2016-09-27 16:17:00

Haleb: lutje e fëmijëve për fundin e masakrave


Qindra fëmijë të Halebit, në Siri, të krishterë e myslimanë, do të takohen më 6 tetor për t’iu lutur Zotit, që në qytetin ku jetojnë dhe në të gjithë vendin, të ndalet spiralja e dhunës, sidomos kundër të vegjëlve. Ditët e fundit, janë arritur mizori të patregueshme. Lajmi i jepet agjencisë kishtare Fides nga kreu i kryeeparkisë armene katolike të Halebit, imzot Boutros Marayati.

Së pari, nxënësit e shkollave

Nisma u mor me nxitjen e etërve françeskanë e do të përfshijë, fillimisht, nxënësit e shkollave. Ata do të nënshkruajnë e do të vënë shenjat e gishtërinjve mbi një thirrje, që u kërkon pushtetarëve të botës t’u jepet fund masakrave në Siri. Por sidomos, sqaron imzot Marayati, fëmijët do të luten për të gjithë bashkëmoshatarët.

Shumë njerëz nuk dalin dot nga Halebi

Bombardimet dhe masakrimi i civilëve në Haleb dëshmuan fundin e armëpushimit tepër të brishtë e të pjesshëm të dy javëve më parë. “Të mërkurën e kaluar – nënvizon kryeipeshkvi – përfaqësuesit e qeverisë dhe të ushtrisë siriane u mblodhën për të shpjeguar se do t’i bënin një thirrje popullsisë civile në lagjet e kontrolluara nga rebelët. Përmes televizionit dhe rrjeteve shoqërore u lajmërua se do të liheshin të lira kalimet, për t’i dhënë mundësi popullsisë të largohej nga ato lagje drejt zonave më të sigurta, pa frikën e raprezaljeve. Në fakt, shumë familje u larguan dhe u pritën në zonën e kontrolluar nga ushtria qeveritare, gjë që do të thoshte se thirrja ishte dëgjuar. Për grupet që mbërrinin pak nga pak ishin përgatitur edhe struktura strehimi, por e gjithë kjo nuk arriti deri në shpërnguljen në masë. Ndoshta, shumë njerëz nuk mund të largohen”.








All the contents on this site are copyrighted ©.