2016-09-26 16:25:00

Papa pret presidentin Kabila: paqe dhe dialog në Kongo


Papa Françesku priti në audiencë në Pallatin Apostolik në Vatikan, presidentin e Republikës Demokratike të Kongos, Joseph Kabila, i cili u takua më pas me Sekretarin për Marrëdhëniet me shtetet, imzot Paul Richard Gallagher.

“Gjatë bisedës së përzemërt – shkruan Salla e Shtypit e Vatikanit – u përmendën marrëdhëniet e mira ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës Demokratike të Kongos, sidomos kontributi i rëndësishëm i Kishës Katolike në jetën e kombit, përmes institucioneve të saj edukative, shoqërore e shëndetësore, si edhe atyre për zhvillimin e organizmave për pakësimin e varfërisë. Në këtë kuadër, u shpreh kënaqësia për nënshkrimin e Marrëveshjes bazë ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shtetit, më 20 majin e kaluar”.

Më pas, sqaron nota e Sallës së Shtypit, u fol për sfidat politike të vendit dhe për ndeshjet me armë në kryeqytet. U nënvizua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet protagonistëve të politikës, të shoqërisë civile dhe të bashkësive fetare. Së fundi, duke pasur parasysh dhunën që pëson popullsia në lindje të Kongos, u nënvizua urgjenca e bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar për t’i dhënë asaj ndihmën e nevojshme e për të rivendosur bashkëjetesën paqësore.








All the contents on this site are copyrighted ©.