2016-09-14 13:48:00

Papa: “Të gjitha fetë të thonë se të vrasësh në emër të Zotit është satanike”


Atë Jacques Hamel, meshtari francez i vrarë më 26 korrik, është martir e “martirët janë të lum”. Papa Françesku ia kushtoi meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, kujtimit të priftit të vrarë nga terroristët islamikë brenda kishës së Saint-Etienne-du-Rouvray, ndërsa kremtonte liturgjinë eukaristike. Të pranishëm në kapelë familjarët e atë Hamel dhe 80 besimtarë të bashkësisë së Rouenit, me në krye ipeshkvin Dominique Lebrun.

“Sa e pëlqyeshme do të ishte që të gjitha besimet fetare të thoshin: ‘Të vrasësh në emër të Zotit është satanike’”.

Papa e nënvizoi këtë disa herë në homelinë mallëngjyese për atë Jacques Hamel. Jeta dhe vdekja e meshtarit bëjnë pjesë tashmë në historinë e krishterë të martirizimit. E për ta kuptuar, është vendimtare festa e sotme e Shën Kryqit apo e Lartimit të Kryqit. Jezusi, edhe pse ishte Zot, u bë i ngjashëm me njerëzit dhe u bind deri në Kryq. Ai është martiri i parë, nënvizoi Papa, e nga ky mister i Krishtit fillon e gjithë historia e martirizimit të krishterë, që nga shekujt e parë e deri më sot:

“Ka diçka në këtë njeri, që e pranoi martirizimin e vet aty, së bashku me Krishtin martir në elter, diçka që më bën të mendoj shumë: në çastin e vështirë, që përjetonte… ky njeri i butë, ky njeri i mirë, ky njeri që punonte për vëllazërimin, nuk e humbi kthjelltësinë për ta akuzuar e për ta thënë qartë emrin e vrasësit. Dhe e tha qartë: ‘Largohu Satan!’”

Sot, më tepër martirë se në kohët e para

 Autori i persekutimit është pra, djalli. E martirizimi është dëshmi e jetës për Krishtin. Vërtet, meshtarin francez e prenë me thikë në fyt ndërsa kremtonte meshën, si të ishte ndonjë kriminel, por kështu, dha jetën e vet për ne, për të mos e mohuar Krishtin. Njëlloj si të krishterët e parë, që dëshmuan Krishtin duke e paguar me jetë, vuri në dukje Papa. E fjalët e Atit të Shenjtë tingëlluan të qarta edhe për shqiptarët, që akoma e kujtojnë persekutimin komunist. Atyre u kërcënoheshin, vërejti Papa: “Thoni që zoti ynë është i vërtetë, jo i juaji. Bëni flijime për zotin e për zotërat tanë”. E kur kundërshtonin, vriteshin. Histori, që përsëritet deri sot, kur në Kishë ka më shumë martirë të krishterë se në shekujt e parë të krishterimit, denoncoi Papa Françesku:

 “Sot ka të krishterë të vrarë, të torturuar, të burgosur, të therur, sepse nuk e mohojnë Jezu Krishtin. E në këtë histori, mbërrijmë tek i yni ‘père Jacques’: edhe ai bën pjesë në këtë zinxhir martirësh. Të krishterët, që vuajnë sot – si në burg, ashtu edhe në tortura deri në vdekje – për të mos mohuar Jezu Krishtin, e vënë në dukje pikërisht mizorinë e këtij persekutimi. E kjo mizori, që kërkon apostazi - le ta themi fjalën – është satanike”.

Atë Hamel është martir

Atë Hamel është pra, shembull guximi. Shembull, që duhet t’i nxisë të gjithë të mos mendojnë vetëm për veten, por të ndihmojnë të tjerët, duke ecur përpara pa frikë, nënvizoi Ati i Shenjtë:

“Duhet t’i lutemi – është martir! E martirët janë të lum – duhet t’i lutemi të na japë butësinë, vëllazërimin, paqen, edhe guximin për të thënë të vërtetën: të vrasësh në emër të Zotit është satanike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.