2016-09-25 08:00:00

Rubrika “Nënë Tereza, Shenjtja e Mëshirës Hyjnore”: lutje për shenjten


Të dashur dëgjues, ky është emisioni i fundit i rubrikës sonë kushtuar Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë e të dashurisë së krishterë. Kardinali Angelo Comastri e përfundon librin e tij “Njoha një shenjtore”, të cilin e kemi ndjekur gjatë gjithë kësaj rubrike, me një lutje për Nënë Terezën, të cilën po ua propozojmë edhe juve për meditim personal…

Terezë, ti Nëna e të varfërve!

Nëse shoqëria e mirëqenies të shtyn

ta duash e ta shumosh veç pasurinë

edhe kënaqësitë që vijnë prej saj,

Ti e shtove dhe e shumove dashurinë për të varfërit në botë.

E i kujtove njerëzimit se gëzimi nuk blihet me para.

Nuk blihet, fitohet, kur merr - e - jep dashuri!

 

Terezë, ti Nëna e të mjerëve!

Çapi yt i lehtë përshkoi skutat e skajet e dheut,

ku dergjeshin, e dergjen, të pafatët.

Çap i heshtur, i pandjeshëm

i këmbëve me sandalet grisur nga udha e gjatë;

po prap se prap ata e ndjenë e u besdisën,

ata që kanë, por s’ngopen kurrë me para e vetëdashje

e të varfërit i shikojnë nga majat e vetvetes,

poshtë, në skëterrën mjerimit!

Uji i Darkës së Mbrame kaloi nëpër duart tua

që lanë këmbë të grira nga gërbula

pa ditur ç’është lodhja,

për t’u treguar të gjithëve

rrugën e madhështisë së vërtetë.

Kështu mbete në zemër të Zotit e të njerëzve

që ecën, që ecin me çapin tënd!

 

Nënë Tereza e Krishtit!

Ti e dëgjove britmën e Jezusit,

në britmën e të uriturit  në të katër anët e botës,

E Korpin e Krishtit mjekove

në korpin e të gërbulurit.

Lutu për ne, Shën Terezë,

që të meritojmë hirin  e madh të përvujtërisë e të dlirësisë

Si Maria,

për ta pranuar në zemrat tona,

Dashurinë që të bën vërtet të lum!

Amen!








All the contents on this site are copyrighted ©.