2016-09-27 08:00:00

Imzot Minassian: Papa në Kaukaz, dëshmitar i së vërtetës dhe i lirisë


Janë të shumtë, të krishterët armenë, të pranishëm në Kaukaz, ku Papa  Françesku shkon të premten. Për të na shpjeguar cilët janë e si jetojnë, ia drejtuam mikrofonin ipeshkvit për armenët katolikë të Evropës Lindore, imzot Raphael Minassian:

Prania jonë në Gjeorgji e ka zanafillën në shekujt IV-V. Do t’i them Shenjtërisë së Tij se martiri ynë i parë për fenë e krishterë, Shën Vardani, vinte nga Gjeorgjia. Tiflis, siç quhej atëherë, ishte qyteti kulturor i armenëve. Ndërsa sot në Gjeorgji, sidomos në fshatra, armenët katolikë janë të moshuar. Nuk ka shumë rini, dy të tretat e të rinjve janë jashtë vendit për punë.

 Si janë marrëdhëniet me Kishën ortodokse?

Nuk ka shumë martesa të përziera dhe ekziston një farë nacionalizmi. Por, në fund të fundit, gëzimi i të dyja konfesioneve qëndron në faktin se feja e tyre e krishterë është e thellë. Janë të ndara, por jetojnë për Krishtin, secila sipas mënyrës së vet.

Ju jeni aktualisht, kryetar i Karitasit të Gjeorgjisë. A mund të na thoni cilat janë nevojat e popullsisë dhe nëse ka bashkëpunim me ortodoksët në këtë fushë?

Ata nuk kanë një Karitas të tyrin, por ka shumë ortodoksë, që punojnë në Karitasin tonë. Merremi kryesisht me të moshuarit, jetimët, rininë, ose familjet, që jetojnë në varfëri absolute, si edhe me të sëmurët. Përpiqemi t’i ndihmojmë të gjithë, duke realizuar projekte të reja e duke u dhënë të rinjve mundësi për punë, që të garantojnë jetën e sotme dhe të ardhme.

Kur shkoi në Armeni, Papa foli pa doreza. Bëri thirrje edhe për një kujtesë pozitive, që jep shpresë, edhe përsa u përket temave më të vështira. Çfarë parashikoni për Azerbajxhanin e për marrëdhëniet me të?

Unë shoh tek Papa Françesku njeriun, që e ka marrë kryqin e Krishtit mbi supet e veta. Ai, përfaqësues i Krishtit mbi tokë, duhet t’i përshkojë këto rrugë për të shpjeguar si duhet kuptimin e së vërtetës, të lirisë e të paqes.

Pra, edhe në këtë etapë, ju mendoni se Papa do të jetë dëshmitar i kësaj…

Është, që tani. Prandaj, e lus Zotin ta ndihmojë nga afër.








All the contents on this site are copyrighted ©.