2016-10-05 18:54:00

Deklarata e përbashkët e Papës Françesku dhe e kryeipeshkvit të Kanterbërit


Pesëdhjetë vjet më parë, paraardhësit tanë, Papa Pali VI dhe Kryeipeshkvi Michael Ramsey, u takuan në këtë qytet, bërë shenjt nga shërbimi dhe gjaku i Apostujve Pjetër e Pal. Në vijim, Papa Gjon Pali II dhe kryeipeshkvijtë Robert Runcie e George Carey, Papa Benedikti XVI dhe kryeipeshkvi Rowan Williams u lutën së bashku në këtë kishë të Shën Gregorit në Celio, nga ku Papa Gregori dërgoi Augustinin për të ungjillëzuar anglosaksonët. Në shtegtim në varret e këtyre Apostujve dhe Etërve të shenjtë, katolikët dhe anglikanët e njohin njëri-tjetrin si trashëgimtarë të thesarit të Ungjillit të Jezu Krishtit dhe të thirrjes për ta ndarë atë me botën mbarë. E kemi marrë Lajmin e Mirë të Jezu Krishtit përmes jetëve të shenjta të burrave e grave, që e kanë predikuar Ungjillin me fjalë e me vepra dhe, jemi ngarkuar e frymëzuar nga Shpirti Shenjt tëjemi dëshmitarë të Krishtit “deri në kufijtë e tokës” (Vap 1,8). Jemi të bashkuar në bindjen se “kufijtë e tokës”, sot, përfaqësojnë jo vetëm një term gjeografik, por edhe një thirrje për t’ua çuar mesazhin shpëtimprurës të Ungjillit, veçanërisht atyre, që janë në anë e në periferitë e shoqërive tona.

         Në takimin e tyre historik të vitit 1966, Papa Pali VI dhe kryeipeshkvi Ramsey vendosën të ngrenë Komisionin Ndërkombëtar anglikano-katolik për një dialog serioz teologjik, që, “i bazuar mbi Ungjijtë dhe mbi traditat e lashta të përbashkëta, të çojë drejt atij bashkimi bazuar mbi të Vërtetën, për të cilin u lut Krishti”. 50 vjet më vonë falenderojmë për rezultatet e Komisionit Ndërkombëtar anglikano-katolik, që ka shqyrtuar doktrina, të cilat kanë krijuar ndarje përgjatë historisë, nga një perspektivë respekti dhe dashurie të ndërsjellë. Sot, jemi veçanërisht mirënjohës për dokumentet e ARCIC II, që do t’i shqyrtojmë, dhe presim rezultatet e ARCIC III, që po përpiqet të ecë përpara në situata të reja e në sfida të reja për bashkimin tonë.

         50 vjet më parë, paraardhësit tanë i pranuan “pengesat serioze”, që dilnin në rrugën e rivendosjës së bashkimit të plotë të fesë e të jetës sakramentore ndërmjet nesh. Megjithatë, duke i qëndruar besnikë lutjes së Zotit që dishepujt e Tij të jenë një gjë e vetme, nuk u shkurajuan, por filluan udhën, pavarësisht se nuk e dinin cilat ishin hapat për t’u ndërmarrë gjatë saj. Përparim i madh është bërë në shumë fusha, që na patën mbajtur larg. Gjithsesi, rrethana të reja sollën mosmarrëveshje të reja ndërmjet nesh, veçanërisht përsa i përket shugurimit të grave dhe çështjeve më të vona, që kanë të bëjnë me seksualitetin njerëzor. Pas këtyre divergjencave mbetet çështja e përhershme rreth mënyrës së ushtrimit të autoritetit në bashkësinë e krishterë. Këto janë sot, disa aspekte problematike, që përbëjnë pengesa serioze për bashkimin tonë të plotë. Ndërsa, ashtu si paraardhësit tanë, edhe ne nuk shohim akoma zgjidhje për pengesat që kemi përpara, por nuk shkurajohemi. Me besim e gëzim në Shpirtin Shenjt mendojmë se dialogu dhe impenjimi i ndërsjellë do ta thellojnë mirëkuptimin e do të na ndihmojnë ta kuptojmë vullnetin e Krishtit për Kishën e Tij. Kemi besim në Hirin e Tënzot dhe në Provaninë Hyjnore, duke e ditur se Shpirti Shenjt do të hapë porta të reja dhe do të na udhëheqë drejt gjithë së vërettës (shih Gjn 16,13).

