2016-09-28 12:37:00

Papa: Kisha është për të gjithë, të mirë e të këqinj, sepse është e mëshirshme


Kisha është për të gjithë: të mirë e të këqinj, sepse kështu vepron shëlbimi i Hyjit. Si zakonisht të mërkurave, në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Françesku mbajti katekizmin, duke u ndalur në faljen e Krishtit dhe në flijimin e Tij për shpëtimin tonë, për shpëtimin e të gjithëve. Jubileu i Mëshirës, shpjegoi Ati i Shenjtë, duhet të na e kujtojë këtë. Ky vit është kohë hiri për secilin prej nesh:

“Kisha nuk është vetëm për të mirët, ose për ata, që duken të mirë apo besojnë se janë të mirë; Kisha është për të gjithë e madje, sidomos për të këqinjtë, sepse Kisha është e mëshirshme. E kjo kohë hiri e mëshire na kujton se asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit”.

T’ia ngulim sytë të Kryqëzuarit

 Papa Françesku ftoi t’ia ngulim sytë të Kryqëzuarit, atij Krishti, që s’bëri asgjë për të shpëtuar vetveten, por u flijua për ne:

“E të gjithë e dimë se nuk është e lehtë ‘të rrish në kryq’, në kryqet tona të vogla të përditshme: nuk është e lehtë. Ai, në këtë kryq të madh, në këtë vuajtje të madhe, ndenji aty e prej andej na shpëtoi; aty na dëshmoi gjithpushtetin e Tij e aty na fali”.

Shpëtimi hyjnor mund të arrijë këdo

Duke vdekur në kryq, i pafajshëm ndërmjet dy “hajdutëve”, ndërmjet dy “kriminelëve”, nënvizoi më tej Papa, duke komentuar Ungjillin sipas Lukës, Jezusi na provon se shpëtimi hyjnor mund të arrijë këdo, në çfarëdo lloj kushti, edhe në gjendjen më negative e më të dhimbshme:

“Të mbërthyerve në shtratin e ndonjë spitali, të mbyllurve në burg, atyre, që janë zënë në kurth nga lufta, ju them: vështroni të Kryqëzuarin; Zoti është me ju, rri me ju në kryq dhe ofrohet si Shëlbues për të gjithë. Ai na shoqëron të gjithëve, edhe juve që vuani shumë, i kryqëzuar për ju, për ne, për të gjithë”.

E forca e Ungjillit u jep të gjithëve një siguri të brendshme:

“Askush nuk përjashtohet nga falja e Zotit. Vetëm se duhet t’i afrohemi Jezusit, të penduar e me dëshirën për t’u përqafuar prej Tij”.

Hajduti i mirë, model i të krishterit të penduar

Nga ana tjetër, kujtoi Papa Françesku, emri i Jezusit do të thotë “Zoti shpëton”. Kjo kuptohet, duke reflektuar mbi figurën e hajdutit të mirë, që bëhet dëshmitar i Hirit Hyjnor, sepse në të Kryqëzuarin kundron “dashurinë e Zotit për të, për këtë mëkatar të shkretë”:

“Është e vërtetë, ishte hajdut, ishte hajdut: është e vërtetë. Kishte vjedhur gjithë jetën. Por në fund, i penduar për gjithçka kishte bërë, duke e parë Jezusin kaq të mirë e të mëshirshëm, arriti t’ia vjedhë qiellin: është hajdut i zoti ky!”

 I dënuar me vdekje, i kërkon Krishtit të kujtohej për të kur të hynte në mbretërinë e vet e, kështu, u bë model i të krishterit, që ia beson vetveten Zotit:

“Kjo është e thellë: një i dënuar me vdekje bëhet model për ne. Shembull njeriu, të krishteri, që ia beson vetveten Jezusit e, edhe model i Kishës, që në liturgji, i drejtohet Zotit disa herë, duke thënë: ‘Kujtohu…Kujtohu…Kujtohu për dashurinë tënde’…”.

Thoni emrin e Jezusit si lutje

 Duke i nxitur besimtarët në shesh të thonë disa herë në ditë emrin e Jezusit, si lutje drejtuar Hyjit, ashtu siç bëri hajduti i mirë, Papa përshëndeti në veçanti, popullin meksikan dhe ndezi një qiri për familjet e Romës dhe të botës, në prag të Javës së Familjes, organizuar në fillim të tetorit nga dioqeza e Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.