetet akoma e gjallë në kujtesën e secilit. Cila do të jetë e ardhmja e brezave, që sot e jetojnë fëmijërinë në këto kushte? Si mund t’i ndihmojmë?

Një rrjet i vërtetë marian

Që prej 11 vjetësh, fondacioni katolik “Ndihmë për Kishën që vuan” përfshin në një nismë të madhe fëmijët e gjithë botës, me synimin për të shmangur, në të ardhmen, ngjarje si ajo e Omranit të vogël. E meqë çdo fëmijë jeton në familje, nisma arrin të krijojë një bashkësi të madhe ndërkombëtare paqësore, që lutet, duke u shndërruar në një rrjet shoqëror marian. Vërtet, elementi lidhës i kësaj bashkësie të veçantë është Rruzarja Shenjte.

Shën Piu: nëse një milion fëmijë do të thonë Rruzaren, bota do të ndryshojë

Kështu, më 18 tetor, në orën 9.00, nga Italia në Gjermani, nga Pakistani në Irak, nga Republika Çeke në Kenia, nga Kili në Mianmar, kudo ndodhen, fëmijët do të jenë protagonistë të lutjes së organizuar nga Fondacioni papnor, frymëzuar nga fjalët e Shën Piut të Pietrelçinës: “Nëse një milion fëmijë do të thonë Rruzaren, bota do të ndryshojë”. “Ndihmë për Kishën që vuan” impenjohet vazhdimisht në përhapjen e Rruzares ndër më të vegjlit e pikërisht për këtë qëllim, ka përgatitur një tekst të vogël me titull “Ne, fëmijët, themi Rruzaren”, i cili, që nga viti 2009, është përkthyer në tetë gjuhë, publikuar në 600 mijë kopje e përhapur në të gjithë botën. Secili mund t’u kërkojë fëmijëve të vet, nipave e mbesave, të bashkohen me këtë nismë.








All the contents on this site are copyrighted ©.