2016-09-16 19:40:00

Motu Proprio e Papës për harmonizimin e Kodit latin me atë lindor


Mban datën 31 maj 2016, por u publikua javën e kaluar, Letra Apostolike “Concordia Codici” e Papës Françesku, në formën e Motu Proprio-s. Në të ndryshohen disa norma të Kodit të së Drejtës Kanonike. Në veçanti, përsa u përket marrëdhënieve ndërmjet besimtarëve të Kishës Latine e atyre të Kishave Lindore, ka disa risi në fushën e pagëzimit e të martesës. Njëkohësisht, u bë e njohur Përgjigjja autentike mbi temën e parregullsive në marrjen e shugurimit.

         Lëvizja e popullsisë botërore ka bërë që një numër i konsiderueshëm besimtarësh të ritit lindor të jetojnë tashmë në territoret, tradicionalisht të ritit latin, vërehet në Letrën e Papës. Prandaj, ka lindur nevoja e harmonizimit të Kodit të së Drejtës Kanonike me Kodin e Kanuneve të Kishave Lindore.

         Përsa u përket pagëzimeve, ripohohet kriteri i përkatësisë së fëmijës në Kishës “sui iuris” të prindit katolik, por shtohet detyrimi për të shënuar Kishën e përkatësisë në regjistrin e famullisë. Ndërkaq, për kalimet eventuale në një Kishë tjetër “sui iuris”, parashikohet që, përveç rasteve kur ka ndonjë leje të veçantë, të hartohet një akt formal kalimi para autoriteteve kompetente dhe ndryshimi të shënohet edhe në regjistrin e pagëzimeve. Për martesat, sqarohet se “vetëm asistenca e meshtarit” ka vlerë për bashkimin e çifteve lindore, ose të çifteve ku njëri prej bashkëshortëve është i ritit latin e tjetri i ritit lindor katolik ose jo katolik.

         Përgjigjja autentike sqaron më tej se edhe jo katolikët duhen konsideruar subjekte për të gjitha parregullsitë, që nuk u lejohen katolikëve, kur kërkojnë shugurimin diakonal, meshtarak apo ipeshkvnor, pa lejen e nevojshme nga ana e autoriteteve kishtare. Sidomos, kjo vlen për ata që kanë kryer vrasje, abort, kanë gjymtuar rëndë vetveten apo të tjerët, ose kanë provuar të vrasin veten.








All the contents on this site are copyrighted ©.