2016-10-05 17:00:00

Konferenca e parë botërore mbi Fenë e Sportin. Papa: “Sporti pasuron jetën"


Filloi sot në Vatikan e do të vijojë deri më 7 tetor, Konferenca e parë botërore mbi Fenë e Sportin me titull “Sporti në shërbim të njerëzimit”. Pasdite, rreth 7 mijë pjesëmarrësit u takuan me Papën Françesku, i cili, duke i përgëzuar për nismën e organizuar nga Këshilli Papnor për Kulturën, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe me asiguracionet Allianz, nënvizoi vlerat e sportit në përgjithësi. Të pranishëm në takim edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon dhe kryetari i Komitetit Olimpik, Thomas Bach.

“Sporti – tha Papa – është veprimtari njerëzore me vlerë të madhe, i aftë ta pasurojë jetën e njerëzve. Atë mund ta ushtrojnë, ose të gëzohen prej tij, burrat e gratë e çdo kombi, etnie dhe përkatësie fetare”. Ati i Shenjtë përmendi Lojrat e fundit Olimpike dhe Paralimpike, duke theksuar se motoja olimpike “më lart, më shpejt, më fort” është ftesë për të vënë në veprim talentet, që Zoti i ka dhuruar secilit.

Karakteristikë e sportit, vërejti Papa, është se nuk u rezervohet vetëm atletëve profesionistë, por edhe diletantëve, edhe njerëzve me aftësi të kufizuara. Gjithkush mund të bëjë një veprimtari sportive e madje, njerëzit mund të gëzohen thjesht duke parë sport e duke mos marrë pjesë në asnjë garë. Kjo e bën atë gjithëpërfshirës – vlerë, që sipas Papës Françesku, u vu në dukje sidomos nga Lojrat Paralimpike, të cilat i dhanë mundësi publikut të admirojë madhështinë dhe pastërtinë e gjestit sportiv në vetvete.

Por Ati i Shenjtë Bergoglio nuk harroi edhe fëmijët e të rinjtë e vendeve të varfëra, që luajnë me një top prej lecke, apo të shpuar, në periferitë e qyteteve e në rrugët plot pluhur të fshatrave. Papa i inkurajoi të gjithë të punojnë për t’i dhënë dinjitet dëshirës së këtyre fëmijëve për të ushtruar veprimtari sportive dhe përmendi njërin nga fondacionet e pranishme, që punon pikërisht në këtë fushë. Ai organizon çdo vit “Homless Cup”, Kupën e të Pastrehëve.

Gjithashtu, Papa Françesku u kërkoi drejtuesve të sportit botëror të ruajnë pastërtinë e veprimtarive sportive, t’i mbrojnë nga manipulimet dhe nga shfrytëzimi. “Do të ishte e trishtuar për sportin dhe për njerëzimin – tha Bergoglio – nëse njerëzit nuk do të kishin më besim në vërtetësinë e rezultateve sportive e kështu, cinizmi të zinte vendin e entuziazmit e të pjesëmarrjes së gëzueshme pa interes. Në sport, ashtu si në jetë, është e rëndësishme të luftojmë për rezultatin, por të luajmë mirë dhe me ndershmëri është edhe më e rëndësishme”, përfundoi Papa, i cili përmendi fushatën e OKB-së kundër korrupsionit, duke nënvizuar se “kush lufton për të krijuar një shoqëri të drejtë e transparente, bashkëpunon me veprën e Hyjit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.