2016-09-20 18:30:00

Asizi: thirrja për paqen, dhuna e terrori janë kundër Zotit e njeriut


Liderët e feve të mbarë botës e përfunduan Takimin ndërfetar në Asizi 2016, mbi temën: “Etje për Paqen: fetë e kulturat në dialog”, me një thirrje të fuqishme të përbashkët për paqen mes popujve, e për t’i thënë jo dhunës, jo luftës, jo vdekjes. “I jemi drejtuar me lutje Zotit, që t’i dhurojë paqen botës. E pranojmë nevojën e lutjes së vazhdueshme për paqen, sepse lutja e mbron dhe e shndrit botën. Paqe është emri i Zotit. Kush e përmend emrin e Zotit për të justifikuar terrorizmin, dhunën dhe luftën, nuk ecën në udhën e Tij: lufta në emër të fesë kthehet në luftë kundër vetë fesë. Me bindje të patundur, theksojmë pra, se dhuna dhe terrorizmi janë kundër frymës së vërtetë fetare”. Ja apeli i liderëve fetarë në mbarim të takimit të Asizit. 

"Burra e gra me fe të ndryshme, jemi mbledhur si shtegtarë, në qytetin e Shën Françeskut. Këtu, më 1986, 30 vjet më parë, me ftesën e Papës Gjon Pali II, u mblodhën Përfaqësues fetarë nga e gjithë bota, për herë të parë kaq të shumënumërt e kaq solemnisht, që të pohonin lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet pasurisë së madhe të paqes dhe qëndrimit të vërtetë fetar. Që nga ajo ngjarje historike filloi një shtegtim i gjatë, i cili, duke prekur shumë qytete të botës, përfshiu shumë besimtarë në dialogun dhe në lutjen për paqen; bashkoi pa ngatërruar, duke u dhënë jetë miqësive të qëndrueshme ndërfetare e duke kontribuar në shuarjen e jo pak konflikteve. Ky është shpirti, që na frymëzon: të realizojmë takimin në dialog, të kundërshtojmë çdo formë dhune dhe abuzimi të fesë, që justifikon luftën e terrorizmin. E megjithatë, në vitet e kaluara, ende shumë popuj u plagosën dhimbshëm nga lufta. Nuk u kuptua gjithmonë se lufta e përkeqëson botën, duke lënë një trashëgimi dhimbjesh dhe urrejtjesh. Me luftën, të gjithë humbasin, edhe fitimtarët.

I jemi drejtuar me lutje Zotit, që t’i dhurojë paqen botës. E pranojmë nevojën e lutjes së vazhdueshme për paqen, sepse lutja e mbron dhe e shndrit botën. Paqe është emri i Zotit. Kush e përmend emrin e Zotit për të justifikuar terrorizmin, dhunën dhe luftën, nuk ecën në udhën e Tij: lufta në emër të fesë kthehet në luftë kundër vetë fesë. Me bindje të patundur, theksojmë pra, se dhuna dhe terrorizmi janë kundër frymës së vërtetë fetare.

Dëgjuam zërat e të varfërve, të fëmijëve, të brezave të rinj, të grave e të shumë vëllezërve e motrave, që vuajnë nga lufta; me ta, i themi me forcë: Jo, luftës! Të mos mbetet e padëgjuar britma e dhimbjes së sa e sa të pafajshmëve. U përgjërohemi përgjegjësve të kombeve të çaktivizohen motivet e luftrave: lakmia për pushtet e para, babëzia e atyre, që tregtojnë armë, interesat e njëanshme, hakmarrjet për të kaluarën. Të shtohet impenjimi konkret për zhdukjen e arsyeve, në themel të konflikteve: situatat e varfërisë, të padrejtësisë e të pabarazisë, shfrytëzimi dhe përbuzja e jetës së njeriut.

Të fillojë më në fund një kohë e re, në të cilën bota e globalizuar të bëhet një familje popujsh. Të vihet në jetë përgjegjësia për të arritur paqen e vërtetë, e cila duhet të marrë parasysh nevojat autentike të njerëzve dhe të popujve, të parandalojë konfliktet më anë të bashkëpunimit, të fitojë mbi urrejtjet e të kapërcejë barrierat me anë të takimit e të dialogut. Asgjë nuk humbasim, duke vënë në zbatim frytshëm dialogun. Asgjë s’është e pamundur nëse i lutemi Zotit. Të gjithë mund të jenë zejtarë të paqes; nga Asizi rinovojmë me bindje impenjimin tonë për të qenë të tillë, me ndihmën e Zotit, së bashku me gjithë burrat e gratë vullnetmira".








All the contents on this site are copyrighted ©.