2016-10-12 12:26:00

Ambienti. Thirrje e Papës: t’i bashkojmë forcat për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët


Françesku kujtoi sot Ditën ndërkombëtare për reduktimin e fatkeqësive natyrore, që do të kremtohet nesër. Ishte thirrje e re ekologjiste e Papës. Ati i Shenjtë, duke kujtuar se nesër do të kremtohet Dita ndërkombëtare për reduktimin e fatkeqësive natyrore, sivjet me temë “Ta reduktojmë vdekshmërinë”, kërkon angazhimin e të gjithëve për ruajtjen e shtëpisë së përbashkët.

“Fatkeqësitë natyrore mund të shmangen, ose së paku të kufizohen, meqë pasojat e tyre shpesh herë shkaktohen nga mungesa e kujdesit të njeriut për ambientin. Inkurajoj t’i bashkojmë forcat me largpamësi për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët, duke promovuar kulturën e parandalimit, me ndihmën edhe të dijeve të reja e duke i reduktuar rreziqet për popullsitë më të ligshta”. Kjo, thirrja e ngutshme e Papës. 

Në përshëndetjen drejtuar grupeve italiane, Françesku i nxiti t’i përngjasin Gjonit XXIII, Papës së ëmbëlsisë e të dashurisë atërore, duke kujtuar kremtimin e djeshëm të festës së tij liturgjike.

Një përshëndetje të posaçme Papa ua drejtoi organizatorëve dhe pjesëmarrësve në “Ndeshjen për paqe e solidaritet”, që do të luhet sonte në Stadiumin Olimpik. Nisma, siç dihet, organizohet nga Scholas occurrentes, Bashkësia “Dashuri e Liri”, Qendra Sportive Italiane dhe Unitalsi.








All the contents on this site are copyrighted ©.