2016-09-28 11:21:00

Vdiq Shimon Peres, ish-presidenti izraelit, Nobel për Paqen


Ndërroi jetë gjatë natës së djeshme Shimon Peres, i fundit ndër etërit themelues të Izraelit. Shimon Peres, 93 vjeç, u shua pas dy javësh në spital për një iktus. Historia do ta kujtojë si një nga protagonistët e marrëveshjes së Oslos, më 1993. Për këtë, një vit më vonë, pati marrë Çmimin Nobel për Paqen, së bashku me kryeministrin e atëhershëm izraelit, Rabin dhe me liderin palestinez, Arafat. Funerali i tij do të kremtohet të premten në Jeruzalem. Peres do të varroset së bashku me Të Mëdhenjtë e Kombit në varrezat e Malit Herzl.

Njeri i paqes, ka qenë në qendër të politikës së Izraelit, që nga lindja e tij në vititn 1948. Ministër, kryeministër e së fundi president, Shimon Peres ka qenë eksponent i Partisë Laburiste. Lindur në Poloni, emigroi që në të ri të vet në Palestinë. Hyri në politikë pasi njohu rastësisht Ben Gurionin, kryeministrin e parë të vendit. Qendror, impenjimi i Shimon Peres në arritjen e marrëveshjes së Oslos, me të cilën Izraeli dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës njihnin njëri-tjetrin dhe impenjoheshin për zgjidhjen e konfliktit. Fillimisht, Peres pati refuzuar çdo kompromis me shtetet arabe dhe pati autorizuar ngulimet e para hebraike në Çisjordaninë e pushtuar. Më pas, e pati kuptuar se ideja e dy shteteve, që jetojnë në miqësi e bashkëpunim, ishte më e mirë se një konflikt pa fund. Edhe pasi doli në pension vijoi dialogun me palestinezët, përmes fondacionit të tij.

I paharrueshëm, takimi i lutjes për paqen, në Vatikan, me Papën Françesku dhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas. Këto fjalët e Shimon Peres:

“Dy popuj – izraelitët dhe palestinezët – dëshirojnë akoma me zjarr paqen. Lotët e nënave për bijtë e tyre pikojnë akoma në zemrat tona. Duhet t’u japim fund britmave, dhunës dhe konfliktit. Të gjithë kemi nevojë për paqe. Paqe ndërmjet të barabartëve”.

Shimon Peres pati takuar edhe Papën Benedikti XVI dhe Shën Gjon Palin II. Nga të gjitha anët e botës, mbërritën sot në Izrael, mesazhet e ngushëllimit nga krerët më të mëdhenj botërorë. I biri, Chemi, kujton: “Na urdhëroi ta ndërtojmë të ardhmen e Izraelit me guxim e urti e të hapim gjithnjë rrugë për një ardhmëri në paqe”. Vërtet, i mësoi gjithë botës se “nuk ka alternativë tjetër, përveç paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.