2016-09-19 14:33:00

Nju Jorku i blinduar pas atentatit. Fillon asambleja e OKB-së


Pas frikës për bombën e së shtunës në Chelsea, Nju Jorku priti, i blinduar, krerët botërorë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Siç theksoi kryetari i bashkisë, Bill De Blasio, qyteti është mbushur me policë, edhe më shumë nga sa ishte parashikuar.

Kujtojmë se në shpërthimin e natës së të shtunës, në Manhattan, u plagosën 29 vetë, të cilët kanë dalë tashmë nga spitali. Po bëhen hetime edhe për bombën e dytë, gjetur nga policia: një tenxhere me presion mbushur me gozhdë e lidhur me një telefon celular, shumë e ngjashme me bombën shtëpiake të përdorur në maratonën e Bostonit, në vitin 2013. Forcat e rendit po përpiqen të kuptojnë nëse ka ndonjë lidhje ndërmjet shpërthimit të Manhattan-it dhe atij të paradites së djeshme në Nju Xhersej, pak para një maratone bamirësie, ku fatmirësisht nuk e pësoi askush. Autoritetet amerikane mendojnë se mund të ketë një celulë terroriste me shumë anëtarë në zonën ndërmjet Nju Jorkut dhe Nju Xhersejt.

Ndërkaq, Shteti Islamik, Isis, mori përsipër në internet sulmin e Minnesota-s, ku dje pasdite vonë, në një qendër tregtare, një burrë plagosi 8 vetë me thikë, para se të vritej nga policia. “Ishte ushtari ynë”, thuhet në komunikatën e Isis-it për personin, që sulmoi duke thirrur “Allahu është i madh” e duke e pyetur një nga blerësit nëse ishte mysliman, para se të godiste.

Këto ndodhi shkaktuan edhe reagimin e politikës amerikane, e cila është e impenjuar në fushatën zgjedhore për presidentin. “Do të bënim mirë të jemi shumë të ashpër”, komentoi kandidati republikan, Donald Trump. Ndërkaq, kandidatja demokrate, Hilary Clinton, u tregua më e kujdesshme, duke preferuar të presë fundin e hetimeve.








All the contents on this site are copyrighted ©.