2016-09-20 17:00:00

Papa: bota ka etje për paqen, luftërat nxisin urrejtjen mes popujve e mbushin tokën me armë


Meditimi i Papës Françesku gjatë Lutjes Ekumenike në Asizi (tekst i plotë)

Para Jezusit të kryqëzuar, tingëllojnë edhe për ne fjalët e Tij: “Kam etje” (Gjn 19,28). Etja, edhe më shumë se uria, është nevojë ekstreme e njeriut, por përfaqëson edhe mjerimin e tij të skajshëm. Kundrojmë kështu misterin e Zotit të Tejetlartë, që bëhet, për mëshirë, i mjerë ndërmjet njerëzve.

Për çfarë ka etje Hyji? Sigurisht për ujë, element thelbësor për jetën. Por sidomos për dashuri, element jo më pak thelbësor për jetesën. Ka etje për të na dhuruar ujin e gjallë të dashurisë së tij, por edhe për të marrë dashuri prej nesh. Jeremia profet e thotë sa i kënaqur është Zoti për dashurinë tonë: “Me mall të kujtoj, e kujtoj afshin e rinisë sate, dashurinë e fejesës sate” (Jer 2,2). Por i jep zë edhe vuajtjes hyjnore, kur njeriu, mosmirënjohës, e braktis dashurinë, kur – duket sikur thotë edhe sot Zoti – “më la mua, burimin e ujit të gjallë, që të hapë për vete puse, puse të shpuara, që s’mund ta mbajnë dot ujin” (Jer 2,13). Është drama e “zemrës së tharë”, e dashurisë së pashpërblyer, dramë që përsëritet në Ungjill, kur etjes së Jezusit njeriu i përgjigjet me uthull, e cila është verë e thartuar. Ashtu si, profetikisht, vajtonte psalmisti: “në etje më dhanë të pi uthull” (Ps 69,22).

“Dashuria nuk shpërblehet”: sipas disa tregimeve, ishte ky realitet, që e shqetësonte Shën Françeskun e Asizit. Atij, për dashurinë e Zotit që vuan, nuk i vinte turp të qante e të vajtonte me zë të lartë (shih Burimet Françeskane, n. 1413). Të njëjtin realitet duhet të kemi për zemër, kur kundrojmë Zotin e kryqëzuar, të etur për dashuri. Nënë Tereza e Kalkutës deshi që në të gjitha kapelat e çdo bashkësie të saj, pranë të Kryqëzuarit, të shkruhej “Kam etje”. Shuarja e etjes së Jezusit në kryq për dashuri, përmes shërbimit për më të varfërit ndër të varfër, qe përgjigjja e saj. Vërtet, Zoti e shuan etjen në dashurinë tonë plot dhembshuri, ngushëllohet kur, në emër të Tij, përkulemi mbi mjerimin e tjetrit. Në Gjykimin e Mbramë do t’i quajë “të bekuar” ata, që u kanë dhënë të pijnë të eturve, ata që u kanë dhuruar dashuri nevojtarëve: “çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25,40).

Fjalët e Jezusit na përkasin drejtpërdrejt, na kërkojnë t’i pranojmë me zemër e t’u përgjigjemi me jetë. Në atë “Kam etje” mund të dëgjojmë zërin e të vuajturve, britmën e fshehur të të vegjëlve të pafajshëm, të cilëve u është mohuar drita e kësaj bote, lutjen e zjarrtë të të varfërve dhe të nevojtarëve për paqe. Përgjërohen për paqe viktimat e luftrave, që i ndotin popujt me urrejtje dhe Tokën me armë; përgjërohen për paqe vëllezërit dhe motrat tona, që jetojnë nën kërcënimin e bombardimeve, ose detyrohen të ikin nga shtëpia e të emigrojnë drejt së panjohurës, të zhveshur nga çdo gjë. Të gjithë këta janë vëllezër e motra të të Kryqëzuarit, të vegjlit e Mbretërisë së tij, gjymtyrë të plagosura e të thara të korpit të Tij. Kanë etje. Por atyre, ashtu si Jezusit, u jepet shpesh uthulla e hidhur e refuzimit. Kush i dëgjon? Kush shqetësohet t’u japë përgjigje? Ata takohen tepër shpesh me heshtjen shurdhuese të indiferencës, me egoizmin e atij, që bezdiset, me ftohtësinë e atij, që e shuan britmën e tyre për ndihmë me të njëjtën lehtësi, me të cilën ndryshon kanalet e televizionit.

 Përballë Krishtit të kryqëzuar, “fuqi dhe dije e Hyjit” (1 Kor 1,24), ne të krishterët jemi të thirrur ta kundrojmë misterin e Dashurisë së pashpërblyer dhe të derdhim mëshirë mbi botë. Në kryq, pemë e jetës, e keqja u shndërrua në të mirë; edhe ne, dishepuj të të Kryqëzuarit, jemi të thirrur të jemi “pemë të jetës”, që thithin ajrin e ndotur të indiferencës dhe i kthejnë botës oksigjenin e dashurisë. Nga brinja e Krishtit në kryq doli ujë, simbol i Shpirtit Shenjt që jep jetën (shih Gjon 19,34); kështu edhe nga ne, besimtarët e tij, të dalë dhembshuri për të gjithë te eturit e sotëm.

Si Maria pranë kryqit, dhashtë Zoti të jemi të bashkuar me Të e pranë njerëzve, që vuajnë. Duke iu afruar të gjithë atyre, që sot jetojnë si të kryqëzuar e duke e marrë forcën për të dashur nga I kryqëzuari i Ringjallur, do të shtohen gjithnjë e më shumë harmonia dhe bashkimi ndërmjet nesh. “Vërtet, Ai është paqja jonë” (Ef 2,14), Ai, që erdhi për t’u kumtuar paqen të afërmve dhe të largtëve (shih Ef 2,17), na ruajttë të gjithëve në dashuri e na mbledhtë në unitet, që të bëhemi ç’dëshiron Ai: “një gjë e vetme” (Gjn 17,21).








All the contents on this site are copyrighted ©.