         Divergjencat e sipërpërmendura nuk mund të na pengojnë për t’u njohur reciprokisht si vëllezër e motra në Krishtin, për arsye të Pagëzimit tonë të përbashkët. E as nuk mund të na ndalojnë ta zbulojmë e të gëzohemi për fenë e thellë të krishterë e për shenjtërinë, që shohim në traditat e tjetrit. Këto divergjenca nuk duhet të në bëjnë t’i pakësojmë përpjekjet tona ekumenike. Lutja e Krishtit gjatë Darkës së Mbrame që të gjithë të jenë një gjë e vetme (shih Gjon 17,20-23) është detyrë për dishepujt e Tij sot, ashtu siç qe atëherë, në prag të Mundimeve, Vdekjes e Ngjalljes së Tij dhe si rrjedhojë, në lindjen e Kishës. Divergjencat tona nuk duhet ta pengojnë lutjen tonë të përbashkët: jo vetëm mund të lutemi së bashku, por duhet të lutemi së bashku, duke i dhënë zë fesë dhe gëzimit të përbashkët në Ungjillin e Krishtit, në Besojmat e lashta dhe në pushtetin e dashurisë së Zotit, bërë e pranishme nga Shpirti Shenjt, për të kapërcyer çdo mëkat e ndarje. Kështu, së bashku me paraardhësit tanë, e nxisim klerin dhe besimtarët të mos e lënë pas dore dhe të mos e nënvleftësojnë këtë bashkim të sigurtë, megjithëse jo të përsosur, që e kemi tashmë.

         Më të mëdha e më të thella se divergjencat, janë feja që bashkëndajmë dhe gëzimi ynë i përbashkët në Ungjillin. Krishti u lut që dishepujt e Tij të jenë të gjithë një gjë e vetme “që bota të besojë” (Gjn 17,21). Dëshira e gjallë për bashkim, që ne e shprehim përmes kësaj Deklarate të Përbashkët, lidhet ngushtë me dëshirën e përbashkët që burrat e gratë të besojnë se Zoti e ka dërguar Birin e vet, Jezusin, në botë, për ta shpëtuar nga e keqja, e cila shtyp dhe dobëson gjithë Krijimin. Jezusi e dha jetën e vet për dashuri e duke u ngjallur së vdekurish fitoi edhe mbi vdekjen. Të krishterët, që e kanë përqafuar këtë fe, e kanë takuar Jezusin dhe fitoren e dashurisë së Tij në jetën e tyre, prandaj duan ta ndajnë me të tjerët gëzimin e këtij Lajmi të Mirë. Aftësia jonë për t’u bashkuar në lavdin e në lutjen për Zotin dhe për t’ia dëshmuar këtë botës mbështetet në besimin se ndajmë një fe të përbashkët e, në masë të madhe, një marrëveshje në fe.

         Bota duhet të na shohë si dëshmojmë, si punojmë së bashku, ta shohë këtë fe të përbashkët në Jezusin. Mund dhe duhet të punojmë së bashku për të mbrojtur e për të ruajtur shtëpinë tonë të përbashkët: duke jetuar, duke mësuar e duke vepruar që të favorizohet fundi i shpejtë i shkatërrimin ambiental, që e fyen Krijuesin dhe i degradon krijesat e Tij, si edhe duke krijuar modele sjelljeje individuale e shoqërore, që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm për të mirën e të gjithëve. Muned e duhet të jemi të bashkuar në kauzën e përbashkët për të mbështetur e mbrojtur dinjitetin e gjithë njerëzve. Njeriu është deklasuar nga mëkati personal e ai shoqëror. Në kulturën e indiferencës, mure ndarëse na izolojnë nga të tjerët, nga betejat e nga vuajtjet e tyre, të cilat i provojnë sot edhe shumë vëllezër e motra tona në Krishtin. Në kulturën e shpërdorimit, jeta e më të brishtëve të shoqërisë mënjanohet e kthehet shpesh në hedhurinë. Në kulturën e urrejtjes, shohin akte të patregueshme dhune, shpesh të justifikuara nga kuptimi i shtrembër i besojmës fetare. Feja jonë e krishterë na bën ta njohim vlerën e paçmuar të çdo jete njerëzore dhe ta nderojmë përmes veprave të mëshirës, duke ofruar arsim, kujdes shëndetësor, ushqim, ujë të pastër e strehë, gjithnjë, duke u përpjekur për zgjidhjen e konflikteve dhe për arritjen e paqes. Si dishepuj të Krishtit e konsiderojmë njeriun të shenjtë e si apostuj të Krishtit duhet të jemi avokatët mbrojtës të tij.

         50 vjet më parë, Papa Pali Vi dhe Kryeipeshkvi Ramsey u frymëzuan nga fjalët e Apostullit: “harroj çka kam lënë pas dhe prirem drejt së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus” (Fil 3,13-14). Sot, “ç’është lënë pas” – shekuj të dhimbshëm ndarjeje – është shëruar pjesërisht nga 50 vjet miqësie. Falenderojmë Zotin për 50 vjetët e Qendrës Anglikane në Romë, e destinuar të jetë vend takimi dhemiqësie. Jemi bërë miq e shokë udhëtimi në shtegtimin tonë, duke përballuar të njëjtat vështirësi e duke përforcuar njëri-tjetrin, duke mësuar t’i vlerësojmë dhuratat, që Zoti i ka dhënë tjetrit e duke i marrë si tonat, me përvuajtëri e mirënjohje.

         Mezi ç’presim të ecim përpara për të qenë plotësisht të bashkuar kur u kumtojmë të gjithëve, me fjalë e me fakte, Ungjillin shpëtimprurës dhe shëlbues të Krishtit. Prandaj, na inkurajon shumë takimi i këtyre ditëve ndërmjet sa e sa barinjve katolikë dhe anglikanë të Komisionit ndërkombëtar anglikano-katolik për bashkimin dhe misionin (IARCCUM), të cilët, mbi bazën e gjithçkaje kemi të përbashkët, nxjerrë me saktësi në dritë nga breza studiuesish të ARCIC, kanë vërtet dëshirë të vazhdojnë misionin e bashkëpunimit dhe të dëshmisë deri në “kufijt e tokës”. Sot gëzohemi ndërsa i ngarkojmë me detyrë dhe i dërgojmë dy e nga dy, ashtu si i dërgoi Zoti 72 dishepujt. Misioni i tyre ekumenik ndaj atyre, që ndodhen në periferi të shoqërisë, të jetë dëshmi për të gjithë ne e, nga ky vend i shenjtë, ashtu si Lajmi i Mirë shekuj më parë, të dalë mesazhi se katolikët dhe anglikanët veprojnë së bashku për t’i dhënë zë fesë së përbashkët në Zotin tonë, Jezu Krishtin, për të lehtësuar vuajtjet, për të çuar paqen ku ka konflikt, dinjitet, aty ku mohohet e shkelet.

         Në këtë kishë të Shën Gregorit të Madh, lutemi me zjarr për bekimin e Trinisë Shenjte mbi vijimin e veprës së ARCIC dhe të IARCCUM dhe mbi të gjithë ata, që luten e kontibuojnë në rivendosjen e bashkimit ndërmjet nesh.

 

Romë, 5 tetor 2016

 

HIRËSIA E TIJ JUSTIN WELBY              SHENJTËRIA E TIJ FRANCESKU








All the contents on this site are copyrighted ©.