2016-10-12 15:20:00

Françesku: një gjest mëshire çdo ditë, është “revolucion i vërtetë”.


Secili nga ne të bëjë së paku një vepër mëshire trupore ose shpirtërore në ditë, një gjest të thjeshtë, të përditshëm: kështu do të kryhet një “revolucion i vërtetë kulturor”. Kjo, thënë përmbledhtas, ftesa që Papa  Françesku u drejtoi besimtarëve në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit. Të shumtë besimtarët e pranishëm, si zakonisht, me mosha të ndryshme e të ardhur nga të katër anët e botës. Ndër ta, edhe 100 spanjollë, të sëmurë nga Skleroza Laterale Amiotrofike, Sla. Të gjithëve Papa u kujtoi se veprat e mëshirës janë rast për të takuar Jezusin.

Është si të hysh në zemrën e mëshirës: të ulesh  konkretisht, për ta jetuar çdo ditë. Këtë kujtoi në katekizëm Papa Françesku, duke folur për veprat trupore e shpirtërore të mëshirës  e duke kërkuar të mësohen përmendësh:

“Jam i bindur se përmes gjesteve të thjeshta të përditshme, mund të kryejmë një revolucion të vërtetë kulturor, ashtu si në të kaluarën. Nëse secili nga ne, ditë për ditë, e bën një nga këto vepra, ky do të jetë revolucion në botë. Por të gjithë, eh? Secili prej nesh”.

Veprat e mëshirës janë ilaç kundër virusit të indiferencës

Flitet, pra, për atë shenjtëri të jetës së përditshme, për të cilën Françesku ka folur më se një herë. Për ato vepra që, në rrjedhë shekujsh, shumë njerëz të thjeshtë  i vunë në jetë, sepse Kisha, besnike ndaj Zotit, ushqen dashuri të veçantë ndaj më të ligshtëve:

“Shpesh janë njerëzit më pranë nesh, ata që kanë nevojë për ndihmën tonë. Nuk duhet të shkojmë duke kërkuar kush e di çfarë sipërmarrjesh për t’u realizuar. Është e mbara të nisësh nga më të thjeshtat, të cilat  Zoti na i tregon si më të ngutshmet.  Në një botë që, për fat të keq, është e prekur nga virusi i indiferencës, veprat e mëshirës janë kundërhelmi më i mirë”.

Bëhet fjalë për gjeste të vogla, jo për përpjekje mbinjerëzore

Këto vepra të mëshirës janë tiparet e fytyrës së Jezusit, që u sjell të gjithëve dashurinë e Atit. Françesku vijoi, kështu, katekizmin kushtuar mëshirës, në këtë Vit Shenjt  e, si foli për mëshirën e Hyjit dhe për mishërimin e Jezusit , kujtoi se nuk mjafton ta marrësh, por duhet edhe ta transmetosh, duke e bërë mjet për të tjerët. Përvojë kjo, që duhet ta pushtojë gjithë jetën:

“E si mund të bëhemi, atëherë, dëshmitarë të mëshirës?  Nuk duhet menduar se flitet për përpjekje të mëdha, ose mbinjerëzore. Jo, nuk është kështu! Zoti na tregon një udhë shumë më të thjeshtë, të bërë me gjeste të vogla, por që para syve të Tij kanë vlerë të madhe, deri në atë pikë, sa të na kujtojë se për këtë edhe do të gjykohemi”.

Është një faqe e Ungjillit, ajo sipas Shën Mateut Ungjilltar, që Papa e konsideron si “testamend të Krishtit”: sa herë i japim të hajë atij që ka uri, ia japim vetë Jezusit.  

Ndërmjet veprave të mëshirës shpirtërore, është edhe t’i durosh njerëzit e mërzitshëm

Janë, pastaj shtatë vepra të tjera të mëshirës, që quhen shpirtërore e kanë të bëjnë me kërkesa njëlloj të rëndësishme. Posaçërisht sot, sepse shpesh të bëjnë të vuash më tepër. Të këshillosh dyshimtarët, të mësosh të paditurit, të qortosh mëkatarët, të ngushëllosh të vuajturit, të falësh fyerjet, t’i lutesh Zotit për të gjallë e të vdekur. E njëra ka hyrë në gjuhën  e përditshme: t’i mbartësh me durim njerëzit e bezdisshëm – kujtoi Papa - duke shtuar se  kjo është ndjenjë e thellë dashurie.

Çdo gjest mëshire për të tjerët i bëhet edhe Jezusit

Papa i ftoi të gjithë ta njohin fytyrën e Jezusit, në atë të njeriut, që ka nevojë:

“Janë gjëra të përditshme! ‘Jam thellësisht i pikëlluar…!’. ‘Po Zoti do të të ndihmojë’. ‘Nuk kam kohë…’. ‘Jo! Do të ndalem e do ta dëgjoj. Humbas kohë e ngushëlloj atë… Gjest, ky, i mëshirës, që nuk i bëhet vetëm tjetrit, por vetë Jezusit”.

Më pas Papa kujtoi shprehjen e Shën Agostinit: “Kam frikë se Zoti do të kalojë... domethënë se Zoti do të kalojë para meje në njërin nga këta njerëz’- theksoi Papa - e unë nuk do të kujtohem fare se është Jezusi!’. Epo, nëse qëndron indiferent, e humbet rastin për t’u takuar me Të”.

Në përfundim të audiencës Papa përshëndeti turmën e shumënumërt të shtegtarëve ardhur nga një mori vendesh. Ndërmjet tyre, shtegtarët nga Haiti, dëmtuar rëndë, javën e kaluar, nga një uragan i fuqishëm, si edhe punëtorët që po restaurojnë Bazilikën e Lindjes së Krishtit në Betlehem, shoqëruar nga mëkëmbësi i përgjithshëm i Rojtarisë së Tokës Shenjte, vëllai Dobromir Jasztal. Ndërmjet të pranishëmve, edhe pjesëmarrësit në Konferencën Evropiane të Radiove të Krishtera.  








All the contents on this site are copyrighted ©.