2016-09-09 12:48:00

Papa: ungjillëzimi nuk është “funksional”, por dëshmi jete


Të mos e reduktojmë ungjillëzimin në diçka funksionale e, as në një “shëtitje” të thjeshtë. Në meshën e kremtuar sot, në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku nënvizoi rëndësinë e dëshmisë së krishterë, duke kërkuar të mos bëhet prozelitizëm e të mos i bindim njerëzit, thjesht, me fjalë.

Ungjillëzimi nuk bëhet duke u mburrur

Duke u nisur nga Letra e Shën Palit drejtuar korintasve, Papa reflektoi mbi mënyrën e dëshmisë për Krishtin. Së pari, ç’do të thotë të ungjillëzosh. Nuk është “funksionale” e aq, nënvizoi Ati i Shenjtë, e as mburrje. Ka të krishterë, që e jetojnë shërbimin si diçka funksionale, që na duhet e aq; ka laikë e meshtarë, që mburren me gjithçka bëjnë, theksoi Papa:

“Kjo është mburrje: unë mburrem. Do të thotë ta reduktosh Ungjillin në diçka funksionale, ose edhe thjesht në mburrje: ‘Unë po shkoj të ungjillëzoj e kam sjellë gjithë ata vetë në Kishë’. Kur bëjmë prozelitizëm: edhe kjo është mburrje. Ungjillëzimi nuk është prozelitizëm. Pra, as ta marrim lehtë e lehtë, as ta reduktojmë Ungjillin në diçka funksionale e as të bëjmë prozelitizëm: ky nuk është ungjillëzim. Ai është ashtu si e thotë shën Pali këtu: ‘Për mua nuk është mburrje. Për mua është domosdoshmëri – vijon – që më imponohet’. I krishteri e ka për detyrë, ama me këtë forcë, me këtë domosdoshmëri për të çuar emrin e Jezusit, por nga zemra”.

Ungjillëzimi është dëshmi, pa fjalë të tepërta

E mënyra me të cilën mund t’ia arrijmë kësaj, thekson Ati i Shenjtë, është “të bëhemi gjithçka për të gjithë”, ashtu siç na mëson vetë Ungjilli. Duhet ta ndajmë jetën me të tjerët, t’i shoqërojmë ata në udhën e fesë, t’i ndihmojmë ta kuptojnë mesazhin e Krishtit. Nëse ndokush është i sëmurë, dha një shembull Papa Françesku, duhet t’i qëndroj pranë e ta ndihmoj, jo ta shurdhoj me argumente. Ati i Shenjtë kujtoi se gjatë drekës së DBR-së së Karkovit me të rinjtë, njëri prej tyre e pyeti ç’duhej t’i thoshte një miku ateist:

“Pyetje e bukur kjo! Të gjithë ne njohim njerëz, që janë larguar nga Kisha: çfarë duhet t’u themi? E unë iu përgjigja: ‘Dëgjo këtu, gjëja e fundit që duhet të bësh është t’i thuash fjalë! Filloi të bësh diçka e ai, kur të shohë ç’po bën, do të të pyesë e vetëm atëherë fol’. Të ungjillëzosh do të thotë të japësh këtë lloj dëshmie: unë jetoj kështu, sepse besoj në Jezu Krishtin; unë zgjoj në ty kuriozitetin për të më pyetur ‘pse i bën këto gjëra?’ Sepse besoj në Jezu Krishtin dhe e shpall me jetë Jezu Krishtin e jo vetëm Fjalën e Tij – por edhe Fjala duhet kumtuar”.

Dashuria e Zotit është falas

Ne e kemi marrë falas Ungjillin, vijoi Papa, e falas duhet ta japim. Hiri, shëlbimi, nuk shiten e nuk blihen: janë falas. E pastaj, kujtoi figurën e Shën Pjetrit Klaver, festa liturgjike e të cilit bie pikërisht sot. Misionar, që u nis për udhë, duke menduar se detyra e tij ishte të predikonte, por Zoti i kërkoi t’u qëndrojë pranë skllevërve negrierë, që i sillnin nga Afrika për t’u shitur:

 “E ky njeri nuk bëri thjesht një shëtitje, duke thënë se po ungjillëzonte; nuk e reduktoi ungjillëzimin në funksionalizëm e as në prozelitizëm: kumtoi Jezu Krishtin me gjeste, duke u folur skllevërve, duke jetuar me ta, duke jetuar si ata! E si ai, ka shumë në Kishë! Shumë, që e mohojnë vetveten, për të kumtuar Jezu Krishtin. Edhe të gjithë ne, vëllezër e motra, e kemi për detyrë të ungjillëzojmë, që nuk do të thotë t’i trokasim në derë fqinjit apo fqinjës për t’i thënë: ‘Krishti u ngjall!’. Do të thotë ta jetojmë fenë, të flasim me butësi, me dashuri, pa synuar të bindim ndokënd, të japim falas. Do të thotë të japim falas atë, që Zoti na ka dhënë falas: ky është ungjillëzimi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.