2016-09-20 17:00:00

Papa Françesku si Nënë Tereza: Jezusi “ka etje” për dashuri


Ishte pasditja, kulmi i veprimtarive të Papës Françesku në Asizi, ku Ati i Shenjtë Bergoglio shkoi për një ditë, që të marrë pjesë në lutjen e përfaqësuesve të të gjitha feve, në Takimin tradicional ndërfetar, filluar nga Shën Gjon Pali II, 30 vjet më parë. Tema e sivjetme: “Etja për paqen”. E si tema, ashtu edhe meditimi i Atit të Shenjtë në lutjen ekumenike të të krishterëve, në Bazilikën e Poshtme të Shën Françeskut, nuk mund të mos na kujtojnë Nënë Terezën, shenjten shqiptare të dashurisë. Vërtet, Papa Françesku jo vetëm e përmendi gjatë meditimit me të krishterët, ndërsa përfaqësuesit e feve të tjera luteshin edhe ata për paqen në vende të ndryshme, por e bazoi reflektimin e tij mbi fjalët e Jezusit të kryqëzuar, që e frymëzonin aq shumë Nënë Terezën në shërbimin për më të varfërit ndër të varfër: “Kam etje”.

“Për çfarë ka etje Hyji? – pyeti Papa. Sigurisht për ujë, element thelbësor për jetën. Por sidomos për dashuri, element jo më pak thelbësor për jetesën. Ka etje për të na dhuruar ujin e gjallë të dashurisë së tij, por edhe për të marrë dashuri prej nesh”.

Si Nënë Tereza, të përkulemi mbi të varfërit

Zoti ka etje për dashuri, vijoi Ati i Shenjtë, e ne, në këmbim, i japim uthull. E Hyji vuan për këtë “dashuri të pashpërblyer”, sepse do, por nuk duhet nga njerëzit. Sipas disa tregimeve, kujtoi Papa, ishte ky realitet, që e shqetësonte Shën Françeskun e Asizit. Atij, për dashurinë e Zotit që vuan, nuk i vinte turp të qante e të vajtonte me zë të lartë. Të njëjtin realitet duhet të kemi për zemër, kur kundrojmë Zotin e kryqëzuar, të etur për dashuri:

 “Nënë Tereza e Kalkutës deshi që në të gjitha kapelat e çdo bashkësie të saj, pranë të Kryqëzuarit, të shkruhej “Kam etje”. Shuarja e etjes së Jezusit në kryq për dashuri, përmes shërbimit për më të varfërit ndër të varfër, qe përgjigjja e saj. Vërtet, Zoti e shuan etjen në dashurinë tonë plot dhembshuri, ngushëllohet kur, në emër të Tij, përkulemi mbi mjerimin e tjetrit”.

Duan paqe viktimat e luftës

Fjalët e Jezusit, nënvizoi më tej Papa Françesku, na përkasin drejtpërdrejt, na kërkojnë t’i pranojmë me zemër e t’u përgjigjemi me jetë. Në atë “Kam etje” mund të dëgjojmë zërin e të vuajturve, britmën e fshehur të të vegjëlve të pafajshëm, të cilëve u është mohuar drita e kësaj bote, lutjen e zjarrtë të të varfërve dhe të nevojtarëve për paqe:

“Përgjërohen për paqe viktimat e luftrave, që i ndotin popujt me urrejtje dhe Tokën me armë; përgjërohen për paqe vëllezërit dhe motrat tona, që jetojnë nën kërcënimin e bombardimeve, ose detyrohen të ikin nga shtëpia e të emigrojnë drejt së panjohurës, të zhveshur nga çdo gjë. Të gjithë këta janë vëllezër e motra të të Kryqëzuarit, të vegjlit e Mbretërisë së tij, gjymtyrë të plagosura e të thara të korpit të Tij. Kanë etje”.

Të krishterët “të derdhin mëshirë mbi botë”

Por atyre, ashtu si Jezusit, denoncoi Ati i Shenjtë, u jepet shpesh uthulla e hidhur e refuzimit. Kush i dëgjon? Kush shqetësohet t’u japë përgjigje? Ata takohen tepër shpesh me heshtjen shurdhuese të indiferencës, me egoizmin e atij, që bezdiset, me ftohtësinë e atij, që e shuan britmën e tyre për ndihmë me të njëjtën lehtësi, me të cilën ndryshon kanalet e televizionit. Që këndej, thirrja e Papës Françesku që të krishterët “të derdhin mëshirë mbi botë”:

“Në kryq, pemë e jetës, e keqja u shndërrua në të mirë; edhe ne, dishepuj të të Kryqëzuarit, jemi të thirrur të jemi “pemë të jetës”, që thithin ndotjen e indiferencës dhe ia kthejnë botës oksigjenin e dashurisë. Nga brinja e Krishtit në kryq doli ujë, simbol i Shpirtit Shenjt që jep jetën (shih Gjn 19,34); kështu edhe nga ne, besimtarët e tij, të dalë dhembshuri për të gjithë të eturit e sotëm”.

Duke kërkuar ndërmjetësimin e Zojës së Bekuar, Papa Françesku u lut së fundi, që I kryqëzuari i Ringjallur t’i ruajë të gjithë të krishterët në dashuri e t’i bashkojë, që të bëhen ç’dëshiron Ai: “një gjë e vetme” (Gjn 17,21).








All the contents on this site are copyrighted ©